Koncert festiv i fëmijëve të Qendrës Kulturore Fushë-Krujë

1183
Sigal

Aktiviteti u mbyll me premtimin se të tjera si ky, do të ketë edhe gjatë vitit 2015, siç do jetë edhe Festivali i Interpretuesve të Këngës Popullore për Fëmijë

E premtja ka qenë e veçantë për Fushë-Krujën, pasi Qendra Kulturore e Fëmijëvë, Fushë-Krujë, nën drejtimin e sopranos së mirënjohur Rakipe Karaj, organizuan koncertin për fëmijë, me rastin e festive të fundvitit. Me një larmishmëri këngësh për fëmijë të përgatitura posaçërisht me rastin e festive nga kompozitori Ylli Kalaja dhe të përpunuara nga “Studio Ramzoti”, fëmijët e Fushë-Krujës, përjetuan emocione të veçanta. Atmosfera ishte elektrizuese, vendet ishin të mbushura plot me fëmijë dhe prindër, ndërkohë që një pjesë e tyre qëndruan dhe e ndoqën aktivitetin në këmbë. Nuk mungonte as babagjyshi i viti të ri, të cilët fëmijët vetë e kish improvizuar. Në fjalën hapëse foli edhe Drejtoresha e Zyrës Arsimore Krujë, Anila Isaku, e cila i uroi fëmijëve dhe prindërve të pranishëm festat, po ashtu Isaku foli edhe për sukseset e fundit të QKF Fushë-Krujë në aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare. Në fund të fjalës së saj u fol edhe për nisjen e një viti sa më të mbarë shkollor dhe në tërësi. Më pas fjalën e mori Drejtoresha e Qendrës Kulturore të Fëmijëve Fushë-Krujë, soprano Karaj, e cila bëri një rezyme për çmimet e fituara nga fëmijët. E nisi me çmimin e parë të fituar në Festivalin Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë Shkodër, ku kënga “Mami, mami, ma” fitoi çmim të parë, çmimin e dytë që mori grupi i valleve në aktivitetin “Kupa e Pavarësisë”, me rastin e festive të nëntorit, po ashtu u përmendën disa çmime të tjera nëpër festival të qarqeve të tjera të Shqipërisë dhe Kosovës dhe sukseset e arritura në aktivitetet ndërkombëtare, USA, Bosnje-Hercegovinë, Rumani, Turqi, Greqi dhe vende të tjera të rajonit. U fol gjithashtu edhe për fëmijët që janë rritur në skenën e Fushë-Krujës dhe sot i shohim si fitues në Liceun artistik, Akademinë e Arteve dhe kompeticionet “X-Factor” “The Voice of Albania”. Një rol të veçantë ka pasur edhe puna e koreografes që ka punuar me valët për fëmijë, bëhet fjalë për zonjushë Elda Mamoci, e cila me dashuri ka arritur të ngjisë në skenë, valët dhe kërcimet më pikante shqiptare dhe të huaja. Përsa i takon aktivitetit të së premtes në ambientet e “Sky club Kaloshi”, duhet përmendur fakti që fëmijët ishin veshur të gjithë në uniform me elementët festivë, që simbolizojnë ngjyrat e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Dekori interesant, ishte punuar me shumë klas nga “Vëllezërit Tali” si dhe nga Kreshnik Lleshi, Alfred Leti dhe Redon Cani. Repertori i fëmijëve ishte mjaft i pasur dhe u vunë re këngëtarët, Xhesika Zalla, Florinda Barushi, Marjo Zaja, Klinsman Rrahmani, Fernando Arapi, Suila Zela të cilët i kemi ndjekur edhe në aktivitetet kryesore në Shqipëri e më gjerë. Po ashtu me performancën e tyre në piano luajtën edhe vogëlushët Samela dhe Klejdi Babasi dhe Andri Cela. Recituesit ishin një tjetër element i shtuar i këtij aktiviteti të përvitshëm në Fushë-Krujë, të cilët me vjershat katërvargëshe të përgatitura nga Aulon Kalaja, i dhanë një tjetër dimension festës. Për të ndjekur aktivitetin kishte ardhur dhe një përfaqësi nga DAR Durrës dhe nga QKF Krujë, po ashtu edhe drejtorët, nëndrejtorët dhe mësuesit e shkollave 9-vjeçare dhe shkollave të mesme Fushë-Krujë dhe Krujë. Të pranishme ishin edhe disa nga mediat më të rëndësishme. Aktiviteti u përmbyll me premtimin se të tjera si ky, do të ketë edhe gjatë vitit 2015, siç do jetë edhe Festivali i Interpretuesve të Këngës Popullore për Fëmijë, me pjsëmarrjen e përhershme të zonjës Edit Mihali. Të tjera sfida i presin vogëlushët e Fushë-Krujës, ku e radhës është edhe Festivali i Prishtinës, që zhvillohet me datë 26-27 dhjetor të këtij viti.

Aulon Bej KALAJA