Festivali folklorik apo festivali i miqve…?!

644
Ashtu si në çdo qark tjetër, edhe në qarkun e Vlorës janë zhvilluar etapat e vlerësimit dhe kualifikimit të grupeve folklorike që do përfaqësojnë qarkun në festivalin folklorik kombëtar në Gjirokastër. Duhet theksuar qysh në fillim se institucionalisht përzgjedhja kësaj radhe ka qenë shumë më cilësore se herët e tjera. Kjo ka bërë që edhe pjesëmarrja të jetë më e madhe por edhe vlerësimi nga vetë grupet pjesëmarrëse ka qenë më i madh. Për rrjedhojë edhe cilësia e paraqitur dhe përzgjedhur për përfaqësimin në këtë festival ka qenë më cilësore. Megjithatë, si ndodh rëndom pothuajse në tërësi në jetën politike, shoqërore dhe kulturore në vendin tonë edhe këto etapa në qarkun e Vlorës patën problemet e tyre. Unë nuk do të përmend problemet në tërësi sepse për këtë do të shprehen specialist më të mëdhenj se mua por përmes një shembulli konkret unë do të sjell në vëmendjen e lexuesve por edhe institucioneve vendore dhe qendrore problematikën e shfaqur në këtë përzgjedhje. Unë jam Drejtori Artistik i ansamblit çam Krahu i Shqiponjës me një aktivitet të gjerë në Vlorë, në gjithë vendin por edhe jashtë kufijve gjeografik aktual shqiptar. Ndër të tjera do të theksoja se në festivalin e fundit folklorik ansambli ka marrë çmimin laurant për solistin e valles së Osman Takës, 3 çmime të para dhe dy herë fitues i çmimit të dytë në festivalin e këngës dhe valles çame që zhvillohet në qytetin e Sarandës, njëherë fitues i kupës dhe një herë fitues i vendit të parë në festivalin Cicërimat Folklorike zhvilluar në qytetin e Fierit, përkatësisht në vitin 2013 dhe 2014 dhe disa herë fitues në festivalet e ndryshme zhvilluar në Strugë, Kosovë, Preshevë dhe bullgari. Ndonëse me gjithë këto çmime në jetën artistike të këtij ansambli, ai nga strukturat organizative të përgatitjeve të festivalit të Gjirokastrës në qarkun e Vlorës as që njoftohet për nisjen e përgatitjeve për konkurrim. Këtë gjë unë e marrë vesh rastësisht në qytetin e Sarandës kur kishim shkuar të merrnim pjesë në një veprimtari kushtuar shkrimtarit Bilal Xhaferri dhe nga …drejtori i shtëpisë së kulturës së Sarandës. Sapo vij në Vlorë marr menjëherë kontakt me drejtuesit e këtyre përgatitjeve zotin Estref Dobi nga i cili vihem në dijeni së në këtë konkurrim marrin pjesë të gjitha grupet artistike që mendojnë se kanë vlera folklorike me moshë 7 vjeç e lartë. Po ashtu mësoj se dy janë kriteret kryesore për pjesëmarrje: vallja ose kënga duhet të jetë burimore dhe se do të këndohet ose luhet me orkestër live. Meqenëse këto dy kritere ishin shumë të përfaqësuara nga ansambli që unë drejtoj, morën pjesë në konkurrim qysh në atë të parin zhvilluar më 30 janar 2015. Natyrisht që për vetë vlerat e paraqitura me vallen e kënduar Bakllahia u shpallëm fitues për të vazhduar konkurrimin edhe në fazat e tjera. Edhe në konkurrimin e dytë zhvilluar më 27 shkurt 2015 ne u shpallëm fitues po me të njëjtën valle të kënduar dhe u përgatitëm për konkurrimin e tretë që do të ishte edhe takimi final ku do të përcaktoheshin përfundimisht pjesëmarrësit në festivalin e Gjirokastrës. Nga organizatorët e këtyre përgatitjeve na u tha se takimi i tretë do të jetë në formë koncerti ku do të merrnin pjesë edhe spektatorë vlonjatë dhe shpallja e fituesve do të bëhej pak ditë pas këtij koncerti. Edhe në këtë konkurrim – koncert vallja e ansamblit tonë u pëlqye shumë nga spektatorët dhe si pritej u shpall fituese. Por vetëm pak ditë pas kësaj, më thërret drejtuesi i grupit organizator të këtyre përgatitjeve zoti Estref Dobi që është njëherazi edhe drejtor i Muzeut Kombëtar të pavarësisë dhe më kërkon një kompromis: grupi juaj vërtetë doli fitues dhe do marrë pjesë në festivalin e Gjirokastrës por me dy ndryshime, vajzat kërcimtare do të jenë nga një grup tjetër folklori ( nga grupi i shokut të ngushtë të zotit Dobi) dhe orkestra do të jetë ajo e qytetit të …Patosit. Ishte një befasi e madhe për mua, jo për nivelin artistik të grupeve që do na bashkëngjiteshin sepse ato janë më integritet të veçantë dhe nivel por përse duhej të mos merrnin pjesë vajzat e grupit tim dhe po ashtu orkestra ime që kishin punuar aq gjatë për këtë konkurrim. Në asnjë mënyrë nuk e pranova këtë kompromis. Mirëpo me sa kuptova dhe po kuptojë, kjo alternativë e zotit Dobi është e vetmja që grupi imë tashmë i përgjysmuar duhet të marrë pjesë në këtë festival. Menjëherë kam vënë në dijeni të gjitha institucionet vendore që përgjigjen ligjërisht për këtë festival lidhur me këtë situatë . Meqenëse pritja për përgjigjen po e kalon kohën e pritshme dhe meqenëse koha ikën dhe nuk vjen më lidhur me përgatitjen që duhet të zhvillohen lidhur me konkurrim dinjitoz, unë marr guximin ta bëjë situatën publike me shpresën e zgjidhjes së saj sipas vlerave të paraqitura. Nuk kam asgjë me grupet e tjera konkurruese ndonëse si profesionist më erdhi keq që u eliminua edhe grupi Djemtë e Vlorës që kishin një këngë domethënëse për situatën dhe shpërndante mesazhe të forta miqësie dhe bashkëjetese. Pati ky konkurrim edhe padrejtësi të tjera por unë nuk dua të marrë përgjegjësinë e të tjerëve dhe si e theksova edhe në fillim të shkrimit, përmes shembullit tim dua të vë në dukje këto shembuj negative.
SALI NUREDINI
DREJTOR ARTISTIK I ANSAMBLIT CAM KRAHU I SHQIPONJËS, VLORE
Sigal