Qamil Gjyrezi/ Psikologjia e këngës shkodrane në Gjirokastër

630
Sigal

Në muajin Prill të këtij viti, kam prezantuar studimin “Psikologjia e këngës Shkodrane në Gjirokastër. Qëllimi për ta prezantuar artin shkodran në “Qytetin e gurtë” është në vazhdën e prezantimit të kulturës së qytetit të Shkodrës nga Veriu dhe deri në Jug të Shqipërisë. Prezantimi i artit, muzikës lokale bën promovimin e muzikës njëkohësisht është edhe një kujtesë për ato individë të qyteteve tona për muzikën tonë urbane ose etnike të trevave të caktuara nga veriu në jug. Në Gjirokastër kam prezantuar disa modele të këngës shkodrane në Teatrin “Zihni Sako” të qytetit të gurtë. Prezantimi në këtë formë e bën artin e qytetit të Shkodrës më të prekshëm dhe i jep atij botë kuptimore. Është interesant fakti që kënga shkodrane këndohet dhe luhet edhe në Gjirokastër. Këngëtarja e re Katerina Lipe, nga qyteti i Lushnjës, studente në universitetin e Gjirokastrës, këndoi shumë bukur këngën e qytetit të Shkodrës. Interesant ishte e fakti që kirurgu doktor Aristotel Gushi, këndoi dhe luajti me saze goje këngën e qytetit të Shkodrës “Lulja e majit”. Në këtë aktivitet foli edhe Odise Kote, gazetar, poet edhe shkrimtar që ka botuar disa libra me poezi, dy romane dhe së fundi një studim për gazetarinë e viteve ‘20 – ‘30 në Gjirokastër. Ai vlerësoi lart metaforën e këngës shkodrane. Në aktivitet morën pjesë intelektualë dhe artistë nga Gjirokastra. D.G. Anastasi, dhuroi një surprizë në këtë aktivitet. Ai performoi me D.G në firmë karaokeje një këngë shkodrane. Njëkohësisht muzikanti Gjyrezi, donte te arrinte që të luhej së bashku me këngën shkodrane edhe polifonia labe, që nuk u realizua për arsye organizative. Modeli i te luajturit së bashku i këngës shkodrane dhe asaj labe, kryesisht toske, është në vazhdën e kërkimit të promovimit të “standardit gjuhësore muzikore” Nëse gjuha shqipe është një dhe e vetme dhe ndryshimet janë tek dialektet, ose tek disa tinguj fonema, të cilët ndikojnë tek këto dialekte edhe muzika jone është një, por ndryshon forma e të shprehurit, forma e mendimit që është gjuhë dhe “sintaksa” muzikore, vendosja e fjalive muzikore në këngë. Dhe gjithashtu, muzika polifonike është me shume zëra dhe ajo e qytetit të Shkodrës është me një zë, pra tipike monofonike. Kjo është vetëm një hipoteze, e cila kërkon vërtetime dhe studime, por edhe guxim për ta eksperimentuar dhe vërtetuar. Megjithëse, arti nuk ka të bëjë me “eksperimentet”. Këto aktivitete ndikojnë jo vetëm për të promovuar një kulture të caktuar, por kanë të bëjnë edhe me antropologjinë e muzikës, e cila i jep muzikës shumë domethënie njerëzore, mbasi muzika vetë është e krijuar nga mendjet njerëzore. Eksperimentet që do të zhvilloj kanë të bëjnë me muzikologjinë aplikative ose me semiotikën e muzikës, muzika dhe simbolika e saj, tingulli, harmonija melodija dhe forma! Repertori i këngës qytetare shkodrane është shumë i pasur dhe i larmishëm. E lindur në një ambient e në rrethana të caktuara historike, kjo këngë ka fituar tipare të përcaktuara mirë si gjuhë muzikore. Ashtu si filigramat, meloditë e bukura shkodrane janë punuar me mjeshtri, janë lëmuar në rrjedhën e kohërave nga populli dhe, një pjesë e tyre, janë pastruar dhe pasuruar me elementë gjithnjë e më autoktone. Në këngën qytetare shkodrane bëjnë pjesë këngët e ceremonialit të dasmës dhe ahengu qytetar. Përveç këtyre, kemi edhe këngë të tjera si këngët mitunore (“Nina-nana”) dhe këngët e fëmijëve (“Mirë dita për kollana”), etj.. Më të lashtat janë këngët e dasmës ose vallet e kënduara. Ato përbëjnë një nga dukuritë më të bukura folklorike muzikore jo vetëm të qytetit të Shkodrës, por edhe të të gjithë trashëgimisë shpirtërore dhe artistike të popullit tonë. Muzika e tyre shumë e brishtë, elegante dhe delikate është ruajtur mjaft mirë.