Kultura e traditës popullore, bashkon viset shqiptare

962
Sigal

Flet Shkëlqim Hajno, kreu i gazetarëve të Sarandës dhe i AJMI-t

 Saranda është pushtuar nga shumëllojshmëria e prodhimeve suvenire të traditës popullore nga të gjitha trevat shqiptare. Me këtë rast, ne i morëm një intervistë kryetarit të AJMMI-t (Agjencia joniane e Mjedisit, Medies dhe Informacionit) si dhe Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve profesionistë të Sarandës, z. Shkëlqim Hajno. AJMMI, prej dy vitesh është pjesë e grupimit ECIN (grupimi mjedisor që mbështetet nga REC-shqiptar). Dy aktivitetet e saj të fundit janë investigimet dhe zbulimi i helmeve kimike të groposura në rajonin Sarandë-Delvinë si dhe rehabilitimi gjelbërues i ishujve të Ksamilit nëpërmjet një aksioni operacional të kryesuar nga inxhinier Kristo Kauri. Ja çfarë thotë gazetari i vjetër profesionist, Shkëlqim Hajno, për ringritjen dhe promocionin e vlerave të traditës së kulturës artizane të popullit tonë.

Përshëndetje zoti Shkëlqim. Data 15 gusht regjistron edicionin e tretë të panairit të suvenireve, i cili organizohet nga shoqata juaj AJMMI. Çfarë përmban edicioni i tretë i këtij panairi që tashmë është kthyer në ritual në qytetin e Sarandës?

-Duke ju falënderuar edhe juve, nuk rri dot pa nënvizuar edhe një fakt si gazetar i vjetër profesionist dhe Kryetar i shoqatës së gazetarëve profesionistë të Sarandës, falënderim edhe në emër të gazetarëve jonianë që drejtoj që prej vitit 1998, që gazeta “Telegraf” hyri në mënyrë modeste në sallonin e zhurmshëm të medias shqiptare, zuri vend në mënyrë dinjitoze dhe realisht është bërë gazetë e kërkuar, shoh e vlerësoj për atë që u jep vend në faqet e saj të gjithëve, për vokacionin e saj, por edhe për një sens qytetar çka u mungon shumë medieve të tjera. Panairi i suvenireve që vjen në edicionin e tretë të përvitshëm, është kthyer tashmë në një event që përsëritet gjithmonë në muajin Gusht, pra në kulmin e sezonit turistik dhe synon një ekspoze të artizanatit e të artizanëve shqiptarë, por në kuptimin më të gjerë sesa vitin e parë dhe të dytë, kjo në këndvështrimin tashmë kombëtar, e parë në kuptimin e shtrirjes gjeografike të pjesëmarrjes. Gjithsesi këtu do të kemi rreth 60 subjekte të ndryshme që përfshijnë Kosovën, Shqipërinë, madje edhe zona të thella të Shqipërisë, si për shembull 13 gra artizane që vijnë për herë të parë nga Mirdita. Kemi nga Prishtina, Gjakova, nga Prizreni i famshëm i artizanatit, natyrisht nga Shkodra që për vit sjellin pasuri dhe lezet tek ky panair si në traditë, lloje të punimit, me një larmi si vjen tradita, por në kontekstin turistik. E veçanta e sivjetshme është jo vetëm shtrirja gjeografike, por edhe një përfshirje më e madhe e disa llojeve të nënprodukteve të teknikave të paraqitura. Vijnë punime në dru, gur, kemi punime me guaska, kjo normale nga artizanët vendas, sikurse kemi punime në lëkurë, lesh etj., sipas traditave të zonave, por ka edhe aplikacione çka paraqesin edhe një lloj refleksioni në teknikat moderne të kohës, por që gjithsesi janë kryesisht me mbetje, ndaj ka edhe qasje mjedisore. Kjo është edhe një risi që vjen me një dimension që ka agjencia jonë e krijuar më 1997, me aktivitet kryesisht në jugun e Shqipërisë e dedikuar në dy drejtime kryesore: për sensibilizim në fushën e mjedisit, por edhe të medias, sikurse thotë edhe slogani ynë: Misioni i një mjedisi dhe i një medieje me fytyrë publike

A ka sponsor dhe cili është interesi i shtetit ndaj panairit?

-Duhet sqaruar se sponsor në kuptimin klasik si ai i spektakleve, si MIS-et etj. nuk ka. Kemi një mbështetje modeste nga bashkia e Sarandës të cilën e falënderojmë, sepse ka treguar kurorëzim të suksesshëm si aktivitet dhe shumë veta na pyesin se a do të zhvillohet këtë vit. Pra, ka hyrë në një farë tradite në qytet. Ndërkohë kemi trokitur edhe tek disa dashamirës të AJMMI-t, të cilët, megjithëse jemi në një klimë krize, na kanë ndihmuar me shuma modeste. Në këtë kuptim, unë dua t’i falënderoj të gjithë donatorët si Veli Hasani, i cili është edhe anëtar nderi i AJMMI dhe sponsor i veprës së plotë të atdhetarit Hasan Tahsini. Kemi kompleksin turistik Santa Kuaranta, taverna Peshkatari, mobileri Fetani, supermarket ALFA dhe PLANET, Gjiri i Hartës, kryetari i komunës Livadhja, Irodhi Dalani, por dua të shtoj që në kushtet e krizës dhe të pikut të sezonit turistik disa hotele na kanë ofruar akomodimin e pjesëmarrësve të panairit.

Përveç promocionit a ka pasur interes edhe tregu?

-Ka pasur. Interesant është fakti që vëmendja është jo vetëm tek turistët e huaj, por edhe tek shumë turistë shqiptarë që janë edhe blerësit e këtyre produkteve. Sivjet ka një fenomen disi të veçantë në krahasim me vitet e tjera, ka turistë që vijnë jashtë rreshtit, të pa komanduar nga operatorët turistikë dhe këta marrin një suvenir, një produkt, marrin pak Shqipëri me vete.

Doja të pyesja, Bashkia si sponsor kryesor, a mundet të blejë prodhime artizane të Sarandës dhe t’i ekspozojë në Muzeun etnografik të qytetit ku vihet re një varfëri e elementeve të ekspozimit?

-Së pari duhet përshëndetur iniciativa e Bashkisë për krijimin e disa aseteve të cilat kanë qenë në gjumë në Sarandë këto 24 vite, madje në gjumë të thellë, duke bërë të mundur një rivitalizim të disa vlerave të cilat ndikojnë në promovimin e vlerave që ka vetë qyteti. Deri tani, në këndvështrimin tim, nuk ka munguar interesi i bashkisë, por Muzeu për shumë arsye është i paplotë, i mangët, memec. Shikoj një vullnet për ta rivënë në punë dhe për këtë shpresoj që të pasohet nga një grup pune serioz dhe jo nga ato grupet e famshme të dikurshme të korrje-shirjeve, por me nivel që të përshtatet ky muze dhe të pasurohet. Pra, ka forma. Jo ç’do gjë fillon dhe mbaron me lekun, por fillon dhe mbaron me idetë dhe vizionin. Për këtë janë të gjitha mundësitë dhe Saranda ka kapacitete. Duhet vënë dorë edhe në funksionalizimin e tij, siç është galeria e arteve figurative, falë edhe drejtorit të saj vizionar, Lefter Çeko. Funksionalizimi i muzeut fillon me një platformë me nivel ekspertësh

Si do të finalizohet aktiviteti sidomos në aspektin e stimujve?

-Është konceptuar tre ditë, duke menduar se është periudhë optimale. Ditën e parë bëhet promovimi, ditën e dytë bëhet promocioni i panairit ku do të ndahen edhe simbolika me motive të detit, është prerja e tortës simbolike dhe, në fund, me një konferencë shtypi. Këtë radhë kemi menduar të bëjmë edhe njohjen edhe vlerësimin e një prej personaliteteve shqiptare të shoqërisë civile, si ekologu i njohur Xhemal Mato. Dua të shtoj se rreth 85% e artizanëve pjesëmarrës janë femra. Kemi Shoqatën e Gruas për Progres nga Mirdita që vijnë për herë të parë, kemi dhe një shoqatë të tillë artizane nga Prizreni, Shoqata e grave artizane, me kryetare Flutura Xhabija

Agron MEMA