Luan Çipi: Mësuesi im i muzikës, kompozitori i madh Tish Daija

1032
(Në 92-VJETORIN E LINDJES)
Nga Luan Çipi
I kam të pashlyera nga kujtesa takimet e mia qysh fëmijë, me muzikantin e madh Tish Daija, ish mësuesin tim engjëllor të muzikës. Sa e kujtoj atë kohë për Tishin, mbushem me mall e dashuri. Dhe nuk janë pak, por 72 vite, që nuk e kanë zbehur dhe nuk e kanë larguar, po përkundrazi e kanë rritur e shtuar mallin, dashurinë dhe respektin për të. Kjo, se Ai nuk ishte si kushdo, po një engjëll perëndie, që me ngrohtësinë, ëmbëlsinë dhe aftësinë e tij didaktike dhe vëllazërore, sa e takoje, të vinte dorën te supi dhe të vëzhgonte me admirim mësuesi, me sytë e qeshur dhe të bënte për vete, për të mos e harruar në jetë te jetëve: Djalë i ri 20 vjeçar, i bukur i fuqishëm dhe energjik, atë nuk e admironim, vetëm kur na mësonte notat e pentagramit, shkruar bukur me shkumës në dërrasën e zezë, por edhe në fushën e futbollit me ekipin përfaqësues të “Flamurtarit”, kur topolak i shëndetësim, me këmbë dhe gjoks muskulor, mbante në shpinë fanellën kuqezi me numër 7 të ekstremit dhe rendte si rrufe drejt portës kundërshtare, duke shënuar në çdo takim gola të bukur, siç ishte e gjithë qenia e tij përrallore. Na takonte të rinim gjatë me mësuesin tonë simpatik e të talentuar të muzikës, se pasditeve angazhoheshim në rrethet e muzikës për të mësuar instrumente dhe në korin e Shtëpisë së Pionierit të qytetit te Vlorës. Ai vetë, me fizarmonikë në gjoks, na mësonte këngë të bukura, me motive melodioze të jareve shkodrane, apo popullore qytetare vlonjate. Unë, Agron Çuçi, Llambi Kona, Apostol Dede, Niko Gjyzari, Minella Kostandini, Sezai Hoxha, Sadedin Gjoka, Nikolla Papa, Piro Doko, Qirjako Sava, Reshat Kripa etj, rinim dhe më afër tij, se na e pëlqente zërin e veshin dhe na angazhonte në kor, apo na mësonte si instrumentist. E kam tingëlluese njërën prej këngëve të improvizuara të kohës, që e këndonim solo dhe më pas futej bukur korri me tri zëra të harmonizuar:


Unë jam çiklist/Jam specialist,/Për biçikletë/S’ashtë kush si vet etj.
Ashtu si punonte me pasion në Shtëpinë e Pionierit, Tish Daija u angazhua dhe krijoi korrin dhe ansamble artistike edhe në Shtëpinë e Kulturës së qytetit te Vlorës, nga ku doli dhe u shqua dhe trioja me famë e këngëtarëve vlonjatë: Kostandin Thana,, Reshat Osmani dhe Meliha Doda.
Duhet thënë se në Vlorën bregdetare, për fatin tonë të mirë, kishte edhe mësues të tjerë, ardhur prej Shkodrës së kulturës dhe dijes, miq dhe shokë të Tish Daisë, si Kel Gashi, Shukri Zilja dhe Karmina Gurakuqi. Tish Daija, punoi si mësues muzike në Vlorë disa vjet dhe ishte Vlora që u preokupua për vazhdimin e mëtejshëm të studimeve, për mos ta harruar detyrimin ndaj këtij talenti të rrallë: Në vitin 1956 ai largohet nga Vlora për të filluar studimet e larta në Bashkimin Sovjetik.

Tish Daija – që meritoi vlerësimet e larta: Nder i Kombit, Artist i Popullit, Akademik në Shqipëri dhe në Kosovë, Deputet dhe Profesor, u lind në 30 janar të vitit 1926 në Shkodër. Qysh fëmijë, bir i një familje qytetare me tradita muzike, pa mbushur moshën shkollore, bëhet pjesëtar i “Korit Françeskan”, ku nën drejtimin e Padër Martin Gjokës dhe Filip Mazrekut, merr mësimet e para muzikore. Në moshën 10 vjeçare bëhet instrumentist i bandës muzikore “Antoniane” që drejtohej nga Prenk Jakova. Muzika e tij qysh herët, është shumë dimensionale, ku spikat fryma dhe tradita e tij patriotike, dashuria për Shqipërinë dhe vendin e tij të lindjes, Shkodrën. Nga shpirti tij krijues e kanë zanafillën të kultivuara e të përpunuara, këngë nga më të bukurat, të cilat kanë mbetur si pasuri shkodrane në arkivin e paçmuar të muzikës shqiptare si, “Çikë o mori çikë”, “Sylarysha”, “Ndal, bre vash”, “Kënga e krushqve”, “Me lule t’bukra”. Ato perla të muzikës së hershme shkodrano-shqiptare, u krijuan nga mjeshtri i talentuar i muzikës shqiptare, i cili edhe akoma më shumë dhe më mirë në vazhdim, e bëri të madhe e të jashtëzakonshme trashëgiminë muzikore, duke e ngritur në nivele të larta kulmore operistike. Në qytetin e Shkodrës mbaroi dhe Gjimnazin Françeskan. Studimet e larta për kompozicion i kreu në Konservatorin e famshëm “P. I. Çajkovski” të Moskës. Në vitin 1956 diplomohet në katedrën muzikore të kryesuar nga Dimitri Shostakoviç, duke sjellë në atdhe përveç diplomës edhe një numër veprash të arrira si: “Uverturë festive”, Suitën “Një ditë pikniku”, ”Kuartet harqesh” etj.


Pas disa vite punë në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës, Tish Daija, vazhdon karrierën profesionale, ku spikat si superior dhe i papërsëritshëm, roli i tij si udhëheqës artistik i Ansamblit Shtetëror Këngëve dhe Valleve Popullore (1962–1980). Nën drejtimin artistik të Tish Daisë, për disa dekada, ansambli lëvroi dhe zhvilloi traditën muzikore dhe të valleve të të gjitha trevave shqiptare, duke u shndërruar në një pishtar të kulturës kombëtare dhe e shtriu aktivitetin e tij, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shumë vende të botës, ku u nderua me çmime ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe “Gjerdanin e Artë” në Dizhon të Francës (1970). Shtrirja krijuese e Tish Daisë është e gjerë dhe e larmishme. Nuk mund të flasësh për baletin shqiptar pa Tish Dainë. Ai është kompozitori i baletit të parë shqiptar “Halili dhe Hajrija” (1963), por edhe i baletit “Bijtë e Peshkatarit” (1972). Ai kompozoi disa nga operat e njohura të repertorit shqiptar, ndër të cilat: opereta “Lejlaja” (1957), opera “Pranvera” (1960), opera “Vjosa”(1980). Gjithashtu, Tish Daija ka dhënë një kontribut të madh në krijimin dhe zhvillimin e muzikës instrumentalo-simfonike, muzikës së dhomës, si dhe për krijimin e një tradite të muzikës klasike shqiptare. Së bashku me Çesk Zadenë e Tonin Harapin, gjithashtu shkodranë, krijuan klasën e kompozicionit në Konservatorin Shtetëror të Tiranës, ku dhe Tish Daija ka dhënë kontributin e tij të vyer si pedagog, në formimin e disa brezave kompozitorësh, muzikologësh e instrumentistësh.Me propozim të Akademisë së Shkencave, akademiku dhe kompozitori i shquar Tish Daija u vlerësua me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” në 90-vjetorin e lindjes me motivacionin: “Kompozitor i baletit të parë shqiptar, autor i qindra krijimeve muzikore me njohje kombëtare dhe ndërkombëtare, pedagog e akademik, drejtues historik i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Me krijimtarinë e Tij ndër vite popullarizoi vlerat e artit muzikor dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi”.Më duhet të kujtoj me respekt se Tish Daija, megjithëse Shkodran tipik edhe në origjinë, traditë, sjellje e dituri, ishte aq mirënjohës e zemërbardhë, (për çka kishte kaluar dhe kishte bërë populli i Vlorës për të) sa shpesh, në shoqëri me vlonjatët që banonin në Tiranë, kur merrte pjesë në takime përkujtimore e gosti, deklaronte se “unë, midis jush, e ndjej veten vlonjat”, gjithashtu kujtoj se ai e adhuronte këngën labe dhe e konsideronte atë “pasuri botërore unikale”.
Mjeshtri i Madh, ndërroi jetë në 3 tetor të vitit 2003, në Tiranë, në moshën 77 vjeçare, duke lënë në pikëllim gruan, vajzën, djalin dhe të afërtit e tij, si dhe mijëra adhurues, simpatizantë e dashamirës.
Sigal