Për njohjen dhe implementimin e ligjit “ Mbi menaxhimin financiar dhe kontrollin”, nga njësitë publike

1201
Ligji nr.10 296, datë 8.7.2010“ Për menaxhimin financiar dhe kontrollin” i ndryshuar zbatohet në njësitë e sektorit publik, ku përfshihen referuar cilësimeve të ligjit:

Njësitë e qeverisjes së përgjithshme; Shoqëritë tregtare; Organizatat jofitimprurëse dhe autoritetet e përbashkëta, të cilat zotërohen, kontrollohen, financohen ose garantohen 

financiarisht nga një njësi e qeverisjes së përgjithshme; Njësitë tjera që shpenzojnë fonde 
publike, sipas një marrëveshjeje ndërkombëtare. Ky ligj përcakton parimet, rregullat, 
procedurat, strukturat administrative dhe metodat për funksionimin e menaxhimit 
financiar dhe kontrollit në njësitë e sektorit publik tlë Republikës së Shqipërisë, si dhe 
përgjegjësitë menaxheriale për planifikimin, zbatimin, kontrollin e buxhetit, kontabilitetin 
dhe raportimin me qëllim përdorimin sa më efiçient, efektiv dhe ekonomik të burimeve 
financiare publike, duke respektuar parimet e transparencës, të ligjshmërisë, si dhe 

shmangien e shpërdorimit keqpërdorimit dhe vjedhjes së pasurisë. Implementimi i këtij ligji ka filluar me 1 janar të vitit 2011, ku nga Ministria e Financave është miratuar një plan 5 Vjeçar për implementimin e një sistemi të integruar të Menaxhimit Financiar dhe Kontrollit të Republikës së Shqipërisë. Që një sistem i Menaxhimit Financiar dhe Kontrollit të funksionojë në mënyrë efektive brenda njësive publike, duhet që të zhvillohet përgjegjshmëria menaxheriale dhe faktorët më të rëndësishëm që duhet të ekzistojnë për një sistem të tillë, ndër të tjerë janë: objektivat duhet të përcaktojnë veprimtarinë operacionale, strukturat menaxheriale të jenë të dizenjuara për të ofruar objektivat sipas politikave, aktivitetet operacionale duhet të vlerësohen rregullisht nga menaxherët për tu siguruar se këto aktivitete janë në përputhje me parimet e ekonomisë, eficencës dhe efektivitetit, menaxherët duhet të marrin përgjegjësinë e plotë për efektivitetin e sistemeve të kontrollit të brendshëm, menaxherët duhet të marrin parasysh risqet dhe të planifikojnë masa për eliminimin e risqeve dhe realizimin e objektivave. Një ndihmë për menaxherët, për këshillimet e tyre në drejtim të përshtatshmërisë së sistemeve, rigorozitetin e tyre si dhe të efektshmërisë së masave për menaxhimin e riskut, janë strukturat e auditimit të brendshëm. Për këto struktura menaxhimi duhet të mendojë për ti krijuar ato si struktura të përshtatshme efektive dhe profesionale. Plani i parë 5 vjeçar i implementimit të menaxhimit financiar dhe kontrollit ka përfunduar në 2016, ku ndër aktivitete kryesore të vitit të fundit të tij kanë qenë shkalla e ndërgjegjësimit në përgjegjësi dhe zbatimi i procedurave të rishikuara , përgatitja për një përfshirje të plotë në implementim në vitin 2015- 2016 të njësive publike.

Por si paraqitet situata në lidhje me implementimin e ligjit për menaxhimin financiar dhe kontrollin. Që me daljen e ligjit sa më sipër, nga Kontrolli i Lartë i Shtetit është pasur një qasje pozitive në lidhje me zbatimin e tij dhe akteve në funksion të tij. Një nga drejtimet e auditimit në programet e miratuara nga Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit si në auditimet financiare edhe në ato të përputhshmërisë ligjore dhe rregullshmërisë, kanë qenë vlerësimi i funksionimit të sistemeve të menaxhimit financiar dhe kontrollit në 5 fushat kryesore të tij. Pavarësisht konkluzioneve modeste në drejtim të zbatimit të ligjit në fillimet e auditimit në këtë drejtim, për efekt të kuptueshmërisë jo të mjaftueshme nga vetë audituesit për këtë ligj, profesionalizëm i cili u rrit nga dita në ditë, falë trajnimeve te realizuara nga vet KLSH, punës hap pas hapi, por dhe diskutimeve në grup. Në mënyrë të vazhdueshme në Vendimet e miratuara nga Kryetari i KLSH, zënë një rubrikë të veçantë rekomandimet në drejtim të përmirësimit të sistemeve të kontrollit të brendshëm dhe masave organizative që duhet të merren nga menaxherët në drejtim të efektshmërisë së elementëve të të 5 komponentëve të menaxhimit financiar dhe kontrollit, si efektshmëria e strukturave organizative, rregulloret e brendshme të funksionimit dhe specifike në drejtim të miradministrimit të procesit të shpenzimeve, linjat e ngritura për denoncimin e shkeljeve dhe procedurat e vendosura antikorrupsion, delegimit të kompetencave, trajnimet e vazhdueshme të punonjësve dhe veçanërisht të stafeve menaxheriale për një kuptim të drejtë të ligjit, raportimit nga poshtë lart, informimit dhe mbikëqyrjes së realizimit të objektivave duke identifikuar risqet dhe marrjen e masave për minimizimin e tyre. Gjithashtu gjatë auditimeve nga Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkohet dokumentacioni i plotësuar nga subjektet në drejtim të zbatimit të kërkesave të ligjit dhe manualit në fuqi, si strategjitë, objektivat, regjistri i riskut dhe masat e marra në drejtim të minimizimit të risqeve, pyetësorët e vetëvlerësimit dhe raportet mbi vlerësimin e gjendjeve të sistemeve të menaxhimit financiar dhe kontrollit dhe funksionimit të tyre.

Referuar rezultateve të auditimeve rezulton se përgjithësisht në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, ligji kuptohet drejt dhe implementimi dhe zbatimi i kërkesave te ligjit është në vija të përgjithshme korrekt, pavarësisht mangësive të rezultuara në disa raste si rezultat i funksionimit formal në zbatim të ligjit. Por në këtë proces me mangësi të theksuara në dije, kuptim si dhe formalizëm në pasqyrim të dokumentacionit të kërkuar dhe plotësuar paraqiten njësitë e nivelit të dytë dhe të tretë të qeverisjes qendrore, njësit lokale ashtu dhe shoqëritë tregtare publike. Nga ana e menaxherëve të programeve apo të shoqërive tregtare nuk ka një mendim të qartë në lidhje me komponentët e Menaxhimit Financiar dhe Kontrollit dhe rëndësinë e funksionimit të sistemeve të kontrollit të brendshëm, nuk ka një kuptim të qartë në lidhje me strategjinë e riskut si dhe regjistrin e riskut të njësive që ato drejtojnë, nuk kanë një mendim të plotë në lidhje me faktin se vetë ato, në rastet kur titullarët janë nëpunës autorizues të institucioneve, (njësive publike) apo shoqërive tregtare janë përgjegjës për menaxhimin e risqeve me qëllimin e vetëm të realizimit të objektivave të njësisë. Në këtë drejtim një përgjegjësi të madhe konform kërkesave të ligjit, kanë nëpunësit autorizues të institucioneve qendrore (sekretarët e përgjithshëm) të cilët duhet të sigurohen që sistemi i menaxhimit financiar dhe kontrollit, funksionon në të gjitha institucionet e vartësive të institucioneve qendrore. Në të gjitha këto raste audituesit kanë identifikuar të metat të cilat kurdoherë janë shoqëruar me rekomandimet përkatëse. Në këtë proces Kontrolli i Lartë i Shtetit duke audituar, njëkohësisht hap dritare dijesh, nëpërmjet kërkesave dhe rekomandimeve për interpretim dhe zbatim korrekt të ligjeve në fuqi, funksion që do ta kryejë rigorozisht në çdo kohë dhe subjekt auditimi. 
Audituese e Lartë

Nikoleta PIRANJANI 
Sigal