Maman Saliu, nderim komandantit trim

526
Nga Ismail SKEJA*

Me rastin e 95-vjetorit të lindjes së Maman Saliut
Nëna kalabreze kur i lind djalë ia kthen kokën nga Karaburuni dhe i pëshpërit: ”Andej janë malet tona”. Nëna vlonjate ia kthen kokën fëmijës nga Kalabria dhe i thotë: “Gjaku ynë është edhe matanë këtyre brigjeve”. Nënë Fatua, gruaja e Heroit të Popullit dhe Nderit të Kombit, Sali Vranishti, kur i lindi Mamani, djali i vetëm i saj, më 15 Maj 1922, ia ktheu kokën, jo vetëm nga Kalabria, por edhe nga Preveza, Shkodra, Kosova e Dibra. Nder dhe respekt për këtë nënë, që rriti dhe edukoi këtë djalë jetim, qysh nga mosha 4 vjeçare. Maman Sali Vranishti varfërinë e tejskajshme ekonomike, i vuri detyrë vetes ta kompesonte me pasurinë intelektuale. Për këtë bëri shkollën fillore në fshatin e lindjes, në Vranishtin e Lumit të Vlorës. Më pas ndoqi shkollën plotore dhe atë Tregtare në qytetin e Vlorës. Si një nga organizatorët e rezistencës antifashiste në fshatin e tij, në korrik 1942 arrestohet në Vlorë së bashku me Heroin e Popullit Mumin Selami dhe izolohet në burgun politik të Tiranës. Me daljen nga burgu, në fund të vitit 1942 militon në radhët e PKSH dhe angazhohet maksimalisht për ngritjen e strukturave të luftës në Vranisht. Duke vlerësuar cilësitë e tij politike, organizative, morale e fizike, Komiteti Qarkor i Vlorës i beson në gusht 1943 komandën e çetës partizane, që mori emrin e babait të ti, Sali Murat Vranishti. Që nga kjo kohë, ai nisi të ecte me pushkë në krah në gjurmët e të atit, i cili pat luftuar kundër osmanlinjve, andartëve grekë, okupatorëve italianë, shovinistëve serbë dhe falangave që sollën Zogun në fuqi. Një jetë e tërë në luftë, prandaj populli e fiksoi me vargjet: ”Kapedan Sali Vranishti,/ Sa rroi, i punoi gishti”. Në ecurinë me armë në dorë si luftëtar e komandant, në çetën partizane “Sali Vranishti”, batalionin “Halim Xhelo”, Grupin e Parë të Zonës Operative Vlorë-Gjirokastër apo në radhët e Brigadës së Pestë Sulmuese, Mamani do të marshonte e luftonte që nga Libohova, Drashovica, Këlcyra e deri në Kabash të Leskovikut, ku në luftimet për mbrojtjen e Kongresit të Përmetit do të plagosej rëndë, duke marrë 13 plagë në trup. I shkëputur nga radhët e Brigadës për tre muaj, për arsye se mjekohej nga një spital partizan në tjetrin, pa u shëruar plotësisht, bashkë me Heroin e Popullit Hysen Çino nisen nga Piluri i Himarës në drejtim të Brigadës, që operonte në zonën e Kukësit. Pas një udhëtimi prej tetë ditësh në këmbë, i bashkohen formacionit të tyre partizan në Bicaj. Qysh nga shtatori i vitit 1944, kur i ngarkuan detyrën e komisarit politik të batalionit të parë e deri në mars 1945, në krye të 500 partizanëve do të luftonte për lirinë e Kosovës dhe tokave jugosllave. Në Kosovë, ai përçoi frymën e patriotizmit vlonjat, por mori njëkohësisht atdhetarinë kosovare, jehonën e thirrjeve luftarake të Sul Vokshit, Idris Seferit, Sef Koshares, Azem Galicës; gjeti mesazhet e plakut të maleve Bajram Curri dhe të Hasan Prishtinës e Isa Boletinit, që ngritën flamurin e pavarësisë në krah të Plakut të Vlorës. Luftimet në të dyja anët e trojeve kombëtare, janë ngjizim i trimërisë shqiptare, ndaj rrebeshet e kohës nuk e përthanë dot thelbin patriotik. Nderi dhe dinjiteti tek shqiptari janë në shkallën më të paimagjinueshme kur liria kërkohet me çdo çmim, prandaj tabani i kombit shqiptar mbetet i pandryshuar. Dhe një nga ata burra që ia lartësuan nderin dhe dinjitetin kombit shqiptar, pa mëdyshje që është edhe Maman Saliu. Me çlrimin e Atdheut, Mamani vijoi karrierën ushtarake në një sektor sa të vështirë, aq edhe delikat, siç qe ai ruajtjes dhe mbrojtjes së integritetit territorial të vendit. Ishte 24 vjeç kur drejtonte forcat e Mbrojtjes së Popullit të qarkut të Shkodrës, për të marrë më pas komandën e forcave të Kufirit Tokësor të Jugut, atë të Brigadës së Sigurimit të Shtetit, që ishte e shtrirë në gjithë vendin, Brigadën kufitare të qarkut të Kukësit e detyra të tjera të rëndësishme në aparatin e Ministrisë së Brendshme. Shërbeu nga cepi më cep të Atdheut, në mbrojtje të hapësirës shqiptare nga kërcënimet e brendshme dhe ato të huaja, sepse ky ishte edhe mëkimi që i dha nëna qysh në djep, sepse ky ishte edhe amaneti që i kish lënë babai. Te Mamani ishin akumuluar traditat luftarake të popullit në rrjedhat e historisë. Por krahas “Akademisë popullore”, ai kreu edhe Akademinë”Xherxhinski” në Moskë në vitet 1957-1961, ku ai studioi me pasion dhe u armatos me dije të konsoliduara profesionale. Një muaj para se të diplomohej, përzihet nga Bashkimi Sovjetik si element i padëshiruar, sepse atdhetarizmi i tij do të ngrinte krye kundër diktatit rusomadh ndaj shtetit dhe popullit tonë. Ky qëndrim i tij, ndonëse u quajt i mirë në dukje nga drejtuesit e dikasterit, realisht nuk u vlerësua drejt. Kjo shpjegohet me faktin se atë e emëruan në Sarandë, në detyrën që kishte pasur pa shkuar në Moskë. Më 18 Mars 1966, ai del në rezervë, pasi mori iniciativë për të shkuar vullnetarisht familjarisht në vendlindje, për të kontribuar si militant shoqëror. Kthehej në Vranisht pas 23 vitesh. Ish shefi i Mamanit, i ngritur në përgjegjësi të larta shtetërore e partiake, që gjatë luftës kishte qenë bashkëluftëtar i ngushtë me të, lejoi largimin e tij në moshën 44 vjeçare, pavarësisht se qe kuadër me arsim të lartë profesional dhe politik. Sjellja shembullore e Mamanit, korrektësia, dinjiteti dhe nuancat e krenarisë u bënin sfidë eprorëve të tij. Jo më kot, poeti i shquar popullor Lefter Çipa do t’i këndonte këtij burri: “Xha Maman të kam sevda,/ Për ato vetullat me krah/ Se mbi to barutë ka”. Maman Saliu ishte njeri i drejtë dhe i sinqertë. Në dokumentin 15/03/1954 iniciohet fshehur një vërtetim biografik për të, për të bërë krahasimin me ato që kishte shkruar vet Mamani më parë. Konkluzioni: ”Nuk ka asnjë ndryshim”. Në një nga vlerësimet e punës së tij, midis të tjerash thuhet: ”Është inteligjent, i zgjuar, orientohet shpejtë në situata të vështira, është pa vese, i disiplinuar dhe i ndershëm. Nga ana e iniciativës, mprehtësisë dhe organizmit në punë ka pjekurinë e nevojshme”. Si e metë i vihej në dukje që është “tip i rëndë në prezencë”. Po. Kjo ishte e vërtetë. Mamani nuk zgërdhihej që t’ju bënte qejfin eprorëve, as t’ju “griste” xhaketën atyre. Ai ishte me karakter dhe ky karakter nuk nuk kishte asgjë të përbashkët me servilizmin dhe lajkat, siç bënin jo pak të tjerë. Botëkuptimi i Mamanit duhet bërë i lexueshëm. Ai ishte hijerëndë, por i matur, i ditur dhe shok i mirë, që të mbronte në rreziqe dhe sakrifikonte veten për Atdheun dhe shokët. Maman Saliun, kur u rikthye në Tiranë në fund të viteve ’80-të, e takoja shpesh. Ndjenja e thellë e respektit ndaj tij, si ish komandanti im në Shkollën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku ai drejtoi në vitet 1962-1966, më bënte mua që kam lindur në Veri, të kisha ndjesi të veçantë për këtë bir të shquar të Labërisë. Më pëlqen të mbetem një nxënës i tij për të mësuar nga karakteri dhe dinjiteti i këtij burri, nga intuita për të vrojtuar dhe parashikuar ngjarjet dhe nga analiza që ju bënte atyre ai. Detyra më bëri që të shërbej në armën ku ai la gjurmët e veta. Para disa kohëve më ra në dorë raporti vjetor i njësisë ushtarake për vitin 1956, që kishte përgatitur Mamani. Veçoj shprehjen: ”Shkurtimi i forcave kufitare në Veri, na bëjnë pesimist për gjendjen”. Koha i dha të drejtë kolonel Maman Saliut, mbasi shovinizmi serbomadh nuk hoqi kurrë dorë nga platforma antishqiptare. Ky gjykim objektiv për situatën, ishte njëkohësisht edhe guxim suprem, sepse merrte të drejtën e atakimit ndaj vijës zyrtare të PPSH për çështjen e mbrojtjes së kufirit shtetëror. E bënte këtë se i dhimbsej Atdheu. Të vërtetën e vinte mbi vetveten. Ky ishte Maman Sali Hasanaj, nga Vranishti i Vlorës, që unë shkruesi i këtyre radhëve dëshiroj që brezat e rinj ta njohin dhe lexojnë atë, për të akumuluar energji atdhetare nga ai.
*Kolonel në rezervë. Ish Drejtor i Arkivit të Ministrisë së Brendshme