Prof.Daniel Leuwers: Kadare duhet dhe do të marri çmimin nobel!

689
I ndodhur këto ditë në qytetin e Sarandës për të marrë pjesë në edicionin e tretë të eventit artistik “Art pa kufij”, Profesori i disa universiteteve franceze, njeriu i artit dhe letrave të këtij shteti të fuqishëm në art dhe kulturë, i nderuari Daniel Leuwers, është shprehur ekskluzivisht për gazetën “Telegraf” për një nga zërat më të fuqishëm të letërsisë shqiptare, Ismail Kadare. Zoti Leuwers ka thënë se Kadare ka qenë kontakti i parë i tij me letërsinë shqipe duke lexuar veprat e tij të përkthyera në frëngjisht dhe nga leximi i tyre është befasuar dhe mrekulluar duke iu shtuar edhe kurioziteti të njihej me shkrimtarin dhe të vizitonte vendin e tij. Dhe kjo, pas disa vitesh që qe krijuar kontakti virtual, erdhi si një ditë e mbarë në atdheun e tij, Francë, ku Kadare qe i ftuar në një panair letrar dhe u mundësua takimi i tyre. Takim që do të thellonte miqësinë dhe respektin për letërsinë shqipe. Kadare, shprehet në bisedë prof.Leuwers, të befasonte me paraqitjen, kulturën, euridicionin, por mbi të gjitha dashurinë dhe respektin që kish për vendin dhe popullin shqiptar. 
Prej tij mësoje shumë gjëra që ne, francezët nuk i dinim, sidomos për Ali Pashën dhe lidhjet e tij me ushtrinë franceze dhe kontributin e Francës në arsimimin shqiptar, sinqerisht këto nuk i dinim dhe i mësuam nga i madhi Kadare. Prej tij m’u shtua akoma më shumë dëshira dhe kurioziteti për të vizituar Shqipërinë dhe trevat e saj jashtë kufijve shtetëror. Dhe këtë e kam realizuar disa herë deri sa kam zënë edhe miq të shumtë jo vetëm nga arti si poeti i ndjerë Ali Podrimja, por edh njerëz të thjeshtë, por zemërbujarë. Shumë herë kam ardhur dhe vizituar qytete të ndryshme të Shqipërisë ku Durrësi më ka pëlqyer shumë. Në Sarandë vij për herë të parë. Mbeta i mrekulluar nga natyra e bukur shqiptare dhe ujërat e kaltra të jonit. Nga gjellët e mira si kosi i deles dhe peshku i shijshëm, por sidomos kosi i deles që nuk ndjej të ngopur, a thua se më zëvendëson oksigjenin e mushkërive. 
Mësova se ka edhe një kala të Ali Pashës ku u lidh marrëveshja e tij me ushtrinë franceze. Ajo ndodhet në Butrint dhe do shkoj ta vizitoj. Po loboj fuqishëm që Kadare këtë vit të vlerësohet me çmimin Nobel dhe jam i habitur nga pengesat që i sjellin se i takonte ta kish marrë ku e ku më parë. Jam i bindur se do fitojmë atë që meriton vetë Kadare me veprën e tij shumë dimensionale. Një njeri i madh i një populli të vogël me vlera të e tradita të mëdha. Franca ka mendim pozitiv edhe për pavarësinë e Kosovës ku unë kam shkuar disa herë dhe megjithëse ndihet atmosfera dhe plagët e luftës, po shoh përpjekje në shtet-formim dhe funksionim të tij në parametrat europiane. Ne kemi qenë pro dhe kemi mbështetur pavarësinë e Kosovës, kjo u tregua me shumë aktivitete të zhvilluara në Francë dhe dërgimi i Kushnerit në Kosovë. Respektet e mia për popullin shqiptar, në të gjitha viset dhe gjithë artistët e këtij populli paqedashës në Ballkanin e trazuar.
Sigal