Sigal

(Baladë për Çerçiz Topullin)

 

Derë lirie Topullarajt,

Derë me kanata të rënda,

Hapen, mbyllen dalë-ngadalë

Gjithë lavdinë s’e nxënë dot brenda.

 

Nga oda e saj e madhe,

Zgjohen kujtimet në vite,

Kjo shtëpi si një legjendë,

Mes shtëpish gjirokastrite.

Djemtë që niseshin në luftë,

Priste aneja tek pragu,

Dyfeku Çeços mbi supe,

Lidhur fort me nyje gjaku.

 

Çeçua maliher mbi supe,

Bajua penën s’e lëshoi,

Njëri plumba mbi dushmanin.

Tjetri shqipen pagëzoi.

 

Derë e rëndë e Topullaraj,

Derë e madhe e vatanit,

I mungon frymë e anesë,

Edhe zëri kapedanit.

Se kapedani ka zbritur,

Mbi një bust, atje në shesh,

Si një shkëmb që ndal stuhitë,

Si një mal nëpër rrebesh.

 

Ç’mendon vallë ashtu në heshtje,

(Pa atdheun nuk vlen jeta)

Era zbret nga mali Gjerë,

Sikur sjell lajme nga çeta.

Ku është Bajram Ligu vallë?

Hito Labi nga Lekdushi?

Mihali shkruan e s’lodhet

Shkronja shqip me copa prushi.

 

Dhe ashtu në bust i derdhur

Hedh vështrimin malesh tutje,

Vetëtimat bëhen bashkë

I mblidhen buqetë mbi supe.

Herë vështron nga Mashkullora,

Sikur do flasë me gojë,

“Çdo dushman që prek atdheun

Do ta bëj të kuq me bojë”!

 

Rri në monument i heshtur,

Dora sërish në gjerdan,

Para tij në gjunjë gjithmonë,

Çdo bimbash e çdo sulltan.

Derë lirie Topullarajt

E tillë ishte, e tillë mbeti,

Ndaj lavdinë e kësaj dere

S’e nxë dot i gjithë qyteti…!