Evdal Nuri: E lindura dhe e fituara tek njeriu…!

1225
Të dallosh natyrën dhe kulturën do të thotë të dallosh atë ç’ka është e lindur dhe atë që fitohet. “Natyra” është e lindur nga kodi gjenetik, kultura fitohet në jetë nëpërmjet trashëgimisë shoqërore nga brezi në brez, duke u pasuruar vazhdimisht. 

1- Natyra e njeriut? 
Ajo është e lindur. Fëmija i ngjan nënës apo babait, gjyshes apo gjyshit. Mund t’i ngjajë edhe xhaxhait, tezes, hallës apo dajës, ndoshta dhe brezave të mëparshëm. Kur themi; i ngjan, e kemi fjalën, jo vetëm në paraqitje të jashtme, por dhe në funksionin e organeve dhe në kodin gjenetik. Natyra e njeriut trashëgohet. Kjo është arsyeja që shumë sëmundje janë të trashëgueshme si: tensioni, diabeti, AIDS, sëmundjet e zemrës, migrena e disa sëmundje të tjera. Këto trashëgohen edhe kur mund të mos i kenë pasur prindërit, por gjyshërit apo katragjyshërit. Koncepti i fjalës “Natyrë” duhet kuptuar më gjerë. Ajo shtrihet jo vetëm në rang shteti, por në territore më të mëdha. Mijëra vjet duke u përzier popujt fqinj me natyra të ndryshme kanë dhënë e marrë midis tyre. Kjo ka bërë që të afrohen kodet gjenetike dhe natyrat e tyre. Popujt latinë (italianët, spanjollët, francezët, portugezët) karakterizohen nga një ndjenjë e hollë që shfaqet në shpirtin e tyre poetik e artistik. Ballkanasit janë natyra impulsive. Këta popuj kufirin midis urrejtjes e dashurisë e kanë shumë pranë. Ballkanasit janë reflektim e pasqyrim i popujve latinë. Popujt e Evropës Qendrore –Veriore të dominuar nga popujt gjermanikë, dallohen në rezervimin e shprehjeve e mendimeve për një problem të caktuar. Ata janë djepi i filozofëve modernë të njerëzimit. Gjithçka që i përket natyrës është, jo vetëm universale, por është e domosdoshme. Fjala vjen; uria dhe etja imponojnë kërkesën e tyre natyrore për të gjithë njerëzit. Askush nuk do të mund të mos i nënshtrohej këtyre kërkesave, ndryshe do të humbiste jetën. Por, nga ana tjetër ushqimet dhe pijet që përdorin njerëzit mund të jenë të ndryshme. Kjo do të thotë, se rregullat e të sjellurit në shoqëri janë të detyrueshme. Pikërisht sepse individi nga pikëpamja materiale mund të mos i bindet rregullit (shpesh kryen akte mosbindjes) shoqëria i imponon ritet, ligjet dhe normat kulturore. Në çdo gjë njerëzore ka një pjesë që vjen nga natyra dhe një pjesë tjetër që vjen nga kultura. Ka një pjesë që vjen nga biologjia dhe një pjesë që vjen nga shoqëria. Megjithatë nuk mund të thuhet që kultura e shtyp natyrën. Kështu rregullat e martesës paracaktojnë instinktin seksual. Të ushqyerit paracaktojnë nevojën për të ngrënë. Kjo na bind se kultura është ajo që e bën natyrën të funksionojë. Në këto kushte shtytjet agresive natyrore duhet të jenë gjithmonë të kontrolluara nga ana e organizmit shoqëror. Kultura nuk është e detyruar të shtypë natyrën. Praktika ka treguar, se në shumicën e shoqërive shtypja kulturore e ushtruar mbi shtysat natyrore kanë qenë të paevitueshme. Në kushtet e një prodhimi më të pakët se sa nevojat reale të njerëzve, shoqëria vendos sanksione ndaj vjedhësve e shpërdoruesve. Në kushtet e sotme të një prodhimi të bollshëm ajo na nxit t’i japim fund: Vizionit për një natyrë jo njerëzore dhe një njeriu jo natyror. Në këto kushte sot kërkohet të pajtohet koncepti natyrë me atë kulturë. Zhvillimi kulturor e biologjik i qenies njerëzore janë në ndërvarësi njëra me tjetrën. Ato shkojnë bashkërisht. Ndërmjet modelit kulturor trupor e trunor është krijuar një sistem pozitiv i kundër reagimit në të cilin secili modelon progresin e tjetrit. Pra të kuptosh natyrën njerëzore, do të thotë të kesh parasysh: Ndikimin e moshës, orientimin seksual, racën dhe etnicitetin në individ. Të gjitha këto janë përbërës të natyrës sonë si qenie shoqërore, që trashëgohen nga paraardhësit. Shumica e njerëzve krenohet se zotëron në kulm aftësinë për ta njohur natyrën e njeriut dhe do të fyhej nëse dikush do të vinte në dyshim kompetencën e saj në këtë fushë, duke propozuar që njohuritë e saj të verifikohen në praktikë. Mirëpo, si rregull ata që duan ta kuptojnë seriozisht natyrën e njeriut e mësojnë sa vlejnë në të vërtetë njerëzit e tjerë nëpërmjet bashkëpërjetimit ose gjatë krizave jetësore vetjake, ose duke vëzhguar krizat e të tjerëve dhe duke e identifikuar veten me ta. Studimi i natyrës së njeriut mund të quhet art, në dispozicion të të cilit janë shumë instrumente. Qëllimi i tij kryesor duhet të jetë zgjerimi i njohurive tona për njerëzit, domethënë ai duhet të na japë mundësinë për t’u bërë natyra më të mira, më të plota, më të pastra.

2–Po kultura, ç’është?
Kultura është tërësia e arritjeve të një populli dhe të gjithë njerëzimit në fushën e prodhimit dhe në zhvillimin shoqëror e mendor. Kultura,si qëndrim i veçantë i njeriut ndaj mjedisit rrethues, dallohet nga karakteri krijues dhe simbolika. Ajo është tipar dallues vetëm i njeriut të të gjitha epokave,qysh nga fillimet e procesit të hominzimit.”…njeriu fillon të behët i tillë, ne dallim nga kafshët e tjera, pikërisht sepse koncepton botën në mënyrë simbolike” Kultura mund të ndahet në disa mënyra, sipas kohës, vendit dhe sipas grupimeve të njerëzimit. Ajo krijohet në jetë. Kultura në kuptimin e gjerë shoqëror paraqet bashkësinë e trashëgimisë shoqërore dhe jo vetë pjesëmarrjen në disa vlerave të saj. Kjo i shtohet natyrës. Njeriu është shpikës i trashëgimisë kulturore. Ai është krijuesi i gjuhës së folur e të shkruar i mjeteve të prodhimit që i transmetohen gjeneratave të ardhshme. Prandaj themi që shoqëria ecën përpara. Ka aq kultura sa kombe ka. Çdo shoqëri është përpjekur që t’i imponojë shoqërive të tjera kulturën e saj. Grekët i quanin “barbarë” popujt që flisnin gjuhë tjetër dhe që kishin institucione të tjera. Evropianët për një kohë të gjatë nuk kanë vënë re te kulturat ekzotike veçse “gjendje të egër”. Pra nëse natyra mban shenjën e barabartë biologjike, tek kultura kemi shenjën e diversitetit. Ne shqiptarët kemi kulturën tonë. E trashëguar brez pas brezi. Brezat e kanë detyrë që ta zhvillojnë atë e ta çojnë përpara. Ajo vazhdimisht pasurohet, transformohet, por kurrë nuk zhduket. Kultura ballafaqohet në çdo situatë të përditshme e të prekurit në secilin cep të jetës së njeriut, ndërsa arsimi është në ndërgjegjen shoqërore. Çdo kush ka një karakter që bazat i kanë marrë nga kultura. Në këtë rast kulturën mund ta marrim edhe si mënyrë sjelljeje dhe trashëgimi familjar. Kultura mund te ndikoj pozitivisht por edhe negativisht. Ekziston nje tendencë dhe ide se gjithmonë kultura ndikon negativisht. Ndikimi i kulturës pavarësisht vullnetin tonë është krejtësisht i pashmangshëm .Shumica e divorceve në vendin tonë vijnë nga faktori ekonomik. Por s’do mohuar fakti që një pjesë e konsiderueshëm vjen nga, mos njohja sa e s’i duhet . Procesi i njohjes është i vështirë . Njeriu e tregon karakterin e tij të vërtetë në situata , sidomos të vështira. 
Sigal