“Për njeri-tjetrin”, një këngë e dashur si “Gajdexhiu”

1144
Sigal

 INTERVISTA/ Flet këngëtari i muzikës popullore Artan Kola për projektet e tij

-Klipi i fundit “Për njeri-tjetrin”, çfarë përcolli tek fansat?

-Ka një fluks të paparë të dëgjuesve të këngës popullore dhe të fansave tanë që po na ndjekin. Për më tepër, atë, mund ta shihni në “You tube”..  .

-Kush janë bashkëpunëtorët në këtë klip kaq interesant?

-Kënga është duet, ku unë këndoj me këngëtaren e mirënjohur kosovare Nazife Bunjaku. Tekstin e këngës e ka bërë Arsim Bunjaku dhe kompozitor është Alfred Sula.

-“Veç ti ke zemër” titullohet klipi juaj i mëparshëm. Si është pritur në treg?

Është pritur si mos më mirë.  Ka një titull komercial. Flitet për femrat interesaxhie, femrat që dashurojnë për lek dhe jo njeriun. Pra është trajtuar një problem i kohës, i cili në Shqipëri po bëhet shumë i përhapur. Klipi është realizuar duke pasur parasysh tekstin. “Hajt moj çikë sa të kam prit” është një varg i tekstit me tekst të Zhakut.

-Kjo është këngë tipike popullore veriore?

-Po. Unë jam verior dhe disa nga këngët më të bukura i kam me muzikë nga treva ku jam rritur. Sigurisht, duke testuar tregun dhe aty ku unë kam më shumë simpatizantë dhe fansa.

-Në qoftë se do të bënim një krahasim mes këngëve popullore jugore, veriore dhe Shqipërisë së mesme kush është më e kërkuar në treg?

-Dua të jem i sinqertë. Deri para një viti kënga popullore jugore dominonte në treg, ndërsa tani supermacinë e ka këngë popullore veriore.

-Ndaj e bëtë këtë klip?

-Sigurisht. E thashë dhe më lart. E kam bërë për treg. Është këngë tregu që ka gjetur terren edhe në jug. Kam pas shumë kërkesa për ta kënduar nëpër aktivitete, koncerte, dasma. Po të shikoni në You Tube është shumë i klikuar ky klip.

-Artani dhe “Maratona e këngës popullore” e parvjetshme ?

-Maratona mbetet maratonë. Është një nga aktivitetet më të rëndësishme të këngës popullore pavarësisht se këtë vit nuk mora pjesë. Ajo është një ndër aktivitete më të rëndësishme të këngës popullore, për vite me radhë, që ballafaqon këngëtarët e kësaj gjinie. Por do të thosha se këtë vit dominoi plotësisht kënga popullore jugore. Kjo duhet të kihet në konsideratë.

-Si erdhi tek ju kënga e ‘Gajdexhiut’?

-Erdhi fare rastësisht. Unë kam pasur një dyqan kasetash tek lagja “21 dhjetori”.  Një ditë më vjen në dyqan një vajzë kineze, e re dhe më flet në shqip. Zotëri dua këngën “Bjeri gajdes, gajdexhi dhe Dasma e malësorit”. Hapa sytë. Thashë se mos tallej. Por nga mënyra e kërkesës ajo dukej shumë e sinqertë dhe shumë e prerë. Ngrita supet. Ajo duke parë habinë time më thotë se në Kinë, e para është një nga këngët më të dëgjuara. Thuajse një këngë hit. E shihja si i hutuar. Çuditë me atë femër s’kishin të sosur. Ajo duke qeshur më thotë. Në radion nacionale kineze çdo ditë jepet gjysmë ore këngë nga Shqipëria. Këto këngë që po kërkoj dëgjohen shumë. Unë i kam dëgjuar me dhjetëra herë më thotë. Fillova të kërkoj gjithandej në dyqan, por gajdexhiun s’e gjeta. Pas shumë kërkimesh në një cep gjeta këngën “Dasma e malësorit”, të kënduar nga Sali Brari.

Më vonë kërkova në radio, kërkova në miq dhe e gjeta. I mora të dy këto këngë dhe fillova orkestrimet. Mendova të bëja një punë serioze. Unë dikur i kisha dëgjuar këto këngë, por asnjëherë ç’më kish shkuar ndërmend se do kishin sukses. Duhej punë për orkestrim dhe përpunim. Fillova punën në mënyrë shumë serioze. Pas ca ditësh  në dyqan më vjen muzikanti Mond Mancaku me Tish Dain. Ishte viti 2002. U prezantuam. Ishte kënaqësi që takova këtë kompozitor të madh. Përfitova nga rasti dhe i thashë prof. Tish Daisë: Profesor, kam ripunuar një këngë, a mund ta dëgjosh? Po,- më tha. I  vë këngën e gajdexhiut. Pasi e dëgjoi, më thotë, vendose dhe njëherë. E vendosa. Ai dëgjonte dhe filloi të lotonte. Pas pak më thotë: A e din se kush e ka bërë këtë këngë? Jo, -i thashë. -Kjo këngë është e imja. E kam kompozuar në vitin 1962. Në fund më thotë të lutem ma jep këtë CD me autografin tuaj. Ja dhashë. Iku i lumturuar.

-Keni ndonjë projekt?

-Po. Po përgatis në një version të ri këngën e bukur Shkodrane “O zambak, zambaku i bardhë”. Është një këngë që më pëlqen shumë dhe që këndohet në çdo dasmë në veri. Ajo ka muzikalitet, por edhe një tekst shumë interesant.

-Cila muzikë është në modë tani?

-Muzika “Hauz”. Një muzikë që tashmë ka mbuluar tregun. Këngën e fundit me këtë lloj muzike do ta bëj. Më pëlqen shumë. Është një muzikë me ritëm. Pra ndërtohet mbi muzikën popullore, por më ëmbël dhe më me ritëm. Ka një magji që të mbërthen.

-Sa këngë ka në repertorin e tij Artani?

Plot 87 këngë që shumë prej tyre nuk janë në albume. Por i kam të regjistruara veç. Sa herë bëj një këngë të re them se nuk kam bërë gjë. Pra kërkoj të renë, të mirën.