Gaqo Veshi: Zhabjakët e moçalit duan të rrëzojnë drerin e malit

589
Disa studiues të “zotë” e analistë të “shquar”, si Mark Marku apo Artur Zheji e ndonjë tjetër, nuk u durohej sa të ndërronte jetë Dritëro Agolli, që të shfrynin mllefet e vjetra. Njëri thotë se “Dritëroi ka dhënë “OK” për pushkatime poetësh” Tjetri shkon edhe më tej, se “Dritëro Agolli ishte Enver Hoxha i letërsisë” dhe, sipas tij “e ka banalizuar letërsinë” pasi ka qenë bashkëpunëtor i Enver Hoxhës, se ka drejtuar Lidhjen e Shkrimtarëve në periudhën më të errët të saj”. Në gjykimin e tij si “lexues shumë i mirë i letërsisë shqipe”, Dritëro Agolli nuk është një shkrimtari më i mirë i letërsisë shqipe” aq sa nuk krahasohet edhe me poetet e rinj, që shkruajnë sot“ (dhe shënon ca emra, që zor se mbahen mend). se letërsia e rij “është shumë banale”. Si duket për zotin Mark e ndonjë bilmez tjetër, kryevepra e letërsisë “morale” është përmbledhja poetike “Vrima”. Sipas këtyre analistëve e studiuesve “shumë të mirë të letërsisë shqipe” Dritëro Agolli na i paska “shkaktuar dëm letërsisë shqipe, pasi ai “regjim favorizonte ata shkrimtarë, që bashkëpunonin me diktaturën” Por harrojnë këta studiues e analistë të “zot” se ai regjim i çmendur, mund të shpinte këdo në burg a në litar, të bënte fajtor pa faj, pa pyetur nëse ishin kryetarë, gjeneralë apo poetë e shkrimtarë. Përbindëshit nuk mund t’i dilje ballë për ballë, por duhet t’i bëje dredha për të jetuar. Sipas tyre, Dritëro Agolli ka shkruar vetëm këngë për Enver Hoxhën, kurse shkrimtarë të tjerë e kanë urryer, dhe na radhitin disa emra disidentësh.. E dinë këta “lexues shumë të mirë të letërsisë shqipe”, se edhe Naimi i Madh ka shkruar vjershë për sulltanin. Këtë e bënte, jo nga respekti e dashuria për të, por të merrte lejen për hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë. E dinë këta zotërinj, se edhe disidenti Kasëm Trebeshina, kur vdiq Stalini, shkroi e botoi poezinë më me frymëzim, që zinte gjysmën e faqes të “Zërit të Popullit. E dinë vallë këta “lexues e studiues shumë të mirë të letërsisë shqipe”, se edhe poeti i “Yjeve të Zemrës”, Lasgush Poradeci, ka shkruar e ka botuar në revistën “Nëntori” vjersha për “planin e hekurt të partisë”, si “Ç’është ai që shkon kaluar./ Porsi gjarpër gjarpëruar./ Është treni i Shqipërisë,/ Plani i hekurt i partisë”. Apo autori i “Hanko Hallës” e “Vidi vidi pëllumbeshë”, Ali Asllani, që për t’i hapur rrugën e botimit të vjershave të rij lirike, shkruante dhe ndonjë “lavdërim” për partinë, si “ Si Shqipëri e re shqiponje,/ Kryezot e kryezonjë,/ E ka fjalën vetëdija./ Është partia”. Për të mos përmendur edhe të tjerë. Ashtu si dhe Kadareja shkruante romanin “Dimri i vetmisë së madhe” që t’u hapte rrugë veprave të tjera të ndaluara. E dinë këta “lexues e studiues të mirë të letërsisë shqipe” se edhe Dritëroit i qe hequr nga qarkullimi libri “Zhurma e ernave të dikurshme” dhe kishte kaluar në brumatriçe për t’u kthyer në karton ambalazhi “Mosha e Bardhë” E akuzojnë poetin, se Enver Hoxha kishte thënë se “poezia e tij është mbrujtur me gjuhën e popullit” Por harrojnë të thonë edhe ato, kur diktatorit s’i vinin pas midesë shkrimet e tij, thoshte: “Këto shkrimet e Dritëroit nga një vesh më hyjnë e nga veshi tjetër më dalin”. Madje këta zotërinj arrijnë të thonë, se Dritëro Agolli: ka qenë si Enver Hoxha i letërsisë“. Sipas tyre Dritëroi paska bërë kërdinë. Paska vrarë e paska prerë, shkrimtarët, piktorët, muzikantët, artistët e Shqipërisë. Dhe na radhisin një sërë emrash që i paska dërguar në atë botë ish-Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve, duke filluar me dy poetë e Bërzeshtës së Librazhdit e me radhë. Por kush e ka lexuar dosjen e tyre në prokurorinë e Librazhdit, e di se ishin të tjerë ata që bënin relacione për krijimtarinë e tyre, sipas oreksit dhe porosive nga diktatura. ( për më shumë nesër në gazetën Telegraf)
Sigal