Kuvajt-Shqipëri, marrëdhënie të shkëlqyera në shumë fusha

93
Shteti i Kuvajtit do të përkujtojë sot më 24 shkurt 2015, në mjediset e Hotel Tirana International dy data të rëndësishme të lindjes si shtet i pavarur: atë të shkëputjes nga Britania e Madhe në vitin 1961, si dhe çlirimin nga ushtria pushtuese e diktatorit irakian, Sadam Hussein 25 vite më parë. Këto data u shpreh për mediat Ambasadori i Kuvajtit në Tiranë, Mr. Fayez Mishari M. Al-Jassim kanë sjellë një kthesë të rëndësishme për historinë e shtetit të Kuvajtit. Ambasadori Mr. Fayez Mishari M. Al-Jassim shprehu vlerësim për bashkëpunimin e vazhdueshëm me shtetin shqiptar qysh më herët, i cili kulmoi në vitin 2011 me çeljen e Ambasadës së Kuvajtit në Tiranë, ndërsa shtoi se ky bashkëpunim do të vijojë të intensifikohet edhe në të ardhmen, veçanërisht në ekonomi, turizëm dhe arsim. Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shtetit të Kuvajtit në vendin tonë, Fayez Mishari Al-Jasim, më 15 dhjetor 2015 i paraqiti letrat kredenciale presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.
Marrëdhëniet Shqipëri-Kuvajt
Marrëdhëniet Shqipëri-Kuvajt kanë shënuar rritje nga viti në vit. Si një shprehje e këtyre marrëdhënieve një rrugë me emrin “Kuvajti” është tashmë në Tiranë, në shenjë mirënjohje për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve në të gjitha nivelet. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i cili ka vizituar Kuvajtin vitin e kaluar, ka thënë për mediat se vlerëson rolin e këtij shteti në projektet zhvillimore të shtetit shqiptar dhe ndihmën e pakursyer që kaë dhënë në mjaft fusha të rëndësishme. Shteti i Kuvajtit i është përgjigjur bashkisë së kryeqytetit me disa projekte strategjike. Vetëm në vitin 2014 nën kujdesin e ambasadës, shteti kuvajtian ka investuar mbi 10 milionë euro në 16 projekte të ndryshme kryesisht infrastrukturore. Tërheqja e investimeve kuvajtiane në Shqipëri ka qenë në qendër të bisedave në takimin që ka zhvilluar zëvendëskryeministri Niko Peleshi me Kryeministrin e Shtetit të Kuvajtit, Lartësinë e Tij, Sheiku Jaber Al Mubarak Al Hamad Al Sabah. Gjatë takimit u diskutua mbi rrugët e forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe ndërtimin e një bashkëpunimi sa më konstruktiv me fokus në investimet publike në infrastrukturë, arsim e shëndetësi, por edhe tek mundësitë e investimeve kuvajtiane në fushat prioritare si turizmi dhe energjia.