Monumenti “Nënë Shqipëri” i nxirë, qeveria shpenzon miliona për lustrokracinë e fasadave

1229
Sot, zyrtarët e lartë të shtetit dhe të institucioneve shtetërore, do të jenë veshur me kostumet festive, do të hedhin edhe parfumet, Clive Christian dhe Idylle/Guerlein (ku një shishe kushton sa një shtëpi) dhe tërë solemnitet do të vendosin kurora dhe lule te monumenti “Nënë Shqipëri”, natyrisht, duke u përkujdesur shumë që shoferët e tyre të fiksojnë në celular foton festive, për ta shpërndarë, paskëtaj, gjithandej, nëpër rrjete sociale, si merita e madhe e ushtrimit të pushtetit të tyre. 
Mirëpo, gjatë gjithë kësaj ceremonie festive zyrtare, pushtetarët nuk do të guxojnë që të ngrenë sadopak sytë lart, për të parë “Nënë “Shqipërinë”, sepse nuk do kenë moralin që ta shikojnë, ashtu siç e kanë katandisur arrogance, shpërfillja dhe tallja e pushtetit që ata ushtrojnë. Sepse, po të ngrijnë sytë e të shikojnë monumentin “Nënë Shqipëri”, këta pushtetarë, që sot do të vendosin lule dhe kurora, mbi “Nënën Shqipëri” është hedhur, si një vello, një cipë e zezë e skorieve dhe e erozionit të kohës, ndikuar edhe nga kushtet atmosferike. Ajo ngjyrë e bardhë, që kishte fillimisht monumenti “Nënë Shqipëri”, është zverdhuar e nxirë sa, duke e parë ashtu, monumenti “Nënë Shqipëri”, të duket, sikur përsipër saj, është hedhur një vello e hirtë, e nxirjes nga ndotja e moralit të pushtetarëve ndaj Historisë, ndaj gjakut të martirëve të lirisë, ndaj heroizmit që dëftoi populli ynë në luftërat kundër pushtuesve. Por, më shumë se nxirja nga koha, ajo njollë e zezë mbi trupin e Nënë Shqipëri, është turpi ynë! Është turpi i shpërfilljes të të gjithëve, në gjithë ndërkohën tonë. Është njësoj, sikur ne, me shpërfilljen tonë, nxijmë sot, atë gjak të kuq që dhanë bijtë e bijat e popullit, kundër Atdheut. Që ne, brezat e mëvonshëm, të gëzojmë atë liri, që na solli gjaku i Dëshmorëve dhe Heronjve. Që ne ekzistojmë, që ne jetojmë sot të lirë, është çmimi i gjakut që Dëshmorët dhe Heronjtë tanë dhanë në luftë.
Mirëpo….
Askush, nga të gjithë politikanët, presidentët, kryeministrat, kryeparlamentarët, deputetët, që kanë bërë çdo 28 dhe 29 Nëntor, paradën e homazheve, nuk i kanë bërë aspak përshtypje nxirosja, përherë e më shumë e monumentit “Nënë Shqipëri”. 
Ndërkohë, që…
Qeveria aktuale në këto 2 vjetët e qeverisjes, edhe pse është e Majtë, edhe pse baza e fuqishme elektorale e saj janë veteranët, janë familjet e dëshmorëve, janë ushtarakët, nuk i ka hedhur aspak sytë te monumenti “Nënë Shqipëri”, që ta pastrojë nga të nxirat dhe erozioni i kushteve atmosferike, nuk është përkujdesur asnjëherë, nuk ka harxhuar asnjë qindarkë, që të mirëmbajë varrezat e dëshmorëve të Atdheut, të ringrejnë lapidarët që i gremisën kolaboracionistët e kohës sonë. Përkundrazi. Kjo qeveri e Majtë po shpenzon miliona euro, të marra nga taksat e popullit, nga borxhet që merr nga institucionet e huaja ekonomike, për të ngritur luksokracinë e fasadave të institucioneve, të zyrave të drejtuesve të këtyre institucioneve, harxhon 30.000 euro në vit, vetëm e vetëm që të mirëmbajë “Jaguarët” e ministrave
Nuk besoj, se çdo shqiptar sot do të ndjejë më shumë turp, se kaq, kur përballë sakrificës më supreme të Heronjve dhe Dëshmorëve që dhanë jetën e tyre për Atdheun, të mos mundet sot- apo të mos dëshirojë- që të pastrojë- të paktën-nxirjen nga e zeza të monumentit “Nënë Shqipëri”. Dhe jo vetëm, teksa shikon mermerët e varreve të Dëshmorëve dhe Heronjve të prishur, e të nxirë edhe ato, teksa shikon murin e Varrezave të Dëshmorëve të Atdheut të rrënuar e të gremisur. Ai monumenti “Nënë Shqipëri”, nuk është thjesht një monument kulture, por është vetë Historia e Shqipërisë. Duhet të na brejë ndërgjegjja të gjithëve, për atë nxirje të turpshme, që po mbulon të gjithë monumentin “Nënë Shqipëri”, te Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut!


Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf datë 28.11.2015
Sigal