GOLIK JAUPI – “GJENERALI” I KËNGËS LABE

993
Sigal

Ai vazhdon të mbetet një nga këngëtarët më potentë e më ekspresiv të këngës labe

Plot 25 vite më parë , në 25 vjetorin e grupit polifonik të Bënçës, do të botoja në një nga të përditshmet e kohës, shkrimin më titull “ “ Goliku i këngës labe “, veç të tjerash si kushtim për të parin e këtij formacioni iso – polifonik, Golik Jaupi.

Mbase një koiçidencë, por ashtu si Goliku mal që shquan mes të tjerëve në vargmalin e Nemërçkës, përballë Tepelenës, edhe Goliku i këngës shpejt do të bëhej “majë” e këngëtarëve që në këto anë këndojnë polifoninë labe. “O Bënça mbi Tepelenë” është kënga e parë me të cilën Goliku , vetëm shtatëmbëdhjetë vjeçar është ngjitur në skenë, fare i ri, i njomë apo pa hequr brisk në faqe, siç thonë. E dëgjuam, falë regjistrimit vokal, në koncertin e organizuar me rastin e 70-vjetorit të lindjes së këngëtarit organizuar këto ditë në Tepelenë dhe dukej se djaloshi bënçor qysh atëherë ka dhënë sinjale të forta se  me këngën labe do të bënte rrugë  të gjatë. Mbi gjysmë shekulli me këngë e në ballë të saj, si rrallë tjetër me kaq shumë jetë gjatësi artistike, aty ku e nisi; në bashin e grupit, në krye të zërit të parë.  Pa prerë, pa asnjë mungesë e pushim, në çdo veprimtari, në çdo festival, prej vitit 1968 në të gjitha skenat e Festivaleve Folklorike Kombëtare. Maliq Lila, ky bard i pavdekshëm krijues i vargut të këngës do të gjente tek Golik Jaupi  artikuluesin më të spikatur dhe përcjellësin më shprehës të fjalës së shkruar prej penës së tij të florinjtë., derdhur në qindra këngë e melodi bënçore. Golik Jaupi vazhdon të mbetet një nga këngëtarët më potentë e më ekspresiv të këngës labe, jo vetëm asaj të Tepelenës, por mbarë iso-polifonisë shqiptare.  Me Përparime Zilfajn e Dervish Gumën dhe djemtë me ison gyke si gryka e Bënçës nga vinte edhe emri i grupit të tyre, Goliku do shkruante histori të pashlyeshme kënge e  interpretimi.  Në këtë shtatëdhjetë vjetor të linjës  Goliku na shfaqet përsëri vital, me ato dufe, me atë fuqi interpretuese dhe deklamuese , me atë pathos si në rininë e vet duke vendosur pa dyshim një rekord unikal. Prof  Vaso Tole si studiues pasionant i trashëgimisë  kulturore shpirtërore më thotë sa herë që kënga iso –polifonike  i ngjason një detashmenti të mirë organizuar, me të gjitha ofiqet e karrierës. E kujtoj sa herë kur Golik Jaupin, shokë e miq kënge, e thërrasin gjeneral.  Ja ka dhënë populli këtë titull, adhuruesit e shumtë në të katër anët e vendit, pa dekrete presidenciale.  Gjeneral i këngës labe, Golik Jaupi, mbetet ndër përfaqësuesit më të mëdhenj ndër ata njerëz që këngën e rrallë të popullit e kanë përcjellë në shekuj.
Jetë të gjatë Golik Jaupi, bilbil e “Gjeneral” i këngës”!

Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria” dega Vlorë zhvillon aktivitetin kulturor “Labëria Nderon Bijtë e Saj”

 Është nder dhe krenari të jesh pjesë e Labërisë

 Anila Ahmetaj

 Shoqata Atdhetare Kulturore “Labëria” këto ditë degën e Vlorës, zhvilloi në mjediset e sallës së Pallatit të Kulturës “Labëria” Vlorë aktivitetin kulturor “Labëria Nderon Bijtë e Saj” Me një pjesëmarrje të gjerë dhe mjaft dinjitoze, drejtuesit e shoqatës dhanë tituj nderi për disa nga personalitetet dhe figurat e shquara të Labërisë. Në saj të kontributit dhe gjurmëve historike, fisnike, trashëguese ndër breza të tërë këto figura do të ngelen të gdhendura në shpirtin dhe mendjen jo vetëm të Labërisë, por mbarë Shqipërisë, edhe pse ata nuk ndodhen më midis nesh. I jepet titulli “Mirënjohje e Labërisë” Pasho Lloi, Kafaz Xhuveli, Limoz Alumuci, me motivacionin , “Vermiku dhe Labëria nderon bijtë e saj ashtu si i ka hije Labërisë të krenohet me bijtë dhe bijat e saj, për kontribute të çmuara, të cilat si një zinxhir plot hallka ndriçojnë historinë dhe kulturën e vendit”. Ne sajë të kontributit të tyre të çmuar, Kryesia e degës së Vlorës me në krye z.Ahmet Demaj përcolli sërish mesazhin frutdhënës për pjesëmarrësit, por edhe mbarë opinionin publik se “Labëria është, ka qenë dhe do të jetë nderi i Shqipërisë

 Labëri perlë e Ballkanit,

Djep i bukur vegjëlie,

Si shkëndija që nxjerr stërralli,

Pikë loti pafajësie!

***********

Duke nderuar figura të tilla ne nderojmë veten tonë, qytetin tonë, nderojmë Shqipërinë

Ahmet Demaj-Kryetar i Shoqatës Kulturore Atdhetare, dega Vlorë

 Shoqata jonë në vijimësi i ka nderuar heronjtë, njerëzit e letrave, të penës, të pushkës, ata që I kanë dhënë dhe i japin atdheut vazhdimisht. Historikisht krahina e Vlorës ka nxjerrë personalitet të të gjitha fushave, që koha nuk ka mundur ti mbulojë me pluhurin e harresës pasi jeta e tyre, puna e tyre, heroizmi i tyre kanë lënë gjurmë në historinë e Shqipërisë. Duke nderuar figura të tilla ne nderojmë veten tonë, qytetin tonë, nderojmë Shqipërinë. Pa njerëz të tillë që sakrifikojnë për atdheun, fati i Shqipërisë do të ishte i dyshimtë. Lavdi veprës së heronjve dhe personaliteteve të shquara që i kanë dhënë ditë historisë së Shqipërisë