Kompleksi i rrallë kulturor islamik dhe intim i Xhermëhallës në Delvinë

1644
Nga Halil SHABANI
Shkrimtar, studiues, historian, arkeolog
Ndoshta vetëm historianët, studiuesit dhe adhuruesit e historisë kanë horizont të plotë mbi këtë “pjesëz”të Sanxhakut të Delvinës që sot ka ngelur ende në këmbë -lagjja Xherrmëhallë. Aspak nuk përjashtohen nga ky horizont i relikteve shumë të vyera e të rralla dhe unike të këtij lloji që banohet në trevat e shqiptarëve; delvinjotët që i kanë ruajtur ato deri në ditët tona. Përkujdes është treguar vitet e fundit nga ana e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve që ka akorduar fonde për pastrimin dhe restaurimin e disa prej këtyre objekteve kulti; si medresesë, xhamisë etj. Ka bërë të mundur që të shpëtohen këto objekte nga rreziku I shkatërrimit. Por ç’është ruajtur deri më sot nga kjo qendër e dikurshme e sanxhakut të Delvinës?! Delvina, e themeluar menjëherë pas rënies së fundit të qytetit antik të Foinikes, nga djegiet, grabitjet dhe shkatërrimi total që Iu bë nga gjenerali Delua i Ostrogotëve të Tokilës në vitin 551, filloi të shndërrohet në një qendër të re ekonomike dhe politike. Ndoshta, duke marrë shkas nga burimet e shumta të ujit, themelet e para me sa duket u hodhën nga banorët në këtë lagje, që është më e vjetra e Delvinës-Xherrmëhalla. Ashtu si ç’do e keqe, sjell për pasojë edhe ndonjë të mirë, rasti i barbarëve ostrogotë që rrafshuan Foiniken dhe Onhezmin, sollën edhe lindjen e qytetit të ardhshëm, Delvinës. (legjenda e gjeneralit Delua ndoshta është më e besueshmja, që për nder të emrit të tij iu vu edhe emri qytetit të Delvinës). Një element i ri dhe i rëndësishëm i sjellë nga pastrimet e medresesë e xhamisë në Xherrmëhallë, janë edhe dy fragmente shtyllash mermeri me tetë faqe. Kujtojmë, se kolonat apo shtyllat e mermerit me tetë faqe, janë zbuluar deri tani në antikitetin ilir-epirot vetëm në kryeqendrën e Epirit, në Foinike dhe në kulturën greke vetëm në Athinë. Fakti i shkatërrimit dhe djegies së Foinikes dhe ndërtimi i qytetit të ri të Delvinës (v.551) është mjaft domethënës që në Delvinë dhe Mesopotam (për institucionet kristiane) u transmetuan edhe elementë kulturorë unikë, siç është rasti i kolonave me tetë faqe. Por nga ato pastrime, këtu u zbuluan edhe blloqe gurësh me zbukurime paleo-kristiane, mbi të cilin ishte përgatitur ulluku për kalimin e ujit që furnizonte tre çezma tek medreseja. Me siguri këto blloqe gurësh janë marrë nga themelet e banesave apo objekteve të kultit të mëparshëm këtu, në Xherrmëhallë. Gjithashtu janë gjetur një fragment zbukurimi ku duket njëra pjesë e kryqit e gdhendur në mermer dhe bazamenti i një shtylle mermeri. Këta elementë më të hershëm se kultura islamike e instaluar këtu në Xherrmëhallë, flasin të paktën për një kulturë bizantine në themelet e kësaj lagjeje. Megjithatë këto elemente nuk ia ulin vlerat kulturore, përkundrazi, ia shtojnë reliktet e arritura deri më sot Xherrmëhallës dhe vetë qytetit të Delvinës së lashtë. Në qoftë se do të renditim objektet e kultit, fortifikimin e kalasë, kroin apo çezmat dhe urën e vogël në një vend kaq të vogël, por me intensitet ndërtimesh arkitektonike, Delvina me Xherrmëhallën përbën një gjetje unike në llojin e vet. Kalaja e Delvinës në trajtë elipsi, muret mbrojtëse të së cilës rrethojnë një kodër shkëmbore të pjerrët rreth 60 metra të gjatë e 30 metra të gjerë, luan një rol strategjik që bën mbylljen e pellgut të Delvinës dhe zonën e Rëzomës për kalimin në luginën e Drinos. Muret me lartësi nga 2 metra deri në 7 metra, janë të pajisura me tre kulla, me frëngji dhe një hyrje nga ana veriore. Hyrjen kryesore e ka nga ana lindore. Dora e parë e ndërtimit të saj është në shek. XI-XII, por mbaroi në shek. XIV. Brenda saj ruhen katër ndërtesa, një sterre uji dhe dy depo. Sistemi i saj i mbrojtjes dëshmon për njohje të artit të fortifikimit si një shembull unik për vendin tonë. Xhamia “mbret” në jugperëndim të territorit të saj, më e hershmja në vendin tonë, e ndërtuar më 1762 në majë të kodrës strategjike, pasohet nga hamami në buzë të përroit, po në atë faqe të kodrës. Kurse në anën tjetër të asaj lugine të vogël renditen çezma, ura, medreseja, xhamia dhe dy tyrbet. Njëra tyrbe është ndërtuar nga të parët e fisit Bazaiti që pasardhësit e tyre jetojnë edhe sot në Delvinë (nga fiset më të lashta të Delvinës). Ndërsa tyrbja tjetër është ndërtuar nga të parët e fisit Pashako. Tërë këto objekte arkitektonike dhe me vlera kulturore mesjetare të rralla, janë ndërtuar pranë e pranë ku dallohen edhe sot lidhjet midis tyre aty-këtu me rrugë të kalldrëmta dhe shkallare guri. Dikur këto komplekse kulturore përbënin qendrën aristokrate të Delvinës së Vjetër. Por jo vetëm kaq. Vendi i përzgjedhur, lugina e ngushtë me plot ujë, mbuluar me bahçe e dru frutorë të shumtë e nga të gjitha llojet e klimës mesdhetare, e repishteve etj. Krijojnë një ambient intim, ku sigurisht kalonin kohën shtresat e larta delvinjote. Ky është një vend i maskuar dhe i mënjanuar nga qyteti…një privilegj i të pasurve ku nuk mund t’i vëzhgonte askush. Hamami dhe shërbesat e tjera fetare, mes një gjelbërimi gjithëvjetor e ujërave të kristaltë që rrjedhin vrullshëm, flasin për një jetë me kërkesa cilësore të atij qyteti. Megjithatë koha që nga mesjeta e deri më sot, ujërat rrjedhëse, rrëshqitjet si pasojë e pjerrësisë në dy faqet e kodrave, kanë bërë që rreziku i disa objekteve të jetë i pranishëm drejt shembjes. Hamami ka pësuar çarje në këndin verior të godinës dhe në tavan. Muri mbrojtës i godinës së xhamisë vazhdon të krijojë pjerrësi edhe më të madhe edhe pse është ndërhyrë me dy kundra-forte muri guri, përsëri rrezikon rrëshqitjen e tërë godinës. Restaurimi i objektit dhe muri i tarracimit që shërben si koftra-fortë, realizuar vitet e fundit, e kanë shpëtuar rrënimin. Me sa duket, vetëm dy tyrbet dhe medreseja janë në gjendje të mirëmbajtur deri tani. Ndërhyrja emergjente me siguri do t’i shpëtojë këto objekte nga shkatërrimi që iu kanoset e, në veçanti për hamamin, që është i vetmi i këtij lloji që njihet në vendin tonë. Tek ky kompleks arkitekturor i rrallë do të ngelet një pasuri e papërsëritshme në përbërje të kulturës kombëtare shqiptare. 
Sigal