108 vjet nga shfaqja e parë teatrale në Vlorë, sot, teatri i Vlorës rrezikon të ardhmen e trupave artistike të saj

1072
Ergys ALUSHI 
29 janar 1909.
Klubi “Labëria” vendos në skenë dramën “Vdekja e Pirros”, vepër e patriotit, Mihal Grameno. Ndodhte për herë të parë. Teatri i parë në Vlorë.
Jani Minga, ishte organizatori i vënies në skenë së kësaj drame. Në rolet kryesore, luajtën si njerëz me arsim të lartë si Spiro Jorgo Koleka, por edhe artizanë të thjeshtë si Llukë Papajorgji (Llukë Berberi). Ngjarja bëri bujë për kohën.
Në 3 prill të vitit 1909, konsulli austrohungarez në Vlorë, do të raportonte qeverinë e vet ndër të tjera se kjo pjesë “… Ushqen urrejtjen ndaj armiqve… pati duartrokitje të zjarrtë”.
NdËrsa autori i vepres Mihal Grameno, duke falënderuar klubin shkruante “Rroftë Vlora me bijtë e saj.ëshët hartimi im për urimin e ëprgëzimin që më bëën për “Vdekjen e Pirros”ët cilën pata lumturinë ta dëgjoj lujtuar në Vlorë”. Një ndër të veçantat e organizimit të shfaqjes teatrale, ishte se në të morën pjesë njerëz nga të gjitha besimet fetare, për të dhënë mesazhe të bashkimit Kombëtar. Është po kjo trupë që në vitin 1909 shfaqi me mjaft sukses dramën “Besa” të Sami Frashërit. Me shfaqjen e kësaj drame u kristalizua bërthama e grupit të parë e teatrit të Vlorës. Klubi “Labëria” caktoi një sallë, formoi me anë ndihmash një bazë materiale dhe caktoi si përgjegjës të sektorit të teatrit mësuesin Jani Minga. Ishte përsëri Jani Minga që më 17 qershor 1912 me nxënësit e shkollës së Kaninës, jep një shfaqje me dialogë, këngë e recitime në prag të shpalljes së Pavarësisë, ndërsa në pranverë të vitit 1920 djelmëria e Vlorës në mënyrë të fshehtë përgatiste dramën e Milto Duçit “Gjaku”, e cila u dha me rastin e çlirimit të qytetit.
27 nëntor 1962/Krijohet Teatri Profesionist i Vlorës.
Në mbrëmjen e datës 28 nëntor në Vlorë, në sallën e kinoteatrit “7 Nëntori”, teatri i porsakrijuar profesionist i Vlorës, bashkë me amatorët më të zgjedhur të rrethit, ngritën për herë të parë siparin me veprimtarinë muziko-letrare “O flamur gjak, o flamur shkabë”.Ishte shfaqja e parë që do të shtronte përpara sfida të mëdha në vendosjen në skenë të veprave të shumta.
Emrat e parë të trupës së teatrit janë Vangjel Panozaqi, Liza Laska, Astrit Hasho, Pirro Sava, Myqerem Fera, Vasillaq Godo, Ali Roshi, Vasil Qesari, Dudi Hasho e të tjerë emra.
Në vitet në vazhdim, teatri i Vlorës fitoi përvojën dhe respektin e spektatorëve, u shtua me emra të rinj e të merituar si Albert Verria, Adem Gjyzeli, Resmie Ruci, Agim Shuke, Bujar Asqeriu, Hatiqe Bendo, Jorgaq Tushe, Afërdita Tushe, Astrit Mamaj, Vladimir Abilaliaj, Artan Islami, Ilirian Ali, Matilda Avduli etj. Në dhjetor të vitit 1962, teatri profesionist i Vlorës dha shfaqjen e parë të titulluar “Fundosja e skuadrës” të një autori rus e me regji të Kujtim Spahivogli. Sot, 108 vjet pas shfaqjes së dramës së parë teatrale në qytetin e Vlorës, teatri i Vlorës, është duke kaluar një krizë të vërtet si artistike ashtu edhe menaxhuese. Në krizë është edhe Estrada, për faktin se aktorët e humorit, parodistët e Vlorës janë duke dhënë gjithnjë e më pak shfaqje, si për shkak të moshës, por edhe të mungesës së fondeve, projekteve, libretit e regjisorëve.
Edhe teatri dramatik vuan mungesën e aktorëve, ndërkohë që në teatër me kohë të plotë kanë mbetur vetëm 5 aktorë e një regjisor, ku aktori me moshë të re është 50 vjeç. Edhe pse ka vende boshe për aktor dhe në qytet ka të rinj që kanë mbaruar shkollën e lartë për aktorë e regjisorë, përsëri askush nuk është punësuar në teatër. Teatri i Vlorës për shkak të krizës ekonomike për shkak të menaxhimit të keq nga ana e drejtorit të teatrit Dhimitraq Furxhi, nuk ka marrë pjesë në festivalin e dramës në Gjilan të Kosovës. Shkaku ishte, mungesa e lekëve për transport!
Të gjitha këto problematika, rrezikojnë të ardhmen si të teatrit dramatik të Vlorës ashtu edhe atë të Estradës 
Sigal