Gëzim KABASHI: Rexh Uka, kërkuesi Shqiptarë

633
Një kërkues shkencor nga Durrësi ka përfaqësuar një muaj më parë Italinë në një nga takimet më të rëndësishme ndërkombëtare me “Reprasentative Young Leader.” Djaloshi që është paraqitur në Samitin e udhëheqësve të rinj te ne në Luksemburg edhe me flamurin tonë kombëtar në zemër, pohon se bashkë me vendin ku u formua, Italinë, ka përfaqësuar në Takimin 1-javor edhe Shqipërinë. “Një motiv krenarie, për vendet tona që shkojnë drejt integrimit.”- shkruan Rexh Uka, 30-vjeçari, që u përzgjodh nga komisioni i Luksemburgut mes 5.500 kandidaturave të të rinjve italianë. Mjaft e nxehtë edhe tema e këtij Samiti, që zhvillohej në të njejtën kohë me atë të ministrave të Jashtëm të këtyre vendeve, tema e punësimit të të rinjve. “Kemi punuar pa pushim, një javë. Po presim që propozimet tona të mirëpriten nga ministrat përkatës të Bashkimit Evropian-vlerëson Rexhi. Ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme për shqiptarin e dashuruar pas kërkimit shkencor, jeta e të cilit përveç Shqipërisë ka si stacione edhe Zvicrën, Italinë dhe SHBA. I pëlqen të lexojë, të shkruajë, e të udhëtojë. “Deri tani kam parë 30 vende,”- thotë. Më pëlqen të shëtis akoma: të njoh kultura, histori, njerëz të ndryshëm. Pastaj shton: “Jo, nuk humbas kohën e punës, e bëj nga koha e gjumit. Për fat të keq, flej vetëm 5 orë në natë”. I dashuruar me punën e tij kërkimore për sëmundjen e kancerit, ai shquhet edhe për idetë në fushën e sipermarrjes, ide që janë vlerësuar në konkurimet kombëtare e ndërkombëtare. Rexh Uka nuk di të ndalojë, sepse siç pohon vetë “kush kënaqet me pak, vdes”. Megjithëse jeta e tij ka qenë dhe vazhdon të jetë e mbushur në çdo hap me sakrifica, ajo ngjason me skenaret e filmave hollivudianë me “happy end”.
Fëmijëria ndryshe
Iliri dhe Neri, që të dy mësues, janë nisur drejt Italisë me një motopeshkatore në shtator të vitit 1991. Motivi i vetëm ishte shëndeti problematik i djalit të vetëm, Rexhit. Ata lanë në Durrës, vajzën më të vogël, Adën, dhe bashkë me Rexhin 6-vjeçar u nisën drejt së panjohurës. Dr. Giovanni Neri, drejtor i spitalit të fëmijëve “Bambin Gesu” në Romë ishte njohur, falë dajës së vogëlushit, me rastin gati të pashpresë të pacientit nga Durrësi, i cili vuante një sëmundje agresive në kockë. Pas spitaleve në atdhe do të niste një tjetër kalvar i gjatë shumëvjeçar. Sot, 24 vjet më vonë, Rexhi, që mban emrin e gjyshit të tij, Rexhep Uka, do ta kujtojë kështu pjesën më të vështirë të jetës së tij: “Fëmijeria ime nuk ishte e lumtur, përkundrazi. Prindët e mi, bënë një zgjedhje shumë të guximshme për të më shpëtuar dhe ia dolën. Unë jam rritur nëpër spitale: aty kam bërë miqtë e parë, kam festuar ditëlindjet, aty kam mësuar italishten. Kujtoj çdo gjë me hollësi. Kjo më bën ta shoh ndryshe botën sot”. Familja e tij fillimisht vendoset në San Donato, një qytezë afër Romës. I ati, një nga këngëtarët e talentuar të viteve 1960 në Durrës, punon si murator për të mbajtur familjen. Njëlloj sakrifikon edhe e ëma, Nerimani, një nga mësueset e nderuara të fizikës në Durrës. Rreth tyre, njerëz të mirë, të cilët kur Rexhi ka shenjat e para të përmirsimit, i ofrojnë të jetojnë dhe punojnë në Brescia, në veri të Italisë. Me familjen bashkohet edhe Ada e vogël, të cilën për disa vite e rritën gjyshërit në Durrës.
Pacienti bëhet shkencëtar
Rexhi mbërrin në moshën universitare me rezultate të shkëlqyera, por synimi i tij nuk është mjeksia. Studion Bioteknologji mjeksore në Universitetin e Studimeve në Padova, po ashtu edhe në Institutin “Mario Negri” të Bergamos. I rritur mes mureve të spitalit, Rexhi, nuk e urren atë. Por sidoqoftë, bindet se po të bëhej mjek do të ishte përfshirë emocionalisht në këtë profesion. “Unë jam një “mi laboratori”, një kërkues shkencor,” – shkruan ai. E punësojnë shumë shpejt në Institutin Onkologjik të Venecias, ku i përkushtohet studimeve të kancerit. Ndërkaq mbërrin një ofertë pune nga SHBA. Djaloshi nga Durrësi punon për një vit në Comprehensive Cancer Center, (Universiteti Shtetëror i Ohajos), në Kolumbus, ku i ofrojnë edhe doktoraturën PhD. Por Rexhi ka plane të tjera. Nuk i pëlqen qyteti amerikan dhe vendos të konkurojë për të fituar të drejtën e studimeve në Universitetin e Zyrihut. Fiton vendin e parë mes 13 mijë konkurentëve dhe aktualisht frekuenton vitin e dytë të programit në Cancer Biology. Punon fort, por nuk heq dorë nga veprimtaritë sociale. Mban lidhjet me Italinë pranë, por vjen shpesh edhe në Durrës, në vendlindje. Beson në të ardhmen e Shqipërisë. Në Itali fiton një çmim të rëndësishëm për idenë më të mirë të sipërmarrjes dhe përgatit një biznes pranë fushë së artit, ndërsa udhëheq në të njejtën kohë një komunitet studentësh italianë, me të cilët organizon udhëtime në 6 vende të Evropës. Por ajo që i ka dhënë një impuls të ri jetës së Rexh Ukës ka qenë pjesmarrja në Summitin e Luksemburgut. Ka qenë një sfidë e shumëfishtë për djaloshin shqiptar që përfaqëson Italinë, por që edhe në tavolinën e rrumbullakët të bisedimeve mes liderve të rinj të Evropës dhe Azisë nuk harron të vendosë në gjoks shqiponjën e vendlindjes.
Intervista: “Puna kërkimore, paralelisht me impenjimet sociale”
Përvoja e 30-vjeçarit Rexh Uka, mes punës kërkimore shkencore, pasioneve studentore dhe pjesmarrjes në lëvizjet sociale ndërkombëtare. Si e shikon djaloshi durrsak të ardhmen e vendlindjes? A ka diferenca mes edukimit shkencor në Itali, SHBA apo Zvicër?
Në Itali ka shumë të rinj të zgjuar, por ka pak para për kërkimin shkencor. Për t’ja dalë duhet të kesh rekomandime, apo të jesh biri i dikujt. Në SHBA fiton meritokracia: kush impenjohet, kush punon fort, kush i përkushtohet me pasion punës së tij, me siguri ia del. Ana tjetër e medaljes janë sakrificat që duhen bërë. Largësia nga familja, zakonet e reja, bota e panjohur që duhet zbuluar. Në Zvicër niveli i kërkimit dhe edukimit është mjaft i lartë. Universiteti ku punoj është përfshirë në 10 më të mirët e botës. Ka shumë konkurencë. Niveli është i shkëlqyer.
A mbeteni i lidhur me Shqiperinë? Cilat janë kontaktet?
Nga pikpamja gjeografike, fatkeqsisht, e njoh pak Shqipërinë. Kam shëtitur botën, por më mungon një tur i plotë në Shqipëri. Jam shumë i lidhur me tokën time dhe sigurisht më mungon Shqipëria. Kam qenë gjithmonë i bindur se distanca ndan njerëzit, por i mban gjithmonë të lidhura zemrat. Shqipëria është toka ku kam lindur. Ku janë varret e gjyshërve të mij. Aty ka nisur gjithçka. Aty ku janë të afërmit dhe shtëpia ime e parë. I kam mbajtur kontaktet falë familjes dhe shokëve. Një ditë më pëlqen të rikthehem.
Shqiptarët kanë mjaft sukses jashtë vendit. Cfarë i pengon që të përparojnë brenda Shqipërisë?
Mendoj se populli shqiptar është një nga më të zgjuarit në botë. Por fatkeqsisht, jemi qeverisur keq për shumë vite. Ata që janë dalluar për diçka, janë dalluar jashtë vendit, në emigracion. Në Shqipëri mungojnë mjetet dhe në se kërkon të dallohesh, njëlloj si në Itali, duhet të kesh mik shënjtorët e parajsës. Nuk ia del nëse nuk je biri i dikujt, dhe karriera yte mbaron për ti hapur vend “djalit të dikujt tjetër”. Mes Italisë dhe Shqipërisë në këtë drejtim nuk ka shumë ndryshim. Në pjesën tjetër të botës kjo nuk ndodh: mjafton të jesh i zoti. Askujt nuk i intereson se fëmija i kujt je.
Si u përfshitë në lëvizjen studentore? A nuk ju zë kohë nga impenjimet tuaja të përditshme?
Kur u zgjodha mes 5500 kandidatëve si “Reprasentative Young Leader”
për ASEF (Asian and European Foundation) në Luksemburg shkrova këto radhë: “Ndoshta pse është vjeshtë, ndoshta se hëna sonte është e jashtëzakonshme në Zyrih, por dhimbja ime e stomakut është krejt ndryshe. Ajo shkaktohet nga emocione të forta. Sot është dita më e lumtur e jetës sime të deritanishme… nuk e kujtoj se kur kam qarë për herë të fundit. Sot qava. Është një nga këto ditët e ëndërruara që fëmijë. Nga ato ditë, që nuk ke menduar se do të vijë, pasi ke menduar se je i vocërr. Por megjithatë nuk ke pushuar së ëndërruari. Sot këtë dhimbje stomaku, ia kushtoj me lot në sy, familjes sime, dhe motrës, ia kushtoj miqve të mij, që më kanë ndjekur hap pas hapi duke bërë tifo për mua. Ia kushtoj byrzylykut special që mbaj prej më se një viti. Por mbi të gjitha ia kushtoj vetes, grushtave që kam marrë nga jeta, fjalëve të rënda, sakrificave, netëve pa gjumë, dhimbjeve të vërteta të stomakut. Po, këtë ditë ia kushtoj burrit që jam sot”. Luksemburgu ishte një përvojë shumë pozitive. Punuam një javë pa pushim për problemet e punësimit të të rinjve Enterprenurship & Youth Employment, me diskutime, ëork shope, propozime për ministrat, etj. U ndjemë të përfshirë personalisht, pasi punësimi i të rinjve është në krizë dhe përbën një temë të nxehtë. Do ta shohim së shpejti nëse java e punës në Luksemburg ka shërbyer dhe në se ministrant do të pranojnë propozimet tona.
A keni ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me Durrësin e prindërve tuaj?
Durrësi është vendlindja ime. Nga ku jam nisur. Dhe ku shpresoj të kthehem një ditë. Është qyteti i prindërve të mij, të cilëve u detyrohem gjithçka jam sot, aty ku kam arritur. Durrësi është gjithmonë brenda meje, në çdo vend që shkoj nëpër botë dhe në çdo vend që shoh. Në Durrës ka nisur magjia e jetës sime.

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 12.12.2015
Sigal