Korçë/ Dhimitër Orgocka: Fuqia e artit të çon drejt dijes

2225
Sigal

Shkolla e Pojanit: Fuqia e artit të çon drejt dijes

 

“Këpucarja e bukur”, me regji të Orgockës: Nëse të do, do të kthehet!

 

Nga Vepror Hasani

 

Pritej të fillonte shfaqja, “Këpucarja e bukur” e Frederiko Garsia Lorkës, përshtatur për komedi. Salla e madhe e mbushur me nxënës, prindër dhe banorë të Pojanit ra në qetësi. Thuhej se nxënësit e shkollës së mesme “Bardhyl Pojani” kishin përgatitur një shfaqje të bukur, me shumë të papritura, humor dhe pjesë këngësh të zgjedhura enkas nga serenatat Korçare, të cilat rrëfenin historinë e një dashurie të madhe me shumë vuajtje dhe brenga:

S’mendoja ta doja me zemër,

Si të vegjlit kaq shumë,

Ta shihja për çdo natë

Edhe në gjumë.

Regjisor i shfaqjes ishte i mirënjohuri Dhimitër Orgocka. Gjithkush e dinte çfarë është i zoti të bëjë ai. Janë të shumta dramat dhe komeditë e vëna në skenë prej tij me mjeshtëri të rrallë. Për aktrim nuk zgjodhi vetëm nga nxënësit e mirë në mësime, por edhe nga ata me rezultate të ulëta. Dëshironte t’u tregonte të gjithëve se edhe një nxënës që duket sikur nuk mëson, mund të shkëlqejë, mund të heqë dorë nga pirja e duhanit, e pijeve alkoolike apo droga, nëse është i tillë. Mund ta bindë veten që është i zoti, dhe me zë të lartë të thotë: “Unë mundem”! Nisma kishte qenë e drejtoreshës së shkollës, Oriana Gjermani dhe e mësueses së artit, Elsa Memelli. Iniciativa u përkrah nga të gjithë mësuesit e shkollës. Dëshironin të bënin diçka ndryshe, ku nxënësit të zbulonin aftësitë e veta, por për këtë duhej një regjisor i zoti, që interpretimi i roleve të ishte dinjitoz dhe mesazhi të përcillej qartë. Këtë gjë mund ta bënte vetëm aktori dhe regjisori Dhimitër Orgocka, pasi përvoja regjisoriale e tij është një jetë e tërë. Megjithatë Oriana dhe Elsa e kishin një merak: a do të pranonte ai të vinte çdo ditë në Pojan të mësonte nxënësit si vihet në skenë një shfaqje, si punohet me rolet dhe si të zbulonin çfarë janë të zot të bëjnë. Por Orgocka me të dëgjuar idenë e dy mësuesve, tha: “Do të vij patjetër, më pëlqen ideja juaj dhe ajo që doni të arrini. Atë çast Oriana Gjermani dhe Elsa Memelli ishin bërë më krahë.

Çasti i shumëpritur

Më në fund çasti i nisjes së shfaqjes kishte mbërritur. Gjithçka ishte befasuese. Aktorët ishin shndërruar në kërcimtarë të veshur me kostume të bukura, me koreografi të Rigels Hoxhës. Ishte një parathënie për çka do të vinte më pas. Aktorët flisnin me gjuhën e vallëzimit. Lëvizjet e tyre shprehin shumë: gëzim dhe dhimbje bashkë. E tillë ishte edhe jeta e dy bashkëshortëve, e personazheve kryesore, e cila herë shfaqej si komedi dhe herë si dramë, herë qeshej me lot dhe herë përjetohej si trishtim. Kalimi nga një ndjesi te tjetra, mbante gjithkënd mbërthyer çast pas çasti. Duartrokitjet ishin të fuqishme. Kënaqësia e drejtoreshës së shkollës Oriana Gjermani dhe e mësueses së artit, Elsa Memelli lexohej te sytë e tyre. Ishin krenare për nxënësit, ata po ia dilnin mbanë. Edhe regjisori Orgocka po e ndiqte me emocion edhe pse ishte i sigurt se gjithçka do të shkonte mbarë deri në fund. Nuk pati asnjë ngatërresë, asnjë fjalë të harruar. Gjithçka shkonte rrjedhshëm, krejt natyrshëm. Për të ndjekur shfaqen kishte ardhur posaçërisht edhe aktori Koço Qendro, i njohur si “Kopraci korçar”. “Një shfaqje e shkëlqyer, tha Qendro, me nxënës të mrekullueshëm”! Pastaj tha fjalët më të mira për dy mësueset. Prindërit e nxënësve dhe banorët ishin aty, sigurisht nuk kishte vend për të gjithë. Pojani njihet për tradita të hershme në teatër. Në vitin 1957 patën sukses me dramën e vënë në skenë nga regjisori Sokrat Mio. Që nga ajo ditë dhe më pas, shfaqjet teatrore nuk patën të pushuar. Me aktorët e Pojanit kishte punuar kohë më parë edhe Dhimitër Orgocka, edhe Pirro Mani. Grupi teatror i Pojanit konkurronte me dinjitet, tashmë po dilte një brez tjetër aktorësh, edhe ata do të bëhen po aq të famshëm sa prindërit e tyre.

“Këpucarja e bukur”

Shfaqja rritej minutë pas minute, tashmë kishte hyrë në çastin më kulmor të saj. Klajdi Lulollari në rolin e këpucarit, mori çantën dhe iku nga shtëpia. Vendosi të mos kthehej më kurrë. Bashkëshortja e tij, (rolin e së cilës e luante Ketjana Shkëmbi), e kishte lodhur me grindjet e saj vazhdueshme; ia kishte mërzitur jetën. Ndaj mori rrugët për të gjetur qetësi diku tjetër. Donte të shkonte sa më larg të ishte e mundur. Lumturia e tij mori fund ditën që u martua. Ai ishte 53 vjeç, kurse e shoqja 18 vjeçe. Martesa e tyre përflitej prej fqinjëve që interpretoheshin nga Erisa Ahmetlli, Xhoena Braho, Maria Vortollomi dhe Elda Çibuku; që të gjithë të mrekullueshëm. Ai dëshironte të ikte sa më larg këtij fshati që mbytej prej thashethemnajave. Në këtë ikje të tij, bashkëshortja e tij, ngaqë nuk e besonte që ai do të ikte, këndonte:

Rrugës i trishtuar dikush po ecën,

Një i dashuruar, e fare i vetëm,

Dashurinë që humbi duke kërkuar,

Si i erdhi fundi, iku dhe e la…

Deri pa u martuar jeta e këpucarit kishte qenë e qetë, i përkushtohej punës, të ardhurat që siguronte ishin të mjaftueshme për një jetë të mirë. Të gjithë e kishin zili. Ishte njeri i mirë dhe pa llafe. Nderohej prej të gjithëve. Nuk i mungonte asgjë, përveç gruas që ende nuk e kishte gjetur. Një mik i tij u bë mbles, foli me vajzën 18-vjeçare dhe ia mbushi mendjen të martohej me këpucarin. Nuk iu desh shumë mundim, ajo e donte këpucarin, për atë të gjithë flisnin mirë, por tashmë ai ishte 53 vjeç. Ajo nuk e mori parasysh moshën, po martohej me një njeri të ndershëm që do t’i qëndronte besnik gjithë jetën. Ai ishte njeri i dashur dhe do ta donte gjithnjë. Dhe ajo vërtet ishte e lumtur por vetëm për pak kohë, sepse komshinjtë do t’i thurnin intriga nga më të shëmtuarat.
Ah, bota!

Komshinjtë nuk kishin asnjë lloj mëshire. Nuk kishte ditë të mos e merrnin çiftin nëpër gojë. Në historinë e martesës së tyre, po ngatërroheshin të gjithë: shkrimtari, që luhej nga Fiori Malelli, Don Kaçifa nga Enea Nexhipi, djali me sombrero nga Florjan Terolli e deri te kryetari që luhej nga Orest Agolli. Gjithkush prej tyre kërkonte një aventurë dashurie me gruan 18-vjeçare të këpucarit, kjo edhe për faktin që bashkëshortët kishin diferencë të madhe moshe dhe sepse ai ishte njeri i urtë. Ditët e saj po bëheshin gjithnjë e më të vështira. Nuk po mundej t’i përballonte dot më. Ishte gjithnjë nervoze, nuk kishte asnjë mundësi ku të zbrazte shpirtin e saj. Gjithë mllefin për botën e shkarkonte mbi të shoqin. Atij i duhej të qëndronte i heshtur dhe të duronte, të mos e acaronte gruan e vet, e cila shpërthente në mënyrën më të beftë. Ata e donin njëri-tjetrin, madje shumë, por tashmë në atë shtëpi nuk kishte qetësi. Të dyve po u sosej durimi, veçanërisht të shoqit, që përpiqej të ishte sa më i qetë. Të vetmit miq të sinqertë të 18-vjeçares ishin dy fëmijë që prezantoheshin me shumë finesë nga Laora Xhihani dhe Denada Nexhipi. Fëmijët gjithnjë e kanë shpirtin të pastër. E tillë ishte edhe gruaja e këpucarit, shpirti i saj ngjasonte me atë të fëmijëve, por tashmë prej shumë kohësh provonte vetëm dhimbje dhe vuajtje të mëdha. Fajin ia linte mblesit që ia kishte mbushur mendjen të martohej me këpucarin, por edhe kjo nuk ishte gjë tjetër veçse justifikimin, sepse ajo e donte të shoqin. Por ndërsa mbrëmja binte, Don Kaçifa niste t’i këndonte, këpucares së bukur:

Në mes të natës në qetësi,

Ti në ballkon më rrije

Unë të këndoj me ëmbëlsi

Dhe t’i më dëgjoje.

Këngët e tij e acaronin edhe më tepër.

Shfaqja sillte të papritura njëra pas tjetrës. Duartrokitjet përsëriteshin herë pas herë. Po kaq entuziaste ishin edhe dy mësueset: Oriana Gjermani dhe Elsa Memelli, sepse shfaqja po shkonte drejt suksesit të plotë, ishte shpërblimi më i mirë për përpjekjet e tyre.

Ikja e të shoqit

Në çastin që do të dilte nga shtëpia, i tha të shoqes: “Do të iki nga shtëpia!” “Ik”! – ishte përgjigjja e saj, sepse nuk e besonte që burri i vet do ta braktiste. “Ik”, i tha ajo. Dhe ai doli. Që nga ajo ditë nuk u pa më në atë shtëpi. Askush nuk e dinte ku ndodhej, asnjë lajm nuk vinte prej tij. Por edhe pas largimit të burrit, në shtëpinë e saj nuk ndryshoj asgjë. Përkundrazi gjithçka u përkeqësua. Me ikjen e tij, shpresat për të pasur një aventurë dashurie me 18-vjeçaren u shtuan. Thashethemnajat u bënë më të shumta. S’ishin pak ata që nuk ia donin të mirën: Meri, interpretuar nga Ketrina Hazisllari, Jursida Liçi, Era Vina, Irini Demko, Kela Gorari dhe Gisela Ahmetlli. Jeta e 18-vjeçares u bë edhe më e vështirë. Iu desh të hapte një lokal për të siguruar bukën, por në lokal i mblidheshin ata që e synonin atë, që e mërzisnin dhe e trishtonin. Burri i saj nuk është më aty, ajo nuk e di nëse do t’i kthehet një ditë ose jo, por nuk dëshiron të martohet me një burrë tjetër. Ajo vazhdon të jetë gruaja e këpucarit, nuk ka asnjë dëshirë ta ndërrojë atë më një burrë tjetër. Ajo e ka vendosur do të qëndrojë e pamartuar. Kafeneja po i shndërrohej në ferr. Burrat vijnë aty për ti kënduar këngë e për ta bërë për vete, edhe pse ajo i urren.

Kur nata vendin e mbulon,

Dhe kafenetë mbushen plot,

Për ty qan zemra ime edhe vajton,

Dhe raki kërkon.

Ose:

Moj këpucare sa e bukur je,

Me ato naze porsi nuse e re,

E kur më shkoje ti në bulevard

Zemrat tona digjen flakë e zjarr

Epilogu

Kishte kaluar mjaft kohë nga ikja e këpucarit. Por një ditë në lokalin e saj hyri një i panjohur, i veshur ndryshe. Ai i tregoi historinë e jetës së tij, kurse ajo i tregoi historinë e saj. Ishin histori të ngjashme si dy pika uji. Gruan e kishte marrë malli për të shoqin, kurse burrin e kishte marrë malli për të shoqen. Përmes rrëfimeve të saj burri i panjohur kuptoi dashurinë e vërtetë të kësaj gruaje, i kuptoi mallin që e mundonte. Ndaj erdhi një çast, kur ai e hoqi veshjen jo të zakonshme që kishte veshur. Gruaja mbeti si e ngrirë. I kishte ardhur i shoqi. Ai ishte kthyer sërish në shtëpinë e tij.

Me mall kujtoj rininë

Kur djalë i ri unë isha,

Me fund pija rakinë,

Se halle, brenga kisha.

Shfaqja mbërriti në pikën kulmore, këndonin bashkë burrë dhe grua, këpucari me këpucaren e bukur. Ata ishin kaq të lumtur!

Këpucari: – Se ti vetëm qaje,

Këpucarja: – Se unë vetëm qaja,

Këpucari: – S’pranoje të qeshje,

Këpucarja: – S’pranoja të qeshja

Fqinjat: – Por thërrisje si e marrë moj, hajde, hajde.

Këpucarja: – Se thërrisja si e marrë moj, hajde, hajde.

Dhe ata vërtet duheshin deri në marrëzi. Dashuritë e vërteta u ngjasojnë dallëndysheve që kthehen gjithnjë te e njëjta fole. Edhe këpucari ishte kthyer të këpucarja e tij e bukur. Regjisori Dhimitër Orgocka, drejtoresha e shkollës, Oriana Gjermani dhe mësuesja e artit Elsa Memelli, ishin më se të lumtura. Shfaqja rezultoi e suksesshme, i kishin dhuruar shkollës një nga gjërat më të bukura: Besimin për të qenë dikush.