Mimoza Haxhiaj:Lideret gra çojnë në një qeveri më demokratike dhe më të përgjegjshme

940
Sigal

INTERVISTA/Flet Mimoza Haxhiaj, gazetare, zëdhënëse e Rrjetit  Kombëtar të Grave të Shqipërisë “Barazi në Vendimmarrje” 

Mimoza Haxhiaj me profesion gazetare ka mbaruar studimet në Universitetin e Tiranës për degën Gjuhë-Letërsi. Specializimin për gazetari e ka ushtruar në Agjencinë e lajmeve ANSA në Romë. Sapo kam mbaruar studimet për Marrëdhëniet Ndërkombëtare  në Bari/Itali. Sipas sa, grave sot u mohohet pjesëmarrja e plotë dhe e barabartë në procesin demokratik brenda partive politike.  Ekziston një padrejtësi e madhe, partitë politike duhet të bëjnë më shumë në lidhje me respektimin e kuotës gjinore, pasi do të jetë një pjesë integrale që do të sjellë ndryshim.

Kohët e fundit është diskutuar shumë për përqindjen e femrave në listat e kandidatëve për deputetë, madje partive kryesore u është tërhequr vëmendja në këtë drejtim (30%). Pse ky nënvleftësim nga partitë politike për rolin e femrës dhe angazhimin e saj në politikë? 

Listat e kandidatëve lenë për të dëshiruar përsa i përket përfaqësimit të grave dhe vajzave. Gratë vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara në politikë edhe pse në korrik të vitit 2008,  hyrja  në fuqi e Ligjit Nr. 9470  futi në legjislacionin zgjedhor një kuotë gjinore dhe forcoi  dispozita të caktuara që nëse respektohen, mund të çojnë në zgjedhjen e më shumë grave në poste politike. Grave sot u mohohet pjesëmarrja e plotë dhe e barabartë në procesin demokratik brenda partive politike.  Ekziston një padrejtësi e madhe, partitë politike duhet të bëjnë me shume në lidhje me respektimin e kuotës gjinore, pasi do të jetë një pjesë integrale që do të sjellë ndryshim. Por përveç problemeve me numrin e grave kandidate, platformat e partive nuk ngrenë zë në adresimin e çështjeve të mëdha që prekin gratë si kushtet socio-ekonomike dhe papunësia.  Gratë nga të gjitha sferat e spektrit politik kanë besim të ulët tek kryetarët e partive, në marrjen parasysh të kontributeve  aktuale të grave në arenën politike dhe në vullnetin e tyre për të caktuar gra në pozicione lidershipi brenda partive. Partitë politike duhet të përfshijnë në platformat e tyre politike, fuqizimin ekonomik të grave, qasjen në siguri dhe drejtësi dhe përfaqësimin e tyre në politikë.

Një gjobë ndaj partive për 30 %-shin e femrave  kandidate për deputete, mendoj se nuk është një masë radikale për respektimin e femrës. Po mendimi juaj cili është dhe a ka masa më të rënda në këtë drejtim?

Nevojitet një fushatë  qytetare  për të rritur të drejtën e  grave si kandidate dhe si votuese. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve  duhet t’i bëjë më të rrepta sanksionet, jo vetëm një gjobë që shkon ndaj partive për mos respektim të kuotës, por edhe refuzimin e një liste kandidatësh nëse ajo nuk përputhet me ligjin e kuotës. Partitë politike, si aktoret kryesore në arenën politike dhe vendimmarrëse në vend, duhet të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të luajnë rolin e pazëvendësueshëm në përfshirjen e grave në politikë dhe përfaqësimin e tyre me shanse te barabarta duke filluar që në strukturat partiake e deri në ato ligjvënëse, qeveritare dhe vendimmarrëse, pjesë e së cilës ato bëhen apo kontrollojnë.

 Si mund të realizohet ky 30 %-sh dhe çfarë roli ka luajtur faktori ndërkombëtar në  këtë drejtim?

Qëllimi i punës së ndërkombëtareve  është të vlerësojnë në mënyrë të paanshme përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013, të vlerësojnë klimën e përgjithshme politike që i jep formë ciklit zgjedhor, të shqyrtojë faktorët e veçantë që favorizojnë apo pengojnë shprehjen demokratike të vullnetit të popullit si dhe të japë rekomandime për të rritur besueshmërinë  te procesi zgjedhor. Meqenëse jemi tek ndërkombëtarët dua  të shtoj se  në të gjitha raportet e dhjetë viteve të fundit mbi zgjedhjet në Shqipëri, BE-ja dhe OSBE-ODIHR kanë konstatuar nivelin e ulët të përfaqësimit të grave në listat e kandidatëve për deputetë, apo për kryetare të njësive vendore. Shifrat flasin vetë, gjatë 22 viteve të fundit në nivelet më të larta drejtuese të PD-së janë promovuar 15 gra nga 14 grave të PS. Vetëm katër gra socialiste dhe një demokrate kanë qenë ministre në këto vite tranzicioni. Nga 35 kryeministra asnjë prej tyre nuk ka qenë grua, nga 15 presidentë asnjë grua dhe po ashtu asnjë grua nuk ka arritur të jetë kryetare e ndonjë partie parlamentare. Në krahasim me standardin Europian që shkon mesatarisht në rreth 40%, gratë shqiptare kishin siguruar vetëm 16%,të vendeve në Kuvend në legjislaturën e vitit 2009-2012.

 Pse gratë në Politikë?  

Përgjigja është e qartë “Lideret gra kanë një ndikim thellësisht pozitiv dhe demokratik në komunitete, qeverisje dhe në jetët e qytetarëve. Sepse kur gratë fuqizohen si lidere, vendet kanë standarde më të larta jetese, gratë politikane inkurajojnë zhvillime pozitive në arsim, infrastrukturë dhe shëndetësi. Sepse gratë janë më të predispozuara sesa burrat të punojnë përtej linjave partiake apo të punojnë me opozitën për të krijuar ligje që janë  në të mirë të të gjithë votuesve. Sepse gruaja politikane shpesh perceptohet si më e ndershme dhe më pak e korruptuar se sa homologët burra dhe ndershmëria e transparenca e tyre çojnë në një qeveri më demokratike dhe më të përgjegjshme. Studimet kanë treguar se sa më i madh të jetë përfaqësimi i grave në parlament aq më i ulët do të jetë niveli i korrupsionit.

Si gazetare, si i mendoni këto zgjedhje, a  është ashpërsuar klima politike në këtë prag zgjedhjesh dhe cilat janë faktorët që e kanë ashpërsuar këtë klimë?

Duke patur parasysh klimën politike që ka mbizotëruar zgjedhjet e mëparshme në Shqipëri, është karakterizuar nga niveli i lartë i armiqësisë partiake, nivel i ulët i diskutimeve publike për çështje themeltare dhe dhunë psikologjike  në periudhën para dhe pas zgjedhore. Konteksti në të cilin po shpaloset ky cikël zgjedhor mund të përshkruhet si premtues. Shqipëria është një shoqëri e hapur, e mbështetur në të drejtat themelore të njeriut mbi lirinë e fjalës dhe partitë politike duhet të zgjerojnë dhe të thellojnë komunikimin e politikave të tyre te qytetarët, në mënyrë që t’u japin  një vizion se si mund të minimizohen pengesat sociale dhe ekonomike që shoqëria shqiptare ka sot.

Gratë dhe Media, sa ndikon në vendim-marrje?

Roli im dhe i gjithë kolegeve të mia është  të informojmë publikun në mënyrë objektive, të japë dhe të mbështesë një imazh të denjë të individit në shoqëri.  Njohja, promovimi dhe zbatimi i barazisë gjinore në media është domosdoshmëri për çdo shoqëri demokratike, pasi ndikon në rritjen e pjesëmarrjes së grave në të gjitha fushat e jetës, veçanërisht në institucionet vendimmarrëse. Realiteti i shoqërisë shqiptare flet për mungesën e theksuar të barazisë gjinore, moskuptim dhe mospranim të saj dhe është detyrë parësore e jona, pra e mediave që të kthehen  në agjente ndryshimi.

Ju si zëdhënëse e Rrjetit  Kombëtar të Grave të Shqipërisë “ Barazi në Vendimmarrje”  a mendoni  se  organizata juaj ka  bërë  ç’është e mundur në këtë drejtim?

Rrjeti i Grave “Barazi në vendimmarrje” e cila përfaqësohet nga zonja shumë të nderuara nga partitë politike, shoqëria civile dhe media nga e gjithë zona e Shqipërisë  sapo ka përfunduar një punë kërkimore për të vlerësuar situatën aktuale  të grave në politikë dhe pozicionet e tyre brenda strukturave vendimmarrëse. Kemi zhvilluar ëorkshope në disa qarqe me aktorë të ndryshëm për të ngritur çështje që i përkasin grave dhe për përgatitjen e rekomandimeve për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Faza e kësaj pune të gjatë është bazuar edhe në advokim, lobim dhe rritje ndërgjegjësimi midis liderëve të partive politike në nivel qendror dhe lokal, votuesve, aktorëve dhe grupeve të interesit. Rrjeti i Grave “Barazi në Vendimmarrje” e drejtuar nga Koordinatorja Kombëtare Edlira Cepani gjatë fushatës zgjedhore dhe pas zgjedhjeve 2013 do të monitorojë dhe do të raportojë mbi zbatimin e dispozitave të kodit zgjedhor përsa i përket kuotave gjinore dhe sanksioneve përkatëse,pozicionin real të grave në zgjedhje si kandidate dhe si votues.

 Rrjete të tilla të pavaruara a mendoni se e justifikojnë plotësisht emërtimin të pavarur nga asnjë kah i politikës?

 Rrjeti përbëhet  nga rreth 120 anëtare gra dhe vajza aktive në parti të ndryshme politike,shoqëria civile dhe media dhe fakti që  po bashkëpunojnë të gjitha për një qëllim të përbashkët që nga viti 2008 nuk ka përbërë problem, përkundrazi kemi punuar të përmirësojmë jetën e grave .

Misioni kryesor i Rrjetit është arritja e barazisë në vendimmarrje dhe fuqizimi i pozicionit të gruas në fushat kyçe të shoqërisë shqiptare. Rrjeti i përkushtohet ndihmës së grave për të qenë lidere efektive veçanërisht në politikë, si dhe për të frymëzuar gratë e reja të bëhen pjesë aktive e politikës dhe e vendimmarrjes.