Hyqmet HASKO/ Kujtim Boriçi, një profil i paautorizuar kontributi në procesin e rishkrimit të historisë

779
Kujtim Boriçi përcjell emrin e një krijuesi, analisti dhe publicisti me një gamë të gjerë prirjesh dhe këndvështrimesh, ku fokusohen poezia, eseja, dosieri, intervista, investigimi, analiza, refleksioni, historia e rrëfyer në mënyrë letrare dhe publicistike etj. Botimet e tij të shumta nxjerrin në pah pjesë të fshehta të historisë dhe protagonistë të saj, qofshin të anatemuar, qofshin të keqkuptuar e të rrethuar me harrim, çfarë bën që këto botime të lexohen me një frymë nga lexuesi dhe të zgjojnë interes në qarqet gazetareske, letrare, historike e kulturologjike shqiptare.
Boriçi shquhet kryesisht në pjesëmarrjen aktive në atë proces që quhet rishkrimi i historisë, ku rikonceptimi i figurave të njohura ose të lëna në hije e mister duket se është një nga kredot shkrimore të tij.
Botimet e njohura
Janë mjaft të njohura për lexuesin shqiptar, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Kosovë, Maqedoni e gjetkë ndër shqiptarë, libra të tillë si “Tragjedia e Gjeneralëve” (Balluku, Dume, Çako…) i autorit Kujtim Boriçi, libër që vjen nëpërmjet dokumenteve arkivore, një pjesë e mirë e të cilave botohen për herë të parë, ku lexuesi do të njihet me një nga tragjeditë më të rënda të Ushtrisë Shqiptare e vendit që ndodhi rreth 40 vite më parë…Dhuna, kalvari, linçimi demoniak, i ndërmarrë nga regjimit diktatorial ndaj kastës ushtarake në vitet e monizmit, është pjesë e angazhimeve të shkrimtarëve, gazetarëve e analistëve nga viti 1990 e më pas, për të vënë pikat mbi “I” mbi shumë ngjarje e protagonist në hije ose në gjysmëhije e mister. Ky aspekt është bërë shpesh objekt i shkrimeve të shumta në të përditshmet e vendit dhe në emisione të ndryshme televizive. Janë shkruar deri dhe broshura të veçanta. Për disa muaj të tërë, në vitet 2007-2008,tragjedia e gjeneralëve shqiptarë ishte dhe objekt i dhjetëra dosier-ëve në gazetën “Shekulli”, më të madhen në vend në atë kohë, të gazetarit Kujtim Boriçi. Kujtojmë që sjellja në këto shkrime e dokumenteve arkivore (një pjesë e mirë e të cilave të botuara për herë të parë), dëshmive të gjeneralëve të mbijetuar, tendenca për të sjellë para lexuesve ngjarjet ashtu siç kanë ndodhur, pendesa apo autokritika e gjeneralëve, që ishin njëkohësisht viktima dhe mëkatarë, bëri që ato të ndiqen me shumë interes dhe nga lexues shumtë. Krahas elementit historik dhe arkivor, sigurisht, të përpunuara me një stil mjaft elegant e tërheqës, autori sjell për lexuesin dhe reagimin e sotëm të gjeneralëve të gjallë, duke u ballafaquar me “krimin” për të cilin u dënuan atë kohë, si dhe për stafetën e fajit që disa prej tyre ia hidhnin atëherë njëri-tjetrit. Tragjedia e këtyre ushtarakëve të lartë është pjesë e tragjedisë së elitës ushtarake e politike shqiptare, të sakrifikuar në altarin e absurdit dhe marrëzisë së ngritur në sistem. 
Libri “Tragjedia e Gjeneralëve”
Libri “Tragjedia e Gjeneralëve” (Balluku, Dume, Çako) është një punë voluminoze, serioze, e sjellë në kohën tonë me mesazhe të shumta dhe me freskinë e ideve që përcjell, sidomos tek brezat më të rinj, që nuk e kanë jetuar atë kohë të pa kohë. Nuk e teproj pot ë them se ky libër-monografi është më i plotë deri tani rreth tre figurave të Gjeneralëve të lavdishëm të Luftës Nacionalçlirimtare e drejtimit të ushtrisë shqiptare ndër dekada, përkatësisht Beqir Ballukut, Petrit Dumes e Hito Çakos. Tek libri “Ushtarakët e Gollobordës” autori gjithashtu dëshmon përgjegjësi profesionale si gazetar dhe letrar, si historian dhe misionar, për të ndriçuar pjesë historike të lëna në harresë ose të keqkuptuara. Duke iu referuar ushtarakëve të një treve të pasur në ndjesi dhe emocione historike, autori i rikthehet dhe hedh dritë mbi histori të harruara e të keqkuptuara, duke dhënë mesazhe të denja jo vetëm për kohën tonë, por dhe për kohët që do të vijnë. Shkrimtari dhe publicisti Kujtim Boriçi po e pasuron gjithmonë e më shumë spektrin e këndvështrimit të tij letrar, publicistik, historik, analitiko-reflektues, duke sjellë gjithmonë prurje të reja ngjarjesh, figurash, protagonistësh të lënë në hije ose gjysmëharresë, me anë të një depërtimi të thellë në memorien e kohës dhe të bashkëkohësisë. 
Shkrimet antikonformiste
Trajtimet gazetareske, shkrimet, investigimet dhe analizat mediatike të Boriçit janë antikonformiste dhe të denja për të hapur debat, polemika, për të ngritur një shtrat të tillë përjetues, që sjell me vete reflektimin dhe ballafaqimin me të vërtetat e kohëve të ikura në mënyrë të pakthyeshme, të kohës sonë dhe të kohëve që do të vijnë, duke u bërë një zë qytetarie e lirie, ashtu si dhjetëra krijues të tjerë, që tentojnë të jenë dhe në fakt janë vetëdija e kombit dhe e kohës së tyre…Sot shkruhen e botohen mjaft libra të fushës së historikëve të shkollave, institucioneve e sipërmarrjeve nga më të ndryshmet, të cilat kanë lexuesit e tyre të shumtë, për shkak të interesave të drejtpërdrejta që zgjojnë këtë libra, diçka midis manualeve, dosjerëve dhe enciklopedive, tek këta lexues që kanë qenë drejtpërsëdrejti ose tërthorazi protagonistë, ose pjesë e një lloj protagonizmi institucional.
Libri voluminoz “Skënderbegasit ndër vite”
Libri voluminoz prej rreth 800 faqesh i autorit Kujtim Boriçi, poet, publicist dhe analist i njohur “Skënderbegasit ndër vite”, me bashkautor z. Maksim Fejzullai, është një udhëtim në kohën e gjurmëve të mbetura në vite e dhjetëvjeçarë të brezave të tërë të skënderbegasve shqiptarë, kësaj fidanishteje të përgatitjes së ushtarakëve tanë, por dhe të talenteve nga të më të spikaturat në të gjitha fushat, nga letërsia dhe arti, tek sporti dhe shkenca. Në këtë libër jepet një historik i shkëlqyer i një shkolle elitare shqiptare, në bankat dhe fushat e stërvitjes të së cilës u përgatitën gjenerata ushtarakësh të zotë, që vunë mbi gjithçka fatet e atdheut të tyre, duke punuar me pasion dhe përkushtim atje ku ndër vite i ka thirrur detyra dhe misioni fisnik i ushtarakut. Historia e kësaj shkolle ushtarake paraqitet në libër me anë të protagonistëve më në zë të saj, duke na përcjellë me realizëm e dashuri një nga krenaritë më legjitime të gjysmëshekullit që shkoi në lidhje me arsimin, i cili për hir të së vërtetës në këtë epokë njohu lartësi të pa para dhe u bë një model i kërkimit të hapësirave të lirisë dhe të dijes nga breza të tërë që studiuan anembanë atdheut. Ish- skënderbegasit e paharruar, ish mësuesit, komandantët, komisarët, që me kohë do të bëheshin shkrimtarë e poetë të njohur, deputetë e ministra, biznesmenë të shquar e president republike, njerëz karizmatikë që e kanë mbartur shkollën e tyre të dashur kudo që kanë shkuar si një kumt dashurie të pakushtëzuar, mbushin kolanat e këtij libri që lexohet me një frymë, për shkak të informacionit të shumtë, befjeve në lidhje me protagonistët që nxirren në pah për kontributet e tyre politike, qytetare e atdhetare dhe që në rininë e tyre të hershme janë ulur në bankat e shkollës “Skënderbeg”, në këtë shtrojerë talentesh e vlerash të përcjellë ndër vite e dekada gjer në kohën tonë. I mbështetur në dokumente zyrtare, të panjohura e të pa publikuara deri më sot, libri “Skënderbegasit ndër vite” është një kontribut në shkrimin e historikut të një shkolle-vatër dije e përkushtimi, duke menduar se ky libër është vetëm fillimi i një kërkimi arkivor e më gjerë -pjesa e parë- dhe do të pasohet nga libra të tjerë, që do të plotësojnë gjurmët në kohë të shkollës ku u projektua elita kombëtare e ushtrisë dhe vërshuan talente të spikatura në të gjitha fushat, që nga politika, biznesi, arti, kultura, shkenca etj. Ditari origjinal dhe poetik i një mature, pjesët e dëshmive verbale në brezat e skënderbegasve, ngrohtësia me të cilën e përcjellin autorët këtë realitet dije, stërvitje, djerse, talenti e përkushtimi kombëtar, e bëjnë librin të lexohet në disa plane, në mënyrë horizontale e vertikale, si kujtesë, si dëshmi dhe si apel për kohën tonë, që të ndjekë modelet më të mira të shkollimit dhe edukimit ndër vite. Autorët, përveç investigimit të plotë të fakteve, detajeve, protagonistëve e figurave publike të ardhura nga kjo shkollë, kanë ditur të operojnë me efikasitet në një strukturim të zhdërvjellët e funksionalë të librit, i cili megjithëse voluminoz, nuk e humbet fillin e një rrëfimi dhe dëshmie kronologjike dhe mesazhore gjithëkohore. Kujtim Boriçi, me profilin e një gazetari investigues të thellësive, në mjaft botime të tij, siç e thamë, tenton t’i çlirojë figurat dhe të ndodhurat që bën objekt pasqyrimi nga deformimet, keqkuptimet, përdorimet politike e partiake, duke dhënë me hollësi dhe detaje të gjetura thelbin e figurave dhe thelbin e kohës në të cilën ata rriten, formohen, anatemohen ose lartësohen. Sot është koha e rishkrimit të historisë, jo një rishkrim i politizuar dhe i pompuar nga podiumet partiake dhe direktivat e tribunave të ditës, por një rishkrim i bazuar tek e vërteta, vetëm tek e vërteta dhe Kujtim Boriçi, si dishepull i këtij procesi madhor, me shkrimet dhe librat e tij, po kontribuon me dije e pasion në rishkrimin e kësaj historie, që brezat e sotëm të shoqërisë shqiptare të dinë se nga kemi ardhur e duke ditur se nga kemi ardhur, do të dimë edhe se ku do të shkojmë. 
Sigal