Peter Tase/ Ndue Ukaj nën vështrimin e studiuesit Rene González

740
Sigal

Prof. René Antrop-González, është profesor i arsimit dy gjuhësh dhe jep mësim në gjuhën angleze dhe atë spanjolle, në katedrën e Kurikulumit dhe politikave arsimore pranë Universitetit të Wisconsin-Milwaukee, ku gjithashtu merret me kërkime shkencore në fusha të ndryshme si: në linguistikë, sociologjia e arsimit në reformat e shkollave urbane, si dhe sociologjinë e edukimit në komunitetet afrikano-amerikane dhe latino-amerikane. Ndonëse ekspertiza e Prof. Gonzalez, krahas të tjerash, është e fokusuar në linguistikën dhe letërsinë e hemisferës perëndimore, ai ka vërejtur vlera të veçanta, ndërkontinentale, në poezinë e Ndue Ukaj, tek vëllimi “Godo Nuk Vjen,” botuar në SHBA, në Anglisht dhe Spanjisht (2010). Antrop-Gonzalez është me gradën Master në Mësimdhënien e gjuhës Angleze si gjuhë e dytë në Universitetin Pontifik Katolik (Pontifical Catholic University) në Puerto Riko, dhe ka marrë titullin Prof. në Mësimdhënie dhe zhvillim i Kurrikulumit arsimor me fokus në edukimin dy gjuhësh, në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë (Pennsylvania State University). Rene Gonzalez është gjithashtu edhe anëtar i bordit të Projektit Kombëtar Latin mbi Edukimin dhe kërkimet në Mësimdhënie; është redaktor i asociuar i revistës për komunitetin Latin dhe Arsimin. Eksperienca e gjerë dhe studimet në fushën ndërkulturore dhe arsimore i jep mundësinë Prof. Gonzalez të shpreh përshtypjet e tij për letërsinë dhe poezinë shqiptare duke analizuar nga afër veprën me poezi të Ndue Ukaj, të cilën ai e vlerëson për nga brendia dhe vlerat e saj të spikatura në mbrojtje të lirisë dhe mëvetësisë së popujve të shtypur. Sipas Prof. Gonzalez, “Ndue Ukaj, me stilin e tij perëndimor dhe ritmik, i kalon kufijtë e Ballkanit.”   Prof. Gonzalez më tej shkruan: “Poezia e Ndue Ukaj më kujton kohën që kam kaluar si student i fakultetit të gjuhës Spanjolle në Universitetin Qendror të Floridas në fillimin e viteve 1990. Më interesonte shumë, dhe ende vazhdoj t’a studioj këtë temë, impakti i mendimit socialist në poezinë e shkrimtarit Luis Muñoz Marín, i cili ka shërbyer edhe si Guvernatori i parë në Puerto Riko. Mbi të gjitha, ai ishte autori intelektual që vendosi statusin e Puerto Rikos si “njëri prej shteteve të lira” në SHBA, një terminologji ligjore e përdorur për të zbutur marrëdhëniet koloniale të SHBA me Puerto Rikon. Në poezinë e tij me influence socialiste, Muñoz Marín me të drejtë dhe ashpërsisht vinte në dukje plagët e kolonializmit në mes të popullit Puerto Rikan, veçanërisht fermerët qe kultivonin dhe mbillnin kallam sheqeri të cilët punonin dhe lodheshin shumë në këmbim të një pagese të vogël por pasuruan akoma më tepër ata që ishin të pasur. Kontrasti që sapo vura në dukje midis mendimit të drejtësisë sociale e pranishme në poezinë e tij dhe praktika e Muñoz Marín si një guvernator kolonialist është mjaftë e dukshme. Aq më tepër, Guvernatori Muñoz i shtoi më tepër këto kontraste kur ai institucionalizoi politika dhe praktika, të cilat i shtypnin zërat e disidencës politike. Një zë shumë i fuqishëm kundër regjimit të Munoz ishte Dr. Pedro Albizu Campos, Një Avokat Afrikano Amerikan nga Puerto Riko i shkolluar në Harvard University, i cili mbronte të drejtat e fermerëve që punonin në plantacionet e sheqerit. Si një kritik i ashpër i imperializmit amerikan dhe i impaktit të dhunshëm psikologjik dhe fizik që Uashingtoni shkaktoi në Puerto Riko, Albizu Campos më vonë do të bëhej lideri i Partisë Nacionaliste në Puerto Riko. Si rrjedhojë e kritikave të shumta publike ndaj partneritetit të tij kolonialist midis Puerto Riko dhe SHBA, Munoz Marín vendosi të izolojë aktivitetin politik të avokatit harvardian Albizu Campos, duke urdhëruar arrestimin dhe burgosjen e tij nëpër burgjet amerikane. Albizu Campos vdiq më 1965 si një martir që kërkonte me ç’do kusht pavarësinë e Puerto Rikos. Në të njëjtën mënyrë, poezia e Ndue Ukaj është tërheqëse sepse ajo gjithmonë merr në mbrojtje liritë themelore të njeriut dhe dëshirën e ç’do individi për të jetuar në një shoqëri pa shtypje. Ukaj ka në fokus eksplorimin e natyrës fizike nga burri dhe gruaja dhe lidhjet e saj me realizimin e vetvetes. Më ka pëlqyer shumë poezia “Emigranti” dhe vendosja e kësaj krah për krah me themeluesit e Shteteve të Bashkuara. Në Amerikë me miliona emigrant cilësohen nga segmente të caktuara te politikës si “emigrantë ilegal” të cilët – sipas disa politikanëve republikanë – synojnë vetëm të qëndrojnë pa punë dhe të shfrytëzojnë punën e lodhshme të taksa paguesve vendas. Ajo që legjislatorët amerikan harrojnë, dhe fatkeqësisht janë përfshirë në vorbullën e amnezisë historike, është se edhe vet familjet e tyre kanë emigruar dekada apo shekuj më parë nga Europa apo Azia drejt Amerikës. Edhe pse këta kongresmenë mburren me prejardhjen dhe familjet e tyre multietnike, po këta ligjvënës ruajnë një qëndrim diskriminues ndaj emigrantëve që kanë ardhur në SHBA gjatë viteve të fundit nga Meksika apo Amerika Qendrore. Ndue Ukaj e kujton lexuesin dhe mendon se ne duam një këngë për Don Kishotin – dhe të thërrasim vizionarët dhe arkitektët e drejtësisë sociale! I gjithë volumi poetik, “Godo nuk vjen” i Ndue Ukaj, është i mbushur me thirrjen dhe patosin për të eliminuar amnezinë historike dhe të kemi gjithmonë në qendër të vëmendjes një popull të shtypur ndër shekuj, ashtu si populli Kosovar, por edhe komunitete të diskriminuara të një vendi siç janë shqiptarët e Maqedonisë, të cilët po përjetojnë vazhdimisht një margjinalizim politik, ekonomik dhe social. Vargjet e Ndue Ukaj na kujtojnë se dëshira për të ëndërruar dhe vepruar kundër diskriminimit etnik është obligimi ynë moral, sepse jeta është e shkurtër dhe e mbushur me pengesa antihumane dhe antinjerëzore. Ndërsa je duke përqafuar poezinë e Ndue Ukaj, gjithashtu je duke mbajtur fortë edhe pishtarin e poezisë se tij, i cili ndriçon aspiratat e të gjithëve për liri dhe vetë vendosje”.