Koha, e vetmja ”enë” që peshon më rëndë kur është bosh ….!

1896
Evdal  NURI 

Të gjitha enët peshojnë rëndë kur janë plot, kurse tek koha ndodh e kundërta. Kujtoni sa mërziteni e bëni fjalë kur në një takim partneri vonohet qoftë dhe disa minuta. Sa habiteni pas një pune ose takimi të dëshiruar! Edhe pse kanë kaluar tre orë thoni: “Sa shpejt paska ikur koha”!

1- Mbi kuptimin filozofik të kohës: Të mendosh për kohën, do të thotë të mendosh për vetë ekzistencën. Koha është copa prej të cilës është bërë kjo ekzistencë. Duam apo s’duam ne, jemi apo s’jemi, ajo ekziston! Ajo është e paasgjësueshme dhe patjetërsueshme. Rrjedh nga e shkuara, tek e tashmja, drejt së ardhmes. Në këto tre çaste të kohës me sa duket vetëm e tashmja jetohet realisht. E kaluara dhe e ardhmja janë të zhveshura nga çdo qenie e vërtetë. E shkuara s’ekziston më, kurse e ardhmja nuk ekziston ende. Drejt thonë, që kur ke kohë mos prit kohë. 

2-Sa na peshon koha? Koha është gjëja më e shtrenjtë që duhesh të kujdesesh për të, ndërsa është gjëja më e lehtë që mund të humbësh. Shumë herë ankohemi se s’kemi punë! Meqenëse s’kemi punë gjejmë variante nga më të ndryshme për ta mbushur, por pa “bereqet”. Shumë njerëz e “shtyjnë” e jo “mbushin” kohën. S’u peshon koha, se s’duan ta “mbushin” e jo s’kanë me se e “mbushin”. Ka shumë mënyra për ta “mbushur” kohën. Kjo varet nga individi, prirjet, kushtet social- ekonomike, niveli kulturor mentaliteti e tj. Koha është jeta. Koha është “nënë”, kur e shfrytëzon e “njerkë”, kur e shpërdoron. Ai që e shfrytëzon kohën në punë të mira është i lumtur, ndërsa ai që e humb kohën e tij, ka humbur gjithçka. 

3 – Jeta dhe jetesa . 
Jeta përfshin kohën nga dita që lind, deri ditën e vdekjes. Jetesa është mënyra e organizimit, jashtë kohës së punës. Jetën na e ka caktuar, Zoti. Tek ne, jetesa, kjo e dyta është pothuajse e barabartë për të gjitha ditët . Punë, shtëpi, kafene e asgjë tjetër. Këto dy komponentë deri diku e plotësojnë njëra- tjetrën. Koha e lirë e planifikuar dhe e organizuar ka për qëllim dhe detyrë t’i mundësojë individit t’i realizojë interesat, prirjet sipas disa kërkesave të përgjithshme. Kështu p.sh. për njerëzit punonjës, shfrytëzimi i kohës së lirë ndikon pozitivisht në ruajtjen e kondicionit për punë, në kompletimin dhe përsosjen e aftësive profesionale, në plotësimin e nevojave kulturore dhe jetësore etj. Pra, ajo ndikon në zhvillimin harmonik dhe të plotë të njeriut. Nëse puna dhe karakteri i saj normativ e i detyrueshëm në përmbajtjen reale të jetës shkakton një kufizim të lirisë individuale, atëherë koha e lirë është një faktor me një reflektim shoqëror të gjerë, sidomos çlirues nga monotonia , streset që ne i kemi bashkudhëtarë. Karakteri i kohës së lirë, pavarësisht nga format konkrete në të cilat realizohet, është individuale dhe si i tillë ky karakter është i shprehur tek të gjithë njerëzit për disa arsye, siç janë plotësimi i disa kërkesave të veçanta fizike, psikologjike e profesionale. Aktivitetet e kohës së lirë janë ato aktivitete apo veprime, të cilat individi i zgjedh dhe i jeton gjatë kohës. Ato përbëjnë përmbajtjen e kohës së lirë dhe janë të shumta, si për nga numri ashtu edhe për nga llojllojshmëria e tyre. Kjo varet nga shumë faktorë. Nga vendi ku ne jetojmë. Nga aktiviteti i organizata të ndryshme, si qendra sportive, kulturore, parqe, mjedise argëtimi. Kriter tjetër mund të jetë mosha dhe gjinia. Ekzistojnë aktivitete të kohës së lirë për fëmijë, për të rinj, për të rritur, për meshkuj dhe për femra .Secili do të zhvillojë aktivitetin në përputhje me moshën, prirjet mundësitë, dëshirën. 

4- Sa e si e shfrytëzojnë kohën shqiptarët? 
Mënyrat dhe format e organizimit janë nga më të ndryshmet. Secili i planifikon në përputhje me shijet e mundësitë e tij. Të fillosh nga vetja. Tani kam kohë më të lirë e shkruaj diçka më tepër. Unë jam intelektual. Kohën s’dua ta kaloj kafeneve apo duke lozur bilardo apo domino. Ja që gjeta një mënyrë tjetër më interesante për të kaluar kohën. Mundohem të “mbush” kohën. Këtu unë kam gjetur mënyrën, që koha t’më duket më e lehtë. Duke harxhuar orë të tëra për një artikull unë s’ndjej lodhje, por kënaqësi se diçka po bëj në dobi të vetes e shoqërisë. Një ditë motra Semihaja m’u ankua se ishte prapa me mësimin e frëngjishtes. Është rast i rrallë që një grua 81-vjeç kalon kohën në mënyrë të kulturuar duke mësuar një gjuhë të huaj. Shembull për gjithë moshataret e saj që e kalojnë kohën duke parë gjithë ditën telenovela. Po Engjëllushja? Mbi 60 vjeç, dha me sukses frëngjishten tek “Vitrina franceze”. Mori patentën e shoferes e tashti në mënyrë intensive po mëson pianon! Një ditë Pr. Dr Hysen Kordha e A.Teta më ankoheshin se s’iu dilte koha. Jemi gati ta blejmë dhe prap s’na del, ngulmonin! Por këta janë të pakët! Shqipëria mund të jetë një nga vendet me të ardhura më të ulëta për frymë e pagat më të vogla në Evropë, por kjo nuk e pengon atë të jetë shteti i dytë në Botë pas Spanjës për numrin më të lartë të bar-kafeve për 100 mijë banorë. Këto ditë isha në Shkodër. Me të drejtë kunati po më tregonte: “Shkodra është qyteti i artit e i kulturës në Shqipëri. Ajo ka qenë djepi i kinemasë, teatrit, operës, bibliotekës, bandës, fotografisë, futbollit në Shqipëri! Atje kemi gjimnazin, bibliotekën e parë e shumë të para të tjera”. Po tashti e pyeta? Me keqardhje, më tha, gjithçka është venitur. Tani kemi jo pak, por 732 kafene, 42 lodra bixhozi, e vetëm katër librari dhe këto mikse! Jo në Shkodër, por kudo vetëm kafene! Tek rruga ‘Ali Demi’ pak më lart Ullirit në 100 m gjenden 10 kafene. Me një kafe shtyjmë disa orë duke bërë politikë apo biseda pa vlerë. Të tjerët me politikë! Ky është rituali i përditshëm për shumicën e popullsisë. Që shqiptarët e kanë ‘hobi’ të qëndruarit sa më shumë nëpër kafene, këtë e dëshmon fakti që në çdo orë të ditës ato janë të tejmbushura. Ka nxënës e studentë që i bëjnë bisht ndonjë ore mësimi dhe zgjedhin baret për të kaluar atë që mund ta quajnë edhe si kohë të lirë, ndonëse nuk është aspak kështu. Ka të rinj dhe jo vetëm të papunë, të cilëve u mjafton një kafe, për të kaluar aty disa orë nga dita e tyre e gjatë dhe pa asnjë angazhim. U befasova kur INSTAT deklaroi se 30% e të rinjve nga mosha 15-29 vjeç s’venë as në shkollë e as në punë! Po të ishte realizuar premtimi nga PS-ja në 2013-ën , se do të hapim 300.000 vende pune, INSTAT s’do jepte këtë shifër! Tani që jemi në kohë fushate, kush kërkon përsëri pushtetin nga ky bilanc duhet të niset. Ç’ke premtuar e sa ka realizuar? Fjala vjen u tha, se jemi të dytët në Evropë për burimet hidrike. Ku e keni premtimin për 24 orë ujë? Si kjo e dhjetëra premtime të tjera. Bilanci duhet të jetë i saktë. Këtë premtova, këtë realizova. Këto të tjerat, s’munda t’i realizoj. Tani e keni ju në dorë. Jeni të kënaqur, ma jepni pushtetin, ndryshe jepjani dikujt tjetër që i besoni më shumë. Kështu bëhen fushatat në perëndim. Mbesa ime jeton prej kohësh në Francë. Ka dixhitalb, për t’mos u shkëputur nga vendlindja. Pse kaq të zgjatura fushatat elektorale tek ju, më tha. Sa kohë paskeni? Në Francë një muaj para zgjedhjeve kandidatët bëjnë disa takime. Premtojnë, por s’gënjejnë e mirupafshim pas katër vjetëve. Njerëzit atje e kanë të qartë ç’kanë realizuar. S’ka pse t’iu mbushë mendjen me fjalë e premtime kur rezultatet shihen e preken. Një deputet që s’ka realizuar premtimet, s’ka të drejtë morale që të kërkojë të kandidojë përsëri. Edhe po ta kërkojë, s’i vete njeri në takim. Kjo është demokracia në Francë! Po tek ne? Shih e flit! Kemi arritur në një pikë të jetës që s’duhet të humbasim më tepër kohë për ata që na shqetësojnë ditë e natë me moral të shtirur. Na ka sosur durimi nga kritikat e ndërsjella, të pa bazuara dhe akuzat e ç’do natyre. Është më tepër se një hipokrizi që të kënaqësh ata që s’të pëlqejnë, vetëm se kështu i bëhet qejfi atij apo këtij! S’i mund t’iu buzëqeshësh atyre që s’iu qesh buza kurrë për ne? Kemi arritur në një pikë të tillë, që s’duam të humbasim asnjë minutë kohë me gënjeshtarët e manipuluesit. Duhet të vendosim që të mos bashkëjetojmë me hipokrizinë e pandershmërinë dhe lëvdatat e tepërta që i dëgjojmë shpesh nga servilët e morali i interesit! Në këtë situatë s’mund t’i përshtatemi, duke pranuar krahasimet e konfliktet artificiale! S’duhet të pëlqejmë një miqësi hipokrite gënjeshtare, plot tradhti dhe mungesë besnikërie! 

Së fundi të gjithëve na është sosur durimi, për të gjithë ata që s’e meritojnë durimin tonë! Përfundimisht: “Ka njerëz që një pjesë e kohës i shkon duke vepruar gabim, pjesa tjetër duke mos bërë asgjë, kështu që e gjithë koha u shkon duke bërë tjetër gjë nga ajo që duhet të bënin. Të ndërgjegjësuarit për gabimin, ata me shfrytëzimin e kohës binden, se ky është hapi i parë për t’iu afruar sadopak lumturisë, që aq shumë e dëshirojmë, por jemi shumë larg për ta përvetësuar. Kjo vetëm për fajin tonë” 
Sigal