“Mozaiku më i madh i Ballkanit” një dokumentar dinjitoz

694
Sigal

FILMI/ Çifti Droboniku që punoi afresket në Katedralen Ortodokse në qendër të Tiranës

Sapo mbaron së projektuari në ekran dokumentari “Mozaiku më i madh i Ballkanit” e ndjen se je përfshirë nga emocione të mrekullueshme që t’i ka krijuar realizimi i një vepre dinjitoze. Ai është një film që i përket njërit prej nesh, në rrugëtimin e viteve të brishta të demokracisë. Në rastin konkret është historia e artistit që përjetoi përthyerjen e madhe nga monizmi në demokraci duke dalë fitimtar. Ajo që kishte shfaqur dikur çifti i artisteve Droboniku ishte vetëm maja e ajsbergut …Pjesa më e madhe dhe e pazbuluar do vinte më vonë, pikërisht në vitet e demokracisë, kur ata pa u diktuar nga askush, do të bënin atë gjë, që mori vlera të  artit të vërtetë, që do ju shërbejë brez pas brezi njerëzve, në plotësimin e nevojave të tyre shpirtërore. Filmi dokumentar fillon me Katedralen ortodokse në qendër të Tiranës, që i shtohet si një vlerë e vërtetë akitekturore konstruktit të ndërtesave në qendër të kryeqytetit dhe kupola e kësaj katedrale të famshme mban si të mbërthyer në qiell, veprën madhore të piktoreve mozaicistë monumentale, Josif e Liljana Droboniku, që na e shfaqin Zotin e plotfuqishëm, me një realizim dinjitoz artistik. Liljanën e kam njohur që në kopsht ndërsa Josifin e kam njohur kur punonim bashkë në Kinostudion “Shqipëria e re”. Ndjeva krenari për punën e mrekullueshme krijuese të këtij çifti në emigracion, kur kishin përballuar me një punë të madhe voluminoze  e aq bukur të realizuar artistikisht në pikturimin e dhjetëra kishave në Kalabri. Spektatori e prek me dorë suksesin e madh të këtij çifti artistësh me pikturime në teknikën e ikonës dhe të  afreskut bizantin me një talent që sjell pranë  mjeshtërinë e të madhit piktor të Mesjetës, Onufri. Dokumentari sjell me emocion jetën e tyre me golgothane e përpjekjeve të para të mundimshme… Të mbetet në mendje ai fakt prekës biografik ,kur familja duke kaluar në Itali në mes të dimrit të egër, nuk i hapej as dhe një portë hoteli…Po ja diku pranë njeriut të mirë është engjëlli shpëtimtar. Një familje italiane në veri i hapi derën e shtëpisë, të mallëngjyer veçanërisht nga dy vajzat e vogla që rrinin të tronditura mes dëborës…Ndërsa në një çast tjetër kur çifti i lodhur e kishte vendosur për kthim në atdhe,rrugës në tren marrin një adresë të një prifti në Kalabri, që mund t’i ndihmonte, duke punuar në profesionin e tyre… Kështu ndodhi çudia, çifti Droboniku me artin e tyre u bë aq i dobishëm në Kalabri sa zbukuruan jetën e besimtarëve me pikturimin e shumë kishave në vendin e gjakut të shprishur… Atëherë fama e tyre morri dhenë dhe ra në vesh edhe të Fortlumturisë së tij, kryepeshkopit ortodoks të Shqipërisë, zotit Anastas Janullatosi, i cili i besoi çiftit të artistëve shqiptare një punë të madhe, si autorë të mozaikut më të madh të Ballkanit. Katedralja e objektit më të madh të kultit për ortodoksët në Shqipëri, në kupolën e saj do të mbante si punë artistike mozaikun gjigant të punuar nga çifti Droboniku, që do të vinin nga Kalabria në Tiranë. Në këtë punë do përfshiheshin edhe 2 vajzat që tashmë janë bërë krah të prindërve të mirë, si dhe një ansambël i vogël ekzekutuesish, që do punonin plot pasion e përkushtim. Dhe ne ndjekim me interes kuadër pas kuadri si ngrihet Katedralja e madhe e ortodoksëve me një përkujdesje të vazhdueshme prindërore të Fortlumturisë së Tij, z.Janullatosi, që mbas ngritjes së rrjetit të plotë të kishave ortodokse në të gjithë Shqipërinë e Jugut, ku ato ishin shkatërruar, arriti këtë vepër kulmore në qendër të kryeqytetit shqiptar,Tiranës. Në një nga intervistat e Tij në film Ai thotë mes të tjerave se tre janë çelësat e suksesit të një vepre të madhe:dashuria, bukuria e vërteta!Grupi realizues i këtij dokumentari me skenar të Ylli Drishtit, dirigjohet me mjeshtëri nga regjisori i njohur, Artisti i Merituar, Ylli PEPO. Operoator është Fatjoni, montazhi Vangjush Furxhi dhe kompozitori i talentuari Turku deri tek folësit e ndryshëm por sidomos tregimtari tërheqës Xhelil Aliu, i japin filmit të gjithë së bashku, firmën e një vepre me vlera të veçanta  emocionale. Dhe nuk është e rastit që regjisori e gjen të arsyeshme të bëj përqasje të Katedrales madhështore të Tiranës me vepra me vlera të rralla arkitektonike në Europë, si në Venecia, Paris e Londër, për t’u përqendruar më shumë deri tek Katedralja e Shën SOFISE në Stamboll! Kjo është një e vërtetë e bukur e prekshme me kuadro të rrëmbyera në çaste të ndryshme, në qiell me re , në muzg apo në agim. Kambana e kishës madhështore e rrethuar me drita tingëllon ëmbël duke I thirrur besimtarët për lutje ndaj Zotit.

Intervistat e filmit plotësojnë bukur jo vetëm informacionin e bukur për jetën e çiftit të artistëve Dobroniku, por edhe për vetë historinë unikale të ndërtimit të Katedrales së shenjtë.

Filmi sjell shumë mesazhe të rëndësishme. Regjisori Ylli Pepo, duke qenë një erudit i gjuhës së filmit kësaj radhe  ka përdorur edhe një gjetje të bukur figurative emocionale…Ne e shohim Tiranën nën vellon e një ngjyre të kaltër,si një dritë qiellore…Edhe vetë mozaiku në kupolën madhështore të Katedrales është qëndisur në një sfond të kaltër…I PLOTFUQISHMI ZOT I QIELLIT DHE I TOKES vjen me kulminacione të gjuhës shprehëse artistike!

Filmi “Mozaiku më i madh i Ballkanit” ishte një dhuratë e bukur  në prag të festës së madhe popullore të Krishtlindjeve.

Duke pare këtë film e kupton më mirë se vetëm nga dashuria për Zotin e për njeri -tjetrin, vjen bukuria e jetës njerëzore.

 Angjelina Papalilo-kineaste