Elia Zaharia, princesha e Festivalit Mbarëkombëtar të Komedisë në Korçë

677
Sigal

Nga Vepror Hasani

Aktorja Elia Zaharia e befasoi Korçën që në momentin e parë të provave. Ishte tejet e veçantë në rolin e saj. Kush pati rastin ta shihte nga afër, tha se ajo ishte shfaqur si një princeshë në një botë që nuk kishte dritë. Ndaj të gjithë prisnin ditën që do të shfaqej komedia “Vetëvrasësi”. Elia Zaharia kishte rolin e Mashës, bashkëshortes së Simonit që donte të vetëvritej, sepse i ishte mërzitur jeta dhe nuk duronte dot më. E kishte të pamundur të jetonte. Shpesh ngrihej në mesnatë dhe kërkon koburen që e kishte fshehur në kutinë e zezë të klarinetës, por nuk ka guxim “t’ia heqë vetes”. Edhe komedia kishte pasur peripecitë e veta. “Vepra ishte shkruar nga dramaturgu rus Nikolai Erdman, në vitin 1928, por u ndalua të vihej në skenë nga regjimi stalinist, sepse për pushtetarët shfaqja kishte qenë e frikshme. Autori u internua në Siberi. Thuhej që ishte një nga dramat më të mira të shkruara në kohën e Rusisë komuniste. Dhe e vërteta ashtu kishte qenë: Komedia-satirë mbeti kryevepra e tij. Deri më tani kjo vepër nuk ishte përkthyer asnjëherë në shqip. Gjithçka u mor përsipër nga regjisori Sulejman Rushiti; edhe përkthimin e kishte bërë vetë. Të gjitha këto e vishnin shfaqjen me mister. Ç’fshihte vallë brenda vetes kjo komedi që kishte trembur më të fuqishmit e Rusisë?! Roli i Elia Zaharisë ngjasonte shumë me atë të princeshës që përpiqej të shpëtonte gjithçka mundej nga ajo botë e frikshme. Qytetarë të shumtë të Korçës prisnin ngjitjen e shfaqjes në skenë. Vetëm atëherë do të mund të mësonin të vërtetat e kësaj komedie. Do të kuptonin, nëse shoqëria shqiptare ende vuan nga atavizma të kohës së Stalinit.

Çmimet

Në përfundim të edicionit të 5-të të Festivalit Mbarëkombëtar të Komedisë në Korçë, juria e përbërë nga Enver Petrovci, Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani, Adem Karaga, Rajmonda Bulku ndanë çmimet:

Shfaqja më e mirë, “Vetëvrasësi”, Teatri i Korçës dhe Teatri Kombëtar
Aktorja më e mirë, Elia Zaharia

Artistja e re, Paola Kodra