Kabil Bushati/ Kryeashiku i Shkodrës, Cuf Shkreli

920
Sigal

Këngëtarja e njohur turke Xhemile Hanëmi, erdhi për dy ditë dhe ndenji dy javë në Shkodër,  me të ishte Cufi

Më ka rastis të shoh nëpër ahengjet shkodrane njerëz të pasionuar pas këngës dhe këngëtarëve që kalojnë në ekstazë, përhumbën pas vijës melodike si somnambulë në ëndrra. Dhe shpeshherë kam pyetur veten, mos vallë kënga shkodrane ka magjinë e saj sa i bën disa njerëz si të elektrizuar pas saj, lëvizin qetësisht sipas riteve të saj.  Një miku im thotë se nuk mund ta duash ahengun e vjetër shkodranë pa dashtë Shkodrën. Më duket se ka të drejtë. Se nuk thonë kot që Shkodra është dashnorja e shekujve.

Një personazh të tillë që njoha në Shkodër  ishte edhe Cuf Shkreli. Nuk e teproj po ta cilësoj; Kryeashik të ahengut të vjetër shkodran.  U lind në vitin 1919.  Baba i tij, Alushi ishte i biri i Kasem Shkrelit,vëllait të Dasho Shkrelit.  Familja e Cufit është me origjinë nga Shkreli i Malësisë së Madhe, e cila zbriti në Shkodër, në lagjen “Dudas” nga mezi i shekullit 18-të. Në këtë lagje jetojnë edhe sot e kësaj dite. Një familje shumë patriote dhe trime. Nga të gjithë meshkujt e kësaj familje, vetëm Cufi vdiq nga një sëmundje natyrale, sepse të katër vëllezërit paraardhës të kësaj shtëpie, mbetën të vrarë në luftëra. Ata janë Dasho, Cafo, Sefo dhe Kasem Shkreli që dhanë jetën për ketë Shkodër. Dasho Shkreli është një nga luftëtarët dëshmorë shkodranë të gjysmës së parë të shekullit të XIX-të, një nga kreshnikët që luftoi qoftë kundër malazezve në mbrojtje të atdheut, qoftë kundër osmanlinjve më rastin e kryengritjes së Hamz Kazazit e që qe kurorëzuar me sukses. Dasho Shkrelit, populli i Shkodrës, i thuri që në atë kohë këngë lavdie e trimërie, duke e bërë emrin e tij të pavdekshëm.

Ndër të parët Dasho Shkreli bashkë me të vëllanë, Selon, iu përgjigjën kushtrimit për të shkuar në Luftën e Shpuzës, ku dhanë edhe jetën. Shpuza është një fshat shqiptar që më vonë, pikërisht në vitin 1913, i mbeti Malit të Zi. Më pas, në luftë e Koplikut me 1920 edhe Alushi, nipi i Dasho Shkrelit dhe babai i Cufit u plagos në fushëbetejë me serbët dhe mbas dy javësh vdiq, duke e lënë Cufin kërthi, vetëm gjashtë muajsh. Sa shumë gjak i ka dhënë kjo familje Shkodrës. Cufi, tashmë i mbetur jetim, u rrit me dy nëna, pasi me gruan e parë Alushi nuk kishte fëmijë. Ai trashëgoi një pasuri të madhe nga babai i tij dhe nga katër xhaxhallarët e tij të vrarë edhe ata në luftë, sepse Cufi ishte trashëgimtar i vetëm. Cufi pati fat se një kushëri i tij, Muho Shkreli u përkujdes për mirërritjen e tij. Muhoja ishte mezin tek xhamia e Dudasit dhe kishte një zë të jashtëzakonshëm. Si i tillë kushëriri këndonte edhe nëpër dasma e shyqyre, jo vetëm në Dudas por në tërë Shkodrën. Ahengjet ishin i vetmi dëfrim i shkodranëve të asaj periudhe. Cufi duke ndenjur me kushëririn gjithmonë dhe duke i shkuar nga pas kudo, që në moshe fare fëminore zuri merak me këngën shkodrane dhe ahengun shkodran. Shpejt u bë një pasionant i jashtëzakonshëm duke mos lënë asnjë aheng në Shkodër pa e dëgjuar dhe parë. U bë i njohur në Shkodër. Këtu fillon historia e dashamirësit dhe ashikut  më të madh që njeh Shkodra,për ahengun popullor.

Kënga qytetare shkodrane, me dimensionin e saj shekullor, është regjistruar në tërë linearitetin e saj në shpirtin e popullit që pa dyshim është shiriti më gjigand dhe më i pavdekshëm. E kush më mirë për atë periudhë e njohu dhe e këndoi këngën qytetare shkodrane, që vinte nga përtej shekujt, se sa  Sait Hoxha,i cili ishte një disk i gjallë i kësaj kënge, ishte një memorie dixhitale. Siç duket genet e këtij këngëtari të vjetër e plot patos janë trashëguar tek këngëtari i njohur dhe disi i veçantë i ditëve tona, Sherif Merdani, nëna e të cilit është e bija e Sait Hoxhes. Sait Hoxha ishte një thesar i këngës shkodrane. Po kështu ishin edhe Hila i Files, Lan Kalaja, Salo Shkreli, Lush Gurashi, Dash Kasemi, Nel Kadria, Jonuz Zeneli, Dul Haxhija, Nel Maha e shumë të tjerë. Të gjithë kishin nga një ndodhi në jetën e tyre. Dash Kasemi ishte rrobaqepës i talentuar dhe famoz dhe kishte qepë rrobat e nusërisë së Mbretëreshës Geraldinë. Imagjinojeni se çfarë gustoje kishte Dash Kasemi për atë kohë.

                       Pikërisht këngëtari legjendë Sait Hoxha u bë idhulli i Cufit. Sait Hoxha mund të quhej pa frikë se e teprojmë si Sundimtar i këngëtarëve shkodranë të asaj kohe. Nuk fillonte ahengu pa ardhur Saiti… Duhet thënë për hir të vërtetës se falë trashëgimisë së njohur Cufi ishte në gjendje të kamur ekonomike duke poseduar ne pronësi pesë shtëpia dhe tërë atë sipërfaqe toke dhe të gjitha i shiti e i harxhoi mbas ahengut. Kishte bahçe shumë të madhe dhe tetë punëtor për të kryer shërbimet e drurëve frutor. Ishte tip kavalier dhe nuk i dhimbsej gjë për shokët e tij. Dhe shpeshherë ahengjet bëheshin edhe në shtëpinë e Cufit, ku shtronte darka dhe dreka tepër të shtrenjta me gjithfarë mezesh e pijesh, tamam për ashikë. Cufi tashmë i rritur kryente rolin e udhëheqësit muzikor, ose më mirë me thënë të kritikut muzikor. Kishte karrige në vete dhe bënte renditjen e këngëve sipas kohëve të muzikës. Kjo ndodhte në periudhat kur nuk kishte dasma dhe synetllëqe. Tregojnë se kur erdhi këngëtarja e njohur turke Xhemile Hanëmi, që e sollën  tregtarët e Shkodrës për të dhënë koncert në Milet-Bahçe, Cufi ndenji dy javë pa ardhur në shtëpi. Shkodra nuk e lëshonte këngëtaren turke, ndaj erdhi për dy ditë dhe qëndroi dy jave mes mrekullisë shkodrane. Kur u largua e përmalluar tha se nuk kishte parë si ky qytet në asnjë vend të Lindjes së Mesme.

               Shokët e Cufit tregojnë një ngjarje të vërtete që e plotëson tërësisht portretin e tij të ashikut pasionant. Kur u martua Cufi, të nesërmen pas dasmës, kur të gjithë rrinin në shtëpi me nusen e re, ai pa i dëftuar askujt shkoi në një synetllëk duke ndenjur gjithë ditën me ahengxhinjtë. Duhet thënë se për hir të trashëgimisë Cufi ishte në gjendje të mirë ekonomike duke poseduar pesë shtëpia dhe tërë ato toka. Por në vitin 1950 divi i këngës shkodranë Sait Hoxha vdiq duke pikëlluar një qytet të tërë. Por Cufi nuk iu nda këngës popullore, sepse në Shkodër të gjithë ishin këngëtarë. Lagjja Dudas kishte grupin e vet të ahengut siç ishin Hasan Preza,Muho Cani, Halit Velija dhe Nut Baci dhe këngëtarin zë brilant Isa Hebovija. Nut Baci kishte mësuar kanarinën e vet që të këndonte himnin e ahengut shkodran. Ndërkohë shtojmë se Cufi shkonte shpesh në Elbasan për të dëgjuar Isuf Myzyrin, tek njerëzit e shtëpisë linte fjalë se do të shkonte për kurim në llixha. Disa herë shkoi në Sarajevë për të dëgjuar aheng nga këngëtarë boshnjakë.

                  Aty nga viti 1956 fillon të dëgjohet ne Bahçallëk të Shkodrës një zë tejet i veçantë dhe i ëmbël. Ishte zëri i Shqyqyri Alushit që më vonë do të bëhej legjenda e këngës qytetare shkodrane. Realisht, Shyqyriu bëhet këngëtar nëpër ambientet muzikore të shtëpive dhe lagjeve të Shkodrës duke dëgjuar drejtpërsëdrejti ose nga pllakat e gramafonit mjeshtra të ahengut si Shuk Prifti, Sadik Spahija, Marku i Kranjanes, Sait Hoxha, Hasan Prezën,Hasan Bushatin dhe Shyqyri Hajdarin etj.. Në moshën 10- vjeçare këndon me shokët dhe lagjes dhe më 1956 këndon këngët e para popullore në koncertin me rastin e inaugurimit të kinema “Republikës” në Shkodër. Për një kohë të gjatë këndon si këngëtar nëpër dasma në Shkodër dhe në të gjithë fshatrat e Nën Shkodrës, me lulishte, lokale të ndryshme si dhe në shtëpinë e oficerëve. Kudo ku këndonte Shyqyri Alushi ishte i pranishëm edhe Cuf Shkreli, ky njohës i mirë i ahengut shkodran. Prezenca e tij ishte e pa diskutueshme. Në lulishten “1 Maji”dhe kudo ku shkonte, Shyqyriu shoqërohej nga orkestra që përbëhej nga Deto Haxhi, Karlo Pali, Rexhep Zaganjori, Kol Vjerdha, Shefqet Kruja dhe Lan Kalaja. Në vitin 1974-1986, këndon si këngëtar profesionist pranë Estradës së Shkodrës deri sa doli në pension. Ka marrë pjesë në të gjitha festivalet dhe koncertet e organizuara në Shkodër si dhe në të gjitha përfaqësimet e folklorit muzikor shkodran në festivalet folklorike kombëtare dhe në Kosovë. Ka marrë pjesë gjithashtu edhe në shumë turne ndërkombëtare si në Rumani, Portugali, Turqi, Francë, Gjermani, Mali i Zi etj.. Shyqyri Alushi mbahet si këngëtari i fundit i ahengut shkodran.

                   Nga të gjithë këngëtarët që kishte areali shkodran Cufi pëlqente më shumë Shyqyri Alushin të cilin për 30 vjet radhazi nuk la vend pa e ndjekur, në çdo vend që këndonte.   Shokët e Cufit tregojnë një ndodhi tepër të dhimbshme. Pasuria e Cufit shkonte duke u shkrirë ditë për ditë duke shtruar bankete për ahengjet pothuaj çdo jave ne shtëpinë e tij. Cufi pandehte se pasuria nuk do ti mbarohej kurrë. Por shtoji kësaj edhe represionet  ekonomike të regjimit komunist erdhi një ditë që ai u katandis duke shitur karrocat me kumbulla pranë magazinave te tregtisë. Për hir të vërtetës duhet të pranojmë se Cufi ishte personi i fundit qe iu shpronësua toka nga regjimi diktatorial falë mikpritjes së tij të pa shoqe. I kishte mbetur vetëm shtëpia që kanë sot të bijtë e tij dhe asgjë më shumë. Një dite të ftohtë dimri Cufi po i ankohej, Lulash Dedës, shokut të tij që punonte në tregti, se nuk kishte shporet në shtëpi për t’u ngrohë me familjen. Lulashi ia rregullon që të merrte një shporet dhe lekët t’i paguante në pranverë kur të shiste kumbullat. Ja ngarkon shporetin në karro dhe Cufi niset për të shkuar në shtëpi. Rrugës takon një njeri që i thotë:’të lumtë ti i paske siguruar fëmijët për dimër, po ata pesë fëmijët e mi si do ta kalojnë?”. Cufi e pyet se prej nga është të panjohurin dhe kur me vesh se ai është prej Dobraçit kthen karrocën në rrugë e bashkë me të panjohurin niset për Dobraç. Kur arrin tek shtëpia e te panjohurit atij i del përpara gruaja me një tufë kalamaj. “Të qoftë falë!” i thotë Cufi dhe i falë dobraçasit të panjohur shporetin e ri të prodhuar në Pogradec e që kushtonte 920, sa një rrogë mujore drejtorit… Zemra e Cufit  ishte e madhe sa Taraboshi. Ishte shumë i ndjeshëm ndaj fukarenjve dhe pranonte për me i bërë mirë tjetrit duke dëmtuar veten.

          Ai gjithnjë shkonte në Kafen e Madhe, duke pasur gjithmonë tavolinën e rezervuar. Cufi kishte ëmbëlsinë e bisedave të tavolinës, ku spikatnin batutat shumë të lezetshme e plot kripë të tij,të cilat edhe sot e kësaj dite i përmendin bashkëqytetarët e tij.

         Në vitin 1999 Cuf Shkrelit, kryeashikut  të ahengut të vjetër shkodran, i pushoi së rrahuri zemra përgjithnjë në një moshë 80-vjeçare, pasi dëgjoi 70 vite aheng të pandërprerë. Jeta e tij kishte qenë këngë shkodrane.