Mimoza Çobo: Vrapojmë pas kohës moderne

1004
Sigal

Vrapojmë, duke ndjekur nga pas kohën moderne,
siç ndoqi Hitleri hebrenjtë gjer në rrënjët e mendjes,
por supeve kemi pelerinën e varfërisë ekstreme,
kurse kockat po treten nga dhëmbët e heshtjes.

Por ne prapë vrapojmë të kapim kohën moderne,
të lëpijmë nga një kockë nëpër kazanët e botës,
kokën të na e shtypë jastëku me prerje monedhe,
dhe shtratit përpëlitemi të gjejmë trutë e kokës.

Vrapo, thoshte im atë, po kujdes se rrëzohesh,
dhe ku rrëzohesh s’e zgjedh ti vendin, por koha,
prandaj mate fuqinë e hapit, të mos pendohesh,
se po re e theve turinjtë, as dorën s’ta jep bota.

Dua ta ndërroj pelerinën me ty botë moderne,
ç’flas dhe unë, kush ma merr këtë dreq pelerine?!
Njëherë ta provoja ndoshta shtatin më ndreqte,
ta ndërroja lëkurën, jo sa gjarpri, por një dekikë.

Vrapojmë të kapim ëndrrat e kohës moderne,
në fund të fundit, s’kemi se çfarë humbasim pastaj,
të paktën, një metër varr mos t’na lënë në ledhe,
se qentë do na hanë e kockat e do na i shpërndajnë.