Naim Frashëri, apostull i shqiptarizmit

1222
Sigal

“Ti Shqipëri më jep nderë, më jep emrin shqiptar”

Naim Frashëri u lind më 25 maj 1846 në Frashër. Mësimet e para i mori pranë teqesë bektashiane të fshatit në gjuhët shqip, arabisht e turqisht. Përfundoi me rezultate të shkëlqyera gjimnazi “Zosimea” të Janinës. Përvetësoi greqishten e vjetër dhe të re, latinishten, frëngjishten, italishten e persishten. Gjatë viteve 1872-1877 shërbeu nëpunës në Berat e Sarandë. Më 1880, kur veprimtaria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte në kulmet e saj, shkroi poemën “Shqipëria”, në të cilën shpalli idetë themelore të Rilindjes. U shqua veçanërisht për lirikat patriotike dhe njohuritë e thella filozofike. Në vitin 1881 u rikthye në Stamboll. Naimi i kushtoi jetën çështjes tonë kombëtare. Botues i revistave “Drita” e “Dituria”, të cilat me vjershat, poemat, prozat e shkurta, përrallat, fabulat etj. të krijuara e të përkthyera nga ai u bënë burim kryesor dijesh për shkollat e para shqipe. Botoi poemën e famshme “Bagëti e Bujqësi”, “Vjersha për mësonjëtoret e para”, “Histori e përgjithshme”, “E Këndimit çunave këndonjëtorja” dhe poemën greqisht “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”. Më vonë “Dituritë, “Lulët e verës”, “Historia e Skënderbeut”, “Historia e Shqipërisë”, “Qërbelanë” etj.. Ai, përkrah Samiut e Kristoforidhit, luajti një rol me rendësi për  pasurimin e shqipes letrare, duke u mbështetur kryesisht në gurrën popullore të dialektit të Toskërishtes, të çilen e shkroi  të pastër në lartësinë e një gjuhe të kultivuar. Vdiq me 20 Tetor 1900 në lagjen Erenqoj të Stambollit i brengosur që s’e pa dot atdheun e çliruar. U përcoll me nderime të mëdha për në banesën e fundit. Apostulli i shqiptarizmit ngriti peshë ndenjët patriotike të bashkatdhetarëve duke i prekur thellë në thelbin e damarëve të shpirtrave të tyre. Në mënyrë superlative i këndoi bukurive magjepse të natyrës dhe romantikës së përditshme të fshatit me synim “gatimin” e ndërgjegjes kombëtare. Ai i nxiste bijtë e “shqiponjës”, kudo ku banonin, që të mendonin dhe të punonin për një të ardhme më të mirë në tokën mëmë duke theksuar se: “vetëm me punë e dije arrihet gjithçka.” Naim Frashëri dëshironte emancipimin politik e shoqëror të shqiptarëve pa dallim krahine, feje e ideje në luftë kundër errësirës mesjetare. Në poezinë ” Korça” përshëndet bashkëkombësit e vetë për hapjen e shkollës së parë shqipe laike, lajmëtare e pranverës së lirisë e të përparimit, në qytetin me tradita të shquara patriotike dhe kulturore të qytetit të Korçës me 7 Mars 1887. ” O vëllezër shqiptarë/ gëzohi që erdh kjo ditë,/ kaq e mirë dhe kaq e mbarë,/ pa sjell gjithë mirësitë. Gjuha jonë sa e mirë!/ Sa e ëmbël! Sa e gjerë!/ Sa e lehtë! Sa e lirë!/ Sa e bukur! Sa e vlerë! Poeti ynë kombëtar i këndoi me të gjitha forcat e shpirtit qiriut, “pikë kondensimi” marramendësisht e vogël, qindra miliarda zero pas njëshit herë, e jetës, zjarrit dhe e dritës së yjeve të Universit. Ai u bë simbol  i emancipimit shoqëror, katalizator i ringjalljes së ndërgjegjes kombëtare dhe burim shprese për ditë më të mira. “Në mes tuaj kam qëndruar/ e jam duke u përvëluar,/që t’ju jap pakëz dritë,/ natën t’ju bëj dritë. Erotikat virgjëra të poetit tonë të shkëlqyer na kujtojnë shijen e ëmbël të mjaltit të bletëve alpine, freskinë e mëngjeseve pranverore, melodinë mahnitëse të zogjve të pyllit dhe ngrohtësinë magjike të ndjenjave intime të dashurisë së parë të pa fat, të brishtë e tronditëse ashtu si vuajtjet e brengat e tij. Cikli “Bukuria” përfshihet në përmbledhjen poetike “Lulet e Verës”. Në  këtë cikël janë shkrirë në një Natyra, Bukuria Universale dhe ajo e Vashës. Atje ku lulëzojnë humanizmi, mirësia e bukuria, në mes tyre në çdo moment, me hiret dhe mrekullitë e saj, ndodhet Perëndia, thotë Naimi. Një vepër tjetër e madhe dhe fuqishme është Historia e Skënderbeut, e cila u “gatua” me “brumin” e ndjenjave liridashëse të popullit dhe u “poq” në “furrën” e dashurisë së pakufishme për atdheun.

Luigj TEMALI