Gjashtë vjet pa personalitetin e kulturës Haxhi Dalipin

651
Sigal

Para dy ditësh u mbushën gjashtë vjet pa personalitetin e kulturës muzikologun Haxhi Dalipi. Më vjen menjëherë në mendje dhe për ta sjellë në kujtesë, që prej dorës së tij, kënga popullore “Janinës ç’i panë sytë” u bë gati si një këngë kombëtare (kënduar nga grupi iso-polifonik i Lapardhasë). Profesori pak kohë para se të ndërronte jetë, në 15 shtator 2006, ishte Drejtori i parë i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore pas viteve 1990. Na mungon vërtet Haxhi, pavarësisht se për ty nuk ka ndonjë ditë zyrtare të shënuar në kalendar, që të na kujtojë, përveç datës së thjeshtë të 20 shkurtit të 1941 kur linde në Gjirokastër në këtë qytet që sot mbrohet nga UNESCO si “Pasuri kulturore e njerëzimit”.. Na mungon, se ishe një vlerë e çmuar për muzikën, shoqërinë dhe trashëgiminë tonë kulturore. Ishe i tillë se kudo ku ishe, vetëm ndërtove vlera te qëndrueshme. Më kujtohet viti 1997, kur na prisje në Vlorë, më 28 nëntor, për të përgatitur festimet e 85- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Vlora ishte akoma në tym atëherë. Artistët e Teatrit të  Operës dhe Baletit që vinin në Vlorë për të bërë provat e koncertit te madh i prite ti dhe u dhe zemër me praninë tënde dhe të disa muziktarëve në Vlorë, të cilët u bashkuan aty me kolegët e tyre nga Shqipëria dhe Kosova. Ende kishte të shtëna në ajër, ditën dhe natën. Atë natë ti dirizhove orkestrën e korin e madh, dirizhove Himnin Kombëtar në fillim të koncertit, na emocionove të gjithëve që e dëgjuam atë në Pallatin e Sportit. “Ku mund të këndohet më mirë se në Vlorë Himni i Flamurit?”,- na the atë darkë të paharruar, në Vlorën që po linte pas të shkuarën e tingujt e muzikës po e ringjallnin. Kështu ishe ti Haxhi! E doje muzikën po aq sa Vlorën, Gjirokastrën dhe gjithë Shqipërinë. E fillove rrugën me instrumentin e flautit në Liceun Artistik ne vitin 1957 nën drejtimin e Profesorit tonë të shquar Ramadan Sokoli. Prej andej prej disa vitesh dhe mësim në Himarë, ku u mëkove me dashurinë për iso- polifoninë, të cilën e bëre pjesë të pandarë të jetës tënde. Dhe Himara nuk të harron profesor. Më tej në Institutin e Lartë të Arteve vazhdove studimet me dirizhimin e kompozicionin. Pas kësaj gjithë kohën në Vlorë dhe Tiranë. Krijove Ansamblin “Labëria”, Orkestrën Simfonike dhe më pas Filarmoninë, drejtove Shkollën e Muzikës e Qendrën Kulturore të Vlorës për vite me radhë. Kush nuk njeh sa duhet vlerën e punës tënde le të dëgjojë një çast iso-polifoninë e krahinës së Vlorës. Sot iso-polifonia shqiptare është “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO. Je dhe ti aty profesor! E dije këtë gjë që atë ditë kur na erdhi lajmi i bardhë. E dije se ishe edhe ti që e ngrite interpretimin e grupeve iso-polifonike në lartësitë artistike dhe vlerat që i do iso-polifonia. E njihje si mjeshtri punën iso-polifoninë. E preke atë, e shkrove dhe kumtove vlerat e saj ne aspektin shkencor dhe artistik në Shqipëri dhe jashtë saj ne festivale apo simpoziume ndërkombëtare…Na mungon të gjithëve ne. I mungon studentëve të Akademisë së Arteve, kolegëve të tu muziktarë, miqve dhe shokëve në Tiranë, Vlorë, gjithë Shqipërinë, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e më tej. Na mungon se ike para kohe. U largove befas, ashtu siç lëvizje ndonjëherë dorën tënde, si për të treguar se po ikën diku afër. Në fakt shpirtërisht je afër. Je afër se emri tënd i nderuar kujtohet, ashtu si portreti yt fisnik dhe personaliteti yt i spikatur bashkë me muzikën që kompozove, ashtu dhe studimet e tua. Je afër se edhe Vlora ku ti le amanet të prehesh, të futi në radhët e qytetarëve të saj të nderit. Je afër se Labëria nuk do të harrojë kurrë emrin tënd e do të kujtojë gjithmonë. Je afër se te njerëzit dhe dashuri, për të cilën edhe sot të kujtojnë. Të kujtojnë se i kujtove. Ti vetë nuk le artist të vjetër pa kujtuar dhe nderuar, kur drejtove Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, duke na sjellë në vëmendje vlerat e vërteta të kulturës sonë, ashtu sikurse promovove në shume vite të veprimtarisë tënde dhe shume artistë të rinj në shumë zhanre të muzikës. Është koha që ti të kujtohesh dhe ne të kujtojmë sot e gjithë ditën. Të kujtojmë ty së bashku me profesorët dhe kolegët tanë të nderuar që s`jetojnë më si: Çesk Zadeja, Tish Daija, Gjon Simoni, Feim Ibrahimi, Kujtim Laro etj.. Kjo është tradita jonë dhe aty je dhe ti i nderuar profesor Haxhi Dalipi.

Prof. Dr. Vasil S. Tole