Liqeni i Shkodrës më i madh në Gadishullin Ballkanik dhe më i vjetri në botë

8935
I njohur në lashtësi si Palus Labeatis. Pasqyra e tij ujore gjendet në një lartësi 6 metra mbi nivelin e detit, dhe ka një sipërfaqe prej 368 km², nga të cilat 149 km² me një gjatësi brigjesh prej 57 km i përkasin Republikës së Shqipërisë; ndërsa 2/3 Malit të Zi, ku me 1983 e shpalli Park Kombëtar liqenin. Ka një breg shumë të larmishëm të tipit të ultë të “marsheve” në veri dhe shkëmbor në jug. Në bregun jugor shquhen plazhet në rrugën nga Shkodra për në Shirokë e Zogaj, ku më i madhi është Zalli i bardhë. Fauna e liqenit është e shumëllojshme dhe e pasur me 45 lloje peshqish e 270 lloje shpendësh. Këto shpendë përbëjnë 87% të gjithë Ornitofaunës të Shqipërisë. Një perlë e kësaj pasurie është padyshim pelikani, zogu më i madh në Evropë. Pika më e thellë e liqenit është rreth 45 metra. Në skajin jug-lindor shtrihet Shkodra, nga ku merr edhe emrin. Në këtë liqen nga ana malazeze derdhet lumi i Moraçës e nga ana shqiptare, në mes të rrugës Shkodër-Shirokë merr formë lumi Buna si vazhdim. Bregu i tij është 11 milje me shtrirje nga lindja në perëndim. Pranë liqenit është Taraboshi. Pak para derdhjes së Drinit në Bunë, ndodhen 10 dajane për gjuetinë e peshkut; më të famshmit janë krapi, qefulli, ngjala dhe blini. Fitimet nga këta dajlanë derdhen në arkën e kështjellës.

Pozita
Liqeni i Shkodrës është i pozicionuar në veriperëndim të Republikës së Shqipërisë, në drejtim të dinaridëve, përkatësisht drejtimin e shtrirjes e ka veriperëndim-juglindje. Edhe pse gjendet në trojet shqiptare, në tërësi nuk është i përfshirë në territorin e shtetit aktual shqiptar. Me pjesën më të madhe veriperëndimore, i takon shtetit të Malit të Zi dhe me atë më të vogël, juglindore, i takon Shqipërisë. Pozita gjeografike e liqenit është përcaktuar me koordinatat: 42º 03’ e 42º 21’ të gj.gj.v. dhe 19º 03’ e 19º 30’ të gj.gj.l.

Kufizimi
Liqeni është i rrethuar me male të larta. Në verilindje të liqenit ngrihet masivi i Bjeshkëve të Nëmura, kurse në jug e juglindje lartësohen malet Tarabash (595 m), Rumia (1593 m), Sutorman (1188 m) dhe Sozina (992 m). Në veriperëndim lartësohen shpatet e malit Llovqen, kurse në veri shtrihet Rrafshira e Zetës.

Forma, madhësia dhe thellësia
Formën liqeni e ka të një elipse të zgjatur. Gjatësia arrin 44 km, kurse gjerësia rreth 14 km. Madhësinë liqeni e ka të ndryshme, varësisht nga sasia e ujit që pranon gjatë sezonit të lagështisë. Në nivel të ulët të regjimit ujor, sipërfaqja arrin 369.72 km katrorë. Nga kjo Malit të Zi i takojnë 222 km katrorë (60.04%), kurse Shqipërisë 147.72 km katrorë (39.96%). Ndërkaq në vjeshtë e në pranverë, kur sasia e reshjeve dhe e tretjes së dëborës është e madhe, niveli ritet duke e zmadhuar sipërfaqen në 540 km katrorë. Vija bregore karakterizohet me një koeficient të madh të përthyerjes së bregut liqenor. Në shumë vende uji ka hyrë brenda ndërmjet gadishujve dhe kepave duke krijuar gjire nga të cilët disa arrijnë përmasa të mëdha. Gjatësia e vijës bregore është 162 km (shënim: pasi nuk disponojmë me literaturë të autorëve shqiptarë, emrat e ishujve e gadishujve do t’i shkruajmë në gjuhën sllave). Gadishuj më të mëdhenj janë: Obid me lartësi absolute prej 171 m dhe Petrova Ponta me një lartësi absolute prej 237 metra (në territorin e Malit të Zi). Përgjatë kufirit me Shqipërinë gjendet një pjesë e ndarë e liqenit me emrin Humsko blato. Gjatësinë e ka 12 km, kurse gjerësinë 2.5 km. Gjatë nivelit të lartë këneta bashkohet me liqenin dhe përbëjnë një tërësi. Pastaj ekzistojnë edhe disa këneta të tjera, por më të vogla. Ato janë: Malo blato, Gornje blato dhe Fuçko blato. Liqeni i Shkodrës në dallim prej dy liqeneve të tjerë tektonikë, posedon një numër të ishujve. Vetëm përgjatë bregut jugperëndimor shtrihen mbi 50 ishuj të vegjël e të mëdhenj. Me madhësi e lartësi dallohen ishujt: Vranjina, Gorica, Bisak, Duzhica, Vranica, Gradac, Tophana Velja, Veliki i Mali Moraçnik (Moraçniku i Madh e i Vogël), Mala i Velika Beshka (Bashka e Madhe dhe e Vogël) , Veliko i Malo Starçevo (Starçeva e Madhe dhe e Vogël), Grmazhur, Lesendro, Velika i Mala Çakovica (Çakovica e Madhe dhe e Vogël), Kamenik, Liponjak, Kosmaç e të tjerë. Ishulli më i madh është Vranjina. Ky ishull gjatësinë e ka 2 km, gjerësinë 1.2 km, kurse lartësinë absolute 302 m dhe sipërfaqen 1.72 km katëror. Aty dallohen edhe disa gadishuj dhe kepe. Gjatë nivelit të lartë disa prej gadishujve shndërrohen në ishuj. Gadishuj më të dalluar janë: Prevlaka me lartësi 131 m, madje Odranska glava me lartësi 228 metra, si dhe Zhabjak me lartësi absolute prej 129 metra. Thellësinë liqeni e ka të vogël, ndaj edhe pse me sipërfaqe është më i madh nga tre liqenet e trojeve shqiptare, ai bën pjesë në grupin e liqeneve të cektë. Varësisht nga niveli, i cili vazhdimisht ndryshon, thellësia nuk është e njëjtë. Kur niveli i ritet thellësia është më e madhe dhe e kundërta, në nivel të ulët thellësia është e vogël. Thellësia është matur shumë herë, por gjer tani nuk ekziston ndonjë hartë izobate për nivelet e ndryshme ku do të shihet ndryshimi i thellësisë. Megjithatë me matjet e bëra është konstatuar se thellësia maksimale është 44 metra dhe gjendet në vorbulën sublakustrike të quajtur Radushko oko. Thellësia mesatare e liqenit sillet prej 3 gjer më 7 metra. Lartësia absolute në nivel të ulët është 6 metra, kurse në të lartë sillet rreth 10 metra mbi nivelin e Adriatikut. Tabani i liqenit nuk është i rrafshtë por i përbërë prej shumë vorbullave sublakustrike, ku shumë prej tyre thellësinë e kanë nën nivelin e detit Adriatik. Kjo do të thotë se shumë pjesë të tabanit të liqenin gjenden mesatarisht për 10 metra nën nivelin e detit. Nga kjo mund të shihet se gjatë nivelit të lartë ose të ulët liqeni paraqet kriptodepresion, (ky është rast i veçantë për liqenet tektonikë në Ballkan kur fundi i liqenit gjendet nën, kurse sipërfaqja mbi nivelin e detit). Shembull i këtillë i liqeneve tektonikë kriptodepresivë kur fundi i liqenit është nën nivelin e detit botëror, janë Liqenet e Mëdha në kontinentin e Amerikës Veriore (përjashtim bën vetëm liqeni Iri) ku thellësinë e kanë nën nivelin e detit botëror.Edhe pse liqeni ka sipërfaqe të madhe, vëllimin e ujit e ka të vogël. Është llogaritur se në basenin e këtij liqeni ka 1,586 kilometra kub ujë. Krahasuar me Liqenin e Ohrit, i cili është më i vogël me sipërfaqe por me thellësi shumë më të madhe, vëllimin e sasisë së ujit, Liqeni i Shkodrës e ka më të vogël për 32.4 herë.

Krijimi i basenit të liqenit 
Baseni i Liqenit të Shkodrës ka origjinë tektonike-karstike dhe bën pjesë në liqenet poligjenë. Në sajë të studimeve të disa autorëve konstatohet se liqeni ka qenë gji i detit Adriatik. Më vonë me krijimin e malit Rumia gjiri është ndarë nga deti dhe shndërruar në liqen. Në këtë konstatim është ardhur në sajë të sedimenteve maritime të gjetura në afërsi të Shkodrës. Pastaj shkarjet tektonike për gjatë vijës bregore janë një fakt që dëshmojnë se baseni ka qenë tektonikisht i paradisponuar. Pas lëvizjeve horizontale të paroksizmit alpin në oligo-miocen kur janë krijuar alpet, paraqiten lëvizjet vertikale post-hume në kuaternar, të cilat kanë krijuar forma vertikale, përkatësisht fushëgropa. Në këtë kohë supozohet se është krijuar baseni i këtij liqeni. Para liqenizimit baseni pat qenë përfshirë me proceset karstike. Aty qenë krijuar forma të ndryshme të karstit. Këtë sot e dëshmon një numër i konsiderueshëm i vorbullave sublakustrike, të cilat i përbëjnë pjesët më të thella të liqenit. Gjatë sezonës me lagështi në shumë prej tyre buron ujë. Këto burime janë të njohur me emrin burime sublakustrikë (nënliqenorë), të cilët liqenin e furnizojnë me ujë. Gjatë periudhës së akullit (diluvium) lumejt në liqen kanë sjellë një sasi të madhe të materialit fluvioglacial. Me formimin e lumit rrjedhës (Bunës), liqenit filloj t’i zvogëlohet sasia e ujit. Sasia e madhe e ujërave derdhëse dhe atyre rrjedhëse, ujin e kripur të liqenit e shndërruan në ujë të ëmbël. Ndryshimi i këtillë ndikoj edhe në ndryshimin e botës bimore e shtazore të liqenit.

Furnizimi i liqenit me ujë
Liqenin me ujë e ushqejnë të reshurat atmosferike, burimet sublakustrike dhe lumenjtë. Liqeni bën pjesë në regjimin pluviometrik mediteran. Ndaj të reshurat aty me intensitet më të dalluar janë në stinën e dimrit. Në këtë periudhë kohore dallohen stina e vjeshtës kur reshjet janë me të fuqishme dhe ajo e pranverës që dallohet me tretjen e dëborës. Vlerësohet se në akuatorinë liqenore gjatë vitit derdhen 1.350.000.000 metra kub ujë. Burimet sublakustrikë me ujë janë të pasur vetëm gjatë sezonave të lagështisë.

Niveli i liqenit në varësi të faktorëve pluvionivalë
Liqeni i Shkodrës, sikurse dy liqenet e tjerë tektonikë (Liqeni i Ohrit dhe Liqeni i Prespës), me ujë ushqehet nëpërmjet ujërave derdhëse, reshjeve atmosferike, tretjes së dëborës dhe, pasi substratin e ka të përbërë prej gëlqerorëve, me ujë ushqehet edhe prej burimeve sublakustrikë. Ujërat derdhëse dhe burimet janë në varësi të reshjeve dhe sasisë së tretjes së dëborës në stinën e pranverës. Në stinën e vjeshtës kur reshjet janë më të mëdha dhe në pranverë, kur me ritjen e temperaturës tretet dëbora, akuatoria e liqenit pranon sasi më të madhe uji dhe me këtë ritet edhe niveli i ujit liqenor. Nga të dhënat e shkruara mësohet se liqeni madhësinë e sotme e ka krijuar në një periudhë kohore jo shumë të largët. Në fillim pat përfshirë një hapësirë mjaft të madhe. Mirpo me paraqitjen e degës rrjedhëse, sipërfaqja iu zvogëlua aq tepër saqë qe shndërruar në kënetë. Në këtë dëshmon emri i mëparshëm kur është quajtur Lacus Labeatis, pastaj vetëm kënetë. Më vonë ndokund kah shekulli i XVI, sipas disa të dhënave, është quajtur vetëm “Liqeni tek Shkodra”. Ndryshimi i bilancit ujor ndikoj që liqeni ta rritë sipërfaqen dhe thellësinë. Në këtë pat ardhur nga sasia e ujërave derdhëse e pastaj atyre rrjedhëse. Lumi Drin shumë herë drejtimin e derdhjes e patur në liqen dhe në lumin e Bunës. Degët e Drinit, Drimac dhe Kiri me ujërat rrëmbyese dhe me materialin prurës e patën penguar rrjedhjen normale të ujit liqenor nëpër lumin e Bunës. Kjo pat ndikuar në rritjen e nivelit të liqenit. Me rritjen e vazhdueshme të nivelit ujit, liqeni e pat vërshuar pjesën e vjetër të Shkodrës dhe fushën pjellore në rrethinat e qytetit. Për pengimin e rritjes së nivelit të ujit, në vitin 1870 qeveria osmane me pushtetarët lokalë qe marrë vesh për rregullimin e shtratit të Drinit. Mirpo fatkeqësisht me këtë marrëveshje nuk qe bërë gjë. Edhe më tutje qenë arritur marrëveshje për të ndërmarrë masa të duhura në ndalimin e rritjes së nivelit të liqenit, por ato mbetën vetëm si dokument i shkruar në letër.

Liqen ciprinid, peshkim intrigues 
Lista e peshqve (Actinopterygii) të Liqenit të Shkodrës dhe ujërave afluente përmban 52 specie. Familja Cyprinidae ka 25 specie, ose 48 % të totalit, çka konsiderohet përqindje e lartë dhe ky fakt e karakterizon liqenin dhe iktiofaunën e tij si ciprinidë. Ujërat përreth liqenit dhe ihtiofauna e tyre janë salmonide. Në liqen janë gjetur 9 specie të familjes Salmonidae (17.3 %). Zënia e peshkut në Liqenin e Shkodrës bazohet në tre grupe speciesh. Një vlerë të rëndësishme kanë për peshkimin dy speciet autoktone, gjuhca (Alburnus scoranza) dhe krapi (Cyprinus carpio). Në grupin tjetër 8 bëjnë pjesë speciet migruese për në det nëpërmjet Lumit Buna, ku më të rëndësishmit janë kubla (Alosa agone), ngjala (Anguilla anguilla) dhe qefujt (Mugil cephalus dhe Liza ramado). Grupi i tretë përfshin speciet e introduktuara, si karasi (Carassius gibelio) dhe sharmaku (Perca fluviatilis). Biologjia e peshqve të Liqenit të Shkodrës dhe peshkimi kanë tipare intriguese. Stoku i konsiderueshëm i peshqve kapet në kriptodepresione ose disa vende të veçanta, ku dimëron. Riprodhimi i peshqve bëhet përgjithësisht brigjeve. Rënia e popullatave të peshqve të tregut ka lidhje me veprimtarinë e njeriut, kryesisht me peshkimin e jashtëligjshëm.

Faunë me endemizma
Dukuria e endemizmit është më e theksuar tek disa grupe kafshësh të liqenit. 15 specie molusqesh, ose 21.7% të numrit total të specieve të liqenit dhe degëve të tij shfaqin dukurinë e endemizmit. Gjithashtu 9 specie gaforresh Amphipoda, që përbëjnë rreth gjysmën e numrit total të specieve të këtij grupi në këtë liqen, janë endemike. Një interes të veçantë paraqesin 20 specie peshqish, ose 38,5% e totalit të numrit të tyre, të cilat shfaqin dukurinë e endemizmit. Prej tyre 5 janë endemike të Liqenit të Shkodrës, 4 specie janë endemike të ekosistemeve ujore të Shqipërisë, 5 specie janë endemike të Sistemit Liqeni i Shkodrës – Lumi Drini – Liqeni i Ohrit, 4 specie janë endemike të Ballkanit Perëndimor, si dhe 2 specie janë endemike të liqenit me luhatje drejt veriut. 9 Pelophylax kurtmuelleri është bretkosë subendemike e Shqipërisë, ndërsa Pelophylax Shqiperica endemike e Liqenit të Shkodrës dhe Ultësirës Perëndimore të Shqipërisë.. Tek bimët e larta, shpendët dhe tek një numër i madh grupesh të tjera, endemizmi shfaqet në nivelin e subspecies. Resiliencë e lartë Resilienca e lartë është cilësi e ekosistemit të Liqenit të Shkodrës. Resilienca e lartë mbahet prej variableve të ngadalta, si faktorët klimaterikë afatgjatë, marrëdhëniet trofike, strukturat e habitateve, prodhimi i nutrientëve, niveli i nutrientëve në sediment etj. Makrofitet me rrënjë janë faktor variabël i ngadaltë që promovon resiliencë. Edhe feedback-et që mbajnë cilësinë e ujit në parametra normalë mbahen nga resilienca, përndryshe situata do të degjeneronte në surpriza të padëshirueshme. Dëmtimi i grupit funksional të peshqve dhe shkarkimi i ndotësve organikë mund të sjellin humbjen e resiliencës ekologjike. Stabilitet i lartë Stabiliteti i lartë është cilësi e ekosistemit të Liqenit të Shkodrës. Liqeni i Shkodrës identifikohet si liqen i cektë, me ujë të kthjelltë dhe abondancë të lartë të makrofiteve me rrënjë. Resilienca e lartë mundëson stabilitet të lartë. Faktorët që influencojnë për stabilitet dhe resiliencë të lartë të liqenit janë: fluktuacioni i lartë i nutrientëve në liqen, zinxhirët ushqimor relativisht me pak hallka, numri i madh i specieve, veçanërisht i peshqve, që transferojnë fosforin nga litorali në pelagial. Tre feedback-e janë faktorët kryesorë që mbajnë cilësinë e ujit të liqenit në parametra normalë. Makrofitet konsiderohen faktor kyç i stabilitetit. Ato prodhojnë nutrientët, shërbejnë si hallkë e zinxhirëve ushqimorë, janë habitatet me të rëndësishme për kafshët, janë faktorët inhibues të riciklimit të nutrientëve (veçanërisht fosforit) nga sedimenti në ujë etj.
Sigal