Inva Mula: Shqipëria nuk ka teatër, e turpshme se si punojnë artistët

614
Në kulmin e debatit për të ardhmen e Teatrit Kombëtar, ka reaguar edhe soprano me famë botërore, Inva Mula. Ajo u shpreh se në Shqipëri nuk ka teatër. Mula ka theksuar se është e turpshme që në 2018-n të punohet në kushte të tilla për një artist. Sopranoja e njohur ka theksuar se nuk e njeh projektligjin e përgatitur nga Ministria e Kulturës, por kërkon që gjërat të mos kamuflohen. “Teatri i Kukullave është i vetmi teatër që ka ngelur. Nuk ka teatër në Shqipëri. Keni shkuar në Akademi? Nuk ulesh dot, është e rrjepur, është e turpshme në Shqipëri në vitin 2018 të jetohet me këto kushte për një artist, por edhe për një spektator që të shijojë një spektakël”, u shpreh Mula. Ajo qortoi edhe vendimin për të dhënë shfaqjet e Teatrit të Operave në sallën e Pallatit të Kongreseve, pasi godina e TKOB-së është në rikonstruksion. “Pse duhet ta bëjmë ne koncertin në Pallatin e Kongreseve. Ai është për mbledhje. Pallatin e Kongreseve duhet ta sistemojmë, shtojmë, kamuflojmë, të krijojmë ambientin për të bërë spektaklin. Bëhet opera “Carmen” në Pallatin e Kongreseve, një vepër e shkëlqyer. Pyeteni Vikenën (Kamenicën) se çfarë ka hequr për të bërë një shfaqje. Ka dalë me bronkopneumoni. E kuptoni, artistët shqiptarë punojnë në kushte që nuk e meritojnë”, u shpreh soprano Inva Mula. Sipas saj, ky vend duhet ta fillojë nga kultura se është e vetmja pasqyrë e bukur dhe e pastër. “Është i vetmi eksport i pastër shqiptar kudo në botë vetëm nga artistët. Është e dukshme, e prekshme që ti konfrontohesh me këto artistë të mëdhenj. Kemi artistët tanë të shkëlqyer që performojnë kudo në botë. Të mos ketë Shqipëria teatër? Unë nuk e njoh këtë projektligjin dhe as nuk ma ka varur njeri (më fal që po flas kështu), por gjërat duhet të dalin të vërteta, të mos kamuflohen. Të dalin ashtu siç janë”, ka theksuar sopranoja Mula.
Sigal