Hyskë Borobojka: Deputet na “dogji malli”

878
Sigal

Mandatin në fshat, vilën në Tiranë,

Premtimet harrove, më s’të kemi parë!”

Nga Hyskë Borobojka

Atë ditë që fshati ynë përcolli deputetin e zonës, ky i fundit ishte shumë i përmalluar dhe, me lot të varur në qepallat e syve, nuk harroi ta hapte edhe njëherë grykën e thesit të premtimeve. Jo vetëm për fshatin tonë, por për të gjithë krahinën, ku ka folenë dëbora e deri ku derdhet lumi. E çfarë nuk do të bënte deputeti ynë për ne të gjorët, sidomos që partia e tij ishte në krye të pushtetit. Nuk do të asfaltonte vetëm rrugët e fshatit, por edhe rrugicat, që të çojnë shtëpi më shtëpi, për të mos na lyer këmba me baltë. Do të na bënte një rezervuar të madh për të ujitur arat e për rritjen e peshkut, ngjalës, madje edhe të rosave, rosakëve, patave e patokëve. Madje do të na sillte edhe mjellma nga jashtë shtetit. Nuk do të linte, që në vend të mjekut, t’i “shëronte” njerëzit veterineri i kafshëve. E ç’të mollois më tepër, premtimet e tij nuk kishin të sosur. Na gëzoi pa masë, aq sa kur u nis për udhë, fjalën “udhembarë” ia thamë duke kënduar.

-Këtu më keni sa herë të keni nevojë e halle, më njoftoni se erdha! – rrahu gjoksin.

Por që atë ditë nuk u pa më as në fshatin  e as në krahinën tonë. Meqenëse nuk e pamë më, na “dogji malli”! Njëri nga fshatarët niset e soset në Tiranë, më qëllimin e mirë të çmallej me të e t’ia zgjidhte hallin që i pati premtuar atë ditë kur i dha votën.

Sa mbërriti në kryeqytet,  pyeti ne “Tempullin e Ligjeve” për të, por i thanë se deputeti i tij rrallë e për mall vizitonte Kuvendin, aq sa edhe zërin nuk ia kishin dëgjuar si e ka, të hollë apo të trashë. Me të pyetur njerëzit kanë gjetur Stambollin e jo ai të mos gjente dot deputetin e tij të nderur në kryeqytet. E vërteta është se u lodh ca, por më në fund e gjeti në një nga lokalet më të fisme të Tiranës,

-Zoti deputet! – i  tha. – Meqë nuk u duke më në fshatin tonë, erdha unë të më zgjidhësh atë hallin që më premtove!

-Të drejtë ke, për idealin e partisë, më fal, të demokracisë, se e ngatërrova, por më beso. Kam qenë i mbytur deri në gryka, sa s’merrja dot frymë.

-A nuk më the në mes të fshatit, o zoti deputet se “Vota për mua është votë për ju!”, se “Po votove për mua, ke votuar për t’ardhmen e mirëqenien tënde!”

-Ke shumë të drejtë, por duhet të më besosh e të më kuptosh drejt. Më parë duhet të siguroja mirëqenien time. Ti e di si e nisa rrugën për t’u bërë deputet. Me kostum, këpucë e kravatë të marra hua, më një shtëpi të vjetër, dhomë e kuzhinë, të marrë me qira, me abone urbani në xhep e me një biçikletë të vjetër të dalë boje. Hë, pa më thuaj, kishte lezet që deputeti yt të ishte në atë derexhe, sa ta qesëndisnin kolegët me vila brenda e jashtë Tiranës e me nga dy makina te dera, një për vete e një për zonjën. Prandaj, edhe unë me “mundime e sakrifica” të mëdha, ndërtova një vilë në qytet e një në bregdet. E flaka biçikletën rrangalle e sigurova një makinë të mirë ngjyrë mjalti. Një makinë tjetër ma dha Parlamenti.

-Shumë mirë, o deputeti im, pse s’na i fale makinën tënde ne hallexhinjve ta përdornim si autoambulancë kur na sëmuren fëmijët, që t’i çojmë te mjeku në qytet!?

-Nuk jam kundra! Por deri sa disa nga kolegët e mi kanë një makinë për gruan, një për vajzën, edhe çupën time nëna e ka pjellë, s’e ka bërë lopa.  Kishte lezet ta linja time bijë pa makinë, që ta qesëndisin gratë e vajzat e kolegëve të mi?!

-Po për mua, që u ngopa me premtimet pa bukë, tënde e të qeverisë,  nuk e vure dorën në zemër. E di se kam kohë që po mbaj radhën në sportelet e ndihmës sociale?!

-Mos u nxito, more i uruar e i bekuar! Më shumë ditë vijnë se shkojnë. Të jap fjalën e nderit. Meqë brenda kësaj legjislature i zgjidha mirë e bukur “hallet” e mia, tani e tutje do t’u ve gjoksin halleve tuaja. Do t’i plotësoj e do t’i tejkaloj premtimet e bëra, prandaj…

-Urdhëro! – e ndërpreu ai.

-Mos harro të më japish përsëri votën tënde!

-Meqë po bëhem edhe njëherë nuse, di si të nusëroj. Qofsh për vete, i nderuari deputet, për mua s’je asgjë!- e përfundoi fshatari bisedën me deputetin e tij në lokalin luksoz të Tiranës.