Flet ish-sekretari i parë i Pogradecit Belul Lufo

178
Bardhyl BERBERI 
E vërteta e Kadaresë mbi Shën Naumin
Vizitat e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare në Pogradec, sillen përmes dëshmitarit që e ka shoqëruar shkrimtarin kudo, madje edhe në të ashtuquajturën “arratisje” në Shën Naum. Ish-sekretari i parë i qytetit të Pogradecit, Belul Lufo, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Telegraf”.

Zoti Lufo, si nisi “arratisja” e Kadaresë? 
Pas vdekjes së Enver Hoxhës në vitin 1985, Ismail Kadareja po vinte më shpesh në Pogradec, pasi siç dihet Pogradeci ka qenë një nga dobësitë e tij dhe e donte shumë. Në verën e vitit 1988, atëherë sapo isha bërë nga kryetar Komiteti, Sekretar i Parë i rrethit të Pogradecit dhe, njëherazi isha zgjedhur në forumet e larta të KQ të PPSH, kur një miku im nga Tirana më kërkoi që ta sistemoja në një dhomë komode në Pogradec, shkrimtarin Ismail Kadare. E prita me shumë kënaqësi, edhe për simpatinë time të jashtëzakonshme për Kadarenë. Pasi e sistemova në një nga hotelet më të mira të asaj kohe, në qendër të qytetit, njëkohësisht për hir të së vërtetës me mundësitë që unë kisha pothuajse çdo ditë planifikoja një aktivitet apo vizitë nëpër vende të ndryshme që ka Pogradeci për ta kënaqur maksimalisht shkrimtarin. 

Si ndodhi konkretisht kjo histori e kthyer shpejt në një thashetheme? 
Ishim duke shëtitur buzë liqenit. Dritat e Lubanishtit dhe të Shën Namit ishin vezulluese buzë kufirit me Tushemishtin. Befas Kadareja më pyet – Kush është atje? Shën Naumi i them unë. – Hë- u hakërrua Kadareja- e di ti shoku Belul që unë nuk kam qenë asnjëherë në Shën Naum, ndonëse jemi në vitin 1988? Kush tha që nuk do të shkojmë – ia prita unë me humor për ta zbutur,- madje qysh nesër. Si do të shkojmë – më pyeti Kadareja duke lëvizur syzat me nervozizëm -, do të arratisemi, ajo është pjesë e Jugosllavisë shoku Belul – vazhdoi ironinë ai. Mirë – i thashë unë duke vazhduar me shaka – nesër do të marrim një mjet lundrimi dhe do të “arratisemi” nëpërmjet liqenit dhe do të vizitojmë manastirin. Kështu ne e lamë që të nesërmen të dilnim në liqen me motobarkën e peshkimit. 

E kryet lundrimin në liqen? 
Po, unë bisedova me ata të peshkimit dhe atë ditë ju kërkova drejtuesve të kësaj drejtorie, që meqë do të dilnim së bashku me disa njerëz të rëndësishëm për peshkim, ku do të ndodhesha edhe unë, të merrnin masa për të siguruar materiale, për të bërë një tavë në motobarkë gjatë vozitjes në liqen. Verën dhe rakinë e sigurova unë nga ndërmarrja ushqimore. Në orën 7.00 të mëngjesit, shkova me shoferin tim para hotelit për të marrë Kadarenë dhe Elenën, por kaloi gati një orë dhe ata nuk po dilnin. Shkova lart në dhomë dhe, Kadareja nuk ishte zgjuar akoma. Kishte shkruar natën dhe, mbi tavolinë kishte një pirg me letra format. Përfundimisht u zgjua dhe ne u nisëm për tek moli ku ishte ankoruar motobarka. Sapo u afruam atje dëgjuam një “Ndal!” të fortë dhe një polic shërbimi me armë në dorë urdhëroi Kadarenë të kthehej mbrapsht, pasi ishte zonë ushtarake. I fola unë policit, por nuk dëgjoi Më tha: – Ju shoku sekretar mund të hipni, por civilë jo. Kadareja u step dhe, vazhdoi me humor shakanë e nisur një nate më parë për arratisjen: “More Belul po ku e di ky që ne do të arratisemi e që ngul këmbë të mos hipim në motobarkë?” I vënë në këtë pozitë, mora që aty nga pika ushtarake në telefon kryetarin e degës së asaj kohe Besim Veizin dhe, i thashë që t’i jepte urdhër policit për të hipur Kadareja në motobarkë për peshkim. Për hir të së vërtetës Kryetari i Degës i foli ashpër policit të shërbimit duke i kërkuar llogari, se pse nuk e njihte Kadarenë. Pas lejes që morëm u nisëm për lundrim. 

Si e priti Kadareja këtë lundrim? 
U vendos tek pjesa e përparme së bashku me Elenën. Ekuipazhi i motobarkës filloi të merrej me punët e tyre. Dikush përgatiste rrjeta, dikush tjetër sistemonte arkat, një peshkatar tjetër lante bashin me ujë. Kadareja ishte përhumbur i tëri. Ai po vështronte një tufë pulëbardhash që po na ndiqnin pas. “Bukur!, belbëzoj ai… Më pas Kadareja filloj të bisedojë me Tasi Kapbardhin që drejtonte motobarkën. 

Për çfarë e pyeste? 
“Si do të dalim sot në gjueti?” – e pyeti Kadareja. “Shenjat janë të mira – i tha ai – ja po fryn kjo era që ne peshkatarët i themi llackë, e trazon ujin në thellësi duke e çoroditur peshkun”. – Sa thellësi ka këtu pyeti – më pas Kadareja drejtuesin e motobarkës – Ka mbi 150 m thellësi. Po rrjetat e peshkimit kur do t’i hidhni? – Ja sa të kalojmë grykën e Çervenakës, se këtu ka shkëmbinj nën ujorë dhe na grisen rrjeta … – E njihni liqenin mirë? – e pyeti Kadareja – Po, po, pëllëmbë për pëllëmbë. “Në sytë e mi, liqeni dhe deti ka qenë një fushë e kaltër dhe e pamasë ku mund të bredhësh për të kërkuar fatin”, shtoi shkrimtari. Më pas u dëgjua një zë dhe çikrikët e mëdhenj lëshuan rrjetat. Pasi ecëm disa km peshkatarët i ngritën rrjetat. Belushka dhe korani i sapo kapur përpëlitej në rrjetë. Kadareja ishte përqendruar i tëri atje. 

Hëngrët drekën në motobarkë me Kadarenë ? 
Po sigurisht. Fillimisht ndezën sobën dhe belushka që ende përpëliteshin, hidheshin mbi platenë e sobës . Fillimisht Kadareja nuk po hante, por më pas, pasi provoi një belushkë të pjekur i pëlqeu dhe filloi të hajë gjithë kënaqësi. Më pas provuam dhe tavën e famshme të peshkatarëve që përgatitej me ujin e liqenit. 

Po më pas? 
Kisha biseduar unë me kapitenin e motobarkës dhe u nisëm pas drekës në drejtin të Tushemishtit. Kadareja u zhvesh deri në brez dhe po bënte banjë. Fytyrën e kishte mbuluar me këmishën e tij. Ishte në pritje të asaj që një natë më parë ne e kishim quajtur arratisje. Pas katër orë udhëtimi dhe gjuetie me motobarkë ju afruam Shën Naumit. “Ec – i thoshte Kadareja – ec, afrohu!” Ishim afruar rreth 200 metra larg, deri tek vija e kufirit që ndahej me Jugosllavinë e asaj kohe, tek shenja e kufirit. Mori një palë dylbi po vështronte manastirin e Shën Naumit. Ishte shumë i prekur në fytyrë. U bë nervoz dhe nuk kishte dëshirë të fliste. 

Më pas më tha me shpoti: “Hë more Belul, kjo ishte arratisja jonë për ta parë Shën Naumin me dylbi…” 

Po vizita të tjera me Kadarenë? 
Kadareja të sfidonte për diçka që nuk i pëlqente. E kam çuar në Manastirin e Shën Marenës që ndodhet në Mokër dhe aty nuk pranoi të hante mish të pjekur, duke më thënë mua: – Ku gjinden këto shqerra të pjekura kur popullin e keni lënë pa mish me muaj të tërë. Nuk ka futur asnjë fije mishi në gojë. Por sfidën më të madhe ma ka bërë në kthim tek muzeu i fshatit Potkozhan ku një mjeshtër guri kishte bërë bustin e Stalinit. U skandalizua. “Pse më solle këtu?” – më tha mua me inat. -Të shikosh Stalinin që ka bërë ky mjeshtri nga Mokra – i thashë unë. Më pas Kadareja filloi të “luajë” me mjeshtrin e gurit duke iu drejtuar atij: – Kush është ky? – e pyeti me ironi. -Stalini – i tha ai. Po Stalini nuk i ka pasur kështu mustaqet – më pas e vazhdoi ironinë duke pyetur atë se nga e njihte Stalinin e duke i kërkuar llogari, se pse nuk kishte bërë Skënderbeun. Fjalët e tij e hutuan plotësisht mjeshtrin. Gjithë rrugës, për dy orë, deri sa u kthyem në Pogradec, nuk foli fare në makinë, madje në ditët e tjera, kur i thosha për ndonjë aktivitet më thoshte: -Hë ku do të na çosh, të shohim ndonjë Stalin tjetër?!. Unë vihesha në pozitë të vështirë, pasi veç detyrës së Sekretarit të parë isha edhe i zgjedhur në Komitetin Qendror të Partisë së Punës.