“Peshkatarët e Perlave”, Inva Mula i beson premierën Tullumanit

Teatri i Operas dhe Baletit çel sot sezonin artistik, me regjinë e sopranos me famë botërore. Drejtoresha Zana Çela: Projekti më i investuar i sezonit 

Teatri i Operas dhe Baletit do të çelë sot sezonin artistik me vënien në skenë të operas “Peshkatarët e Perlave”, në një produksion gjigant që do të shfaqet në Pallatin e Kongreseve. Opera “Peshkatarët e Perlave” e kompozitorit Georges Bizet, me libret të Michel Carre dhe Eugene Cormon, do të vijë premierë për publikun shqiptar për tre net. Sopranoja e njohur me famë botërore Inva Mula, dy vite pasi vuri në skenë operën “Pagliacci”, rikthehet si regjisore, por dhe si protagoniste në shfaqjen operistike, që mban emrin e kompozitorit Georges Bizet. Kasti i artistëve përmban emra të njohur të skenës operistike shqiptare, por dhe të huaj. Për premierën e sotme, regjisorja Mula ka vendosur t’ia besojë rolin e Lejla-s sopranos së njohur, Ramona Tullumani, e cila në vitet e fundit ka interpretuar me sukses në skenat shqiptare dhe të huaja. Tullumani do të ngjitet sot në orën 19:00 në skenën e Pallatit të Kongreseve për të sjellë një Lejla krejt të veçantë për publikun shqiptar.
Opera do të shfaqet në datat 22, 24 dhe 25 shtator dhe dirigjent është francezi Zherar Akoka. Në vitin 1990 kur kjo vepër operistike u vu në skenë me regji nga Nikolin Gurakuqi, rolin e Lejla-s e interpretoi Inva Mula. Më pas ky produksion u vu dhe disa herë të tjera në opera. Për herë të parë “Peshkatarët e Perlave” u ngjit në skenën e TKOBAP në mars të vitit 1964. Me regji të Luigj Gurakuqit dhe nën dirigjimin nga Mustafa Krantja, kjo shfaqje u realizua me dekor dhe kostumografi nga Shaban Toptani. Mjeshtrit e skenës operistike shqiptare, që interpretuan në këtë vepër ishin Nina Mula, Ksanthipi Mullisi në rolin e Lejlës, Zihni Berati, Gaqo Çako, Maliq Herri në rolin e Nadir, Avni Mula, Ramiz Kovaçi, Hysen Kurti në rolin e Zurga, Lukë Kaçaj, Koço Timko në rolin e Nurabadit. Kjo vepër është një nga më përfaqësueset e repertorit operistik botëror, i cili ruhet sot në fondin e jashtëzakonshëm të historisë së vënieve në skenën e TKOBAP.

Mula: Opera është për të gjithë
Inva Mula, tashmë në rolin e regjisores, u shpreh se “Peshkatarët e Perlave” nuk ka marrë suksesin që meriton si vepër. “I jam i futur shumë thellë kësaj vepre. Nuk ka arritur të marrë suksesin që meriton si vepër. Ka kolorit të jashtëzakonshëm dhe kemi arritur të japim atmosferën e ishujve”, tha Mula. Sipas saj, zbërthimi i muzikës ka qenë i lehtë. “Nuk ka kohë e vend të përcaktuar ku ndodh ngjarja. U kam kërkuar artistëve të mos shfaqin asnjë gjest të temperamentit tonë ballkanik, ndaj edhe takimet mes tyre në skenë duhet të jenë të lehta e të thella. Ne kemi lindjen e hënës si lindje e dashurisë, është qielli i mbushur me yje që kthehen me perla”, u shpreh Inva Mula. Ajo foli edhe për skenën e re ku do të interpretohet vepra, në mungesë të sallës së TKOB-së. “Si marrim guximin që luajmë në një teatër që nuk është teatër? Nëse handikapët do t’i kthejmë në favor, mund t’ia dalim. Opera nuk është vetëm për të dashuruarit me artin klasik, opera nuk është më vetëm për një pjesë të publikut, është për të gjithë”, tha Mula. Ajo përmendi edhe disa vështirësi teknike, të vërejtura edhe gjatë provave. “Ndërrimi i dekoreve është i pamundur në skenën e Pallatit të Kongreseve, ndaj kemi konceptuar Budën në skenë”, tha Inva Mula. 


Vepra
Vepra operistike “Peshkatarët e Perlave” është me tre akte. Ajo u dha për publikun francez më 30 shtator 1863. Opera tregon historinë e dy burrave, miqësia e përjetshme e të cilëve kërcënohet nga një grua. Ngjarja rivjen kësisoj nga kohët e lashta në ishullin e Ceilonit. Dilema e dhënë tek “Peshkatarët e Perlave” është konflikti në mes të dashurisë laike dhe betimit të saj të shenjtë si një priftëreshë. Sinopsi i kësaj vepre operistike, nga më të famshme dhe më të debatuarat e asaj kohe dhe krijimi nga Bize e ngritën në kult këtë kryevepër. Në kohën e premierës, kompozitori i operës “Peshkatarët e Perlave” Bize ishte vetëm 25 vjeç. 


Zana Çela: Projekti më i investuar i këtij sezoni
Drejtoresha e përgjithshme e TKOB, Zana Çela, u shpreh se opera “Peshkatarët e Perlave”, me të cilën hapet sezoni artistik shtator-dhjetor, është projekti më i investuar i këtij sezoni. ”Jam e sigurt që ky produksion i madh, në të cilin marrin pjesë 280 artistë dhe një staf teknik i kompletuar do të jetë një fillim tejet i suksesshëm i këtij sezoni”, tha Çela. Ajo foli më në detaje edhe për kalendarin e sezonit shtator-dhjetor 2017. ”Një vit më parë, premtova që TKOB do të rrisë audiencat, duke performuar jo vetëm në Tiranë, por kudo që publiku shqiptar ndodhet. Do performojmë dhe edukojmë audiencat e reja me artin klasik të operas dhe baletit, duke filluar nga oborret e shkollave e deri në skenat më të mëdha të vendit”, theksoi Çela. Sipas drejtueses së TKOB: “Anëtarësimi në Opera Evropa në muajin maj 2017, bashkëpunimi në projektin ‘Investing in people’ me Akademinë e La Scala, si dhe me teatro të tjerë evropianë, do t’i japin garanci rritjes së nivelit artistik të teatrit tonë gjatë sezoneve të ardhshëm artistikë”. “Një vit ka kaluar shumë shpejt, por gjurmët e tij do të jenë të dukshme edhe gjatë këtij sezoni, sepse rezultatet e rritjes së audiencave, rritjes së të ardhurave nga sponsorizimet dhe bashkëpunimet, tërheqja e artistëve ekselentë të karrierave kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe talenteve të reja, janë tashmë pjesë e rritjes së nivelit artistik të teatrit tonë”, tha Zana Çela.

Tullumani: Besimi i Mulës, vlerësim dhe përgjegjësi
Në një prononcim për gazetën “Telegraf”, soprano Ramona Tullumani, e cila do të interpretojë sot në premierën e operës “Peshkatarët e Perlave”, u shpreh se zgjedhja e regjisores Inva Mula është sigurisht një vlerësim, por edhe një përgjegjësi e madhe. “Ndjehem mirë për vlerësimin e Invës, një artiste e përmasave botërore, e cila arriti që brenda pak ditëve prova të kuptojë secilin nga artistët për vlerat dhe karakterin që ka dhe mund të sjellë në skenë. Me eksperiencën e skenave botërore, Inva Mula krijoi në atmosferë shumë pozitive dhe relaksuese gjatë provave, duke na vënë në kushtet e duhura për të shfaqur aftësitë më të mira”, tha Tullumani. Ajo nënvizoi se roli i Lejla-së ka specifikat e veta dhe i është dashur një punë e gjatë për të mbërritur deri në premierën e sotme. “Kemi nisur punën shumë javë më parë, atëherë kur të gjithë pushonin dhe mundi e lodhja e javëve të shkuara shpërblehen me këtë premierë dhe vlerësimin e marrë nga Teatri i Operës e regjisorja Inva Mula. Sigurisht që kjo ma rrit përgjegjësinë për t’i dhënë publikut emocione dhe një mbrëmje të magjishme, së bashku me kolegët e shumta që do të ngjiten në skenën e Pallatit të Kongreseve”, tha Tullumani. 

Histori
Opera “Peshkatarët e Perlave”, e kompozitorit Georges Bizet, me libret të Michel Carré dhe Eugène Cormon, u ngjit në skenën e TKOBAP në mars të vitit 1964. Me regji të Luigj Gurakuqit dhe nën dirigjimin e Mustafa Krantja, kjo shfaqje u realizua me dekor dhe kostumografi nga Shaban Toptani. Mjeshtrat e skënës operistike shqiptare, që interpretuan në këtë vepër janë: Nina Mula, Ksanthipi Mullisi në rolin e Leilas, Zihni Berati, Gaqo Çako, Maliq Herri në rolin e Nadir, Avni Mula, Ramiz Kovaçi, Hysen Kurti në rolin e Zurga, Lukë Kaçaj, Koço Timko në rolin e Nurabadit. Kjo vepër është një nga më përfaqësueset e repertorit operistik botëror, i cili ruhet sot në fondin e jashtëzakonshëm të historisë së vënieve në skenën e TKOBAP.


Inva Mula
Inva Mula, një artiste me një përvojë të jashtëzakonshme, me një bagazh të pasur operistik dhe me një zë të rrallë, ka interpretuar për herë të parë në skenën e TOB në rolin e Violetës në operën “La Traviata”, në vitin 1986 kur ishte vetëm 22 vjeç. Do të ishte ky rol që i hapi dyert e shumë teatrove botërore ku për shumë vite ka interpretuar Violetën, në qytete e shtete të ndryshme, duke përfshirë Tokio, Bilbao, Orange, Trieste, Toronto etj. Inva Mula rikthehet në skenën e TKOBAP si regjisore e operës “Peshkatarët e Perlave”, si dhe për të interpretuar rolin e Leilës. Opera “Peshkatarët e Perlave”, që u vu në skenë në vitin 1990 pati jehonë mediatike në shtypin e kohës, ndërsa zëri i sopranos Inva Mula u dallua qartë si ardhmja e TKOB. E cilësuar asokohe si një artiste e re shumë e talentuar, ajo rikthehet në rolin e Leilas por edhe si regjisore e shfaqjes. Ja çfarë shkruhej në shtypin e kohës për Inva Mulën: “Ajo arriti të “vizatojë” një Leila herë delikate, herë pasionante dhe diti të alternojë bukur lirikën akute me shpërthimet dramatike”; “Zëri i pastër dhe i manovrueshëm i sopranos Inva Mula solli në skenë ëmbëlsi. Ajo komunikon natyrshëm me personazhet e tjerë”; “Me dinjitet artistik u interpretua nga Inva Mula roli i Leilas. Kjo këngëtare e re që këto vitet e fundit po debuton në pothuajse të gjitha operat e repertorit të Teatrit të Operas, edhe këtë radhë manifestoi cilësitë e saj si një interpretuese e zonja.”


Stafi 
Një vepër që përfshin opera, balet e kor, Opera “Peshkatarët e Perlave” do të ngjitet në skenë në datat 22, 24 dhe 25 shtator. Me libret të Michel Carre dhe Eugene Cormon, dirigjent Zherar Akoka, në këtë opera interpretojnë artistë të njohur të skenës shqiptare si baritonët Armando Likaj e Aurel Thëllimi dhe sopranot Ramona Tullumani e Simona Karafili. Gjithashtu, do të ketë artistë nga Bullgaria e Turqia, të cilët i janë bashkuar stafit të Teatrit të Operas dhe Baletit.