Ekipet e harruara, nga “Luftëtari” i Enver Hoxhës, te Tekstilisti Stalin

945

Nga 42 skuadra që kanë marrë pjesë në Kategorinë e Parë, nëntë prej tyre nuk ekzistojnë më as në letër

Në Kategorinë Superiore (dikur quhej Kategoria e Parë) kanë milituar 42 skuadra nga e gjithë Shqipëria, por nëntë prej tyre nuk ekzistojnë më as në letër, pasi kanë pasur jetë të shkurtër futbollistike, duke mos i rezistuar kohës.  Gazeta “Telegraf” boton një speciale kushtuar ekipeve që janë bërë pjesë e Kategorisë së Parë, për herë të parë, janë pjesë e kategorive të ulëta apo që tani nuk ekzistojnë më.

 LUFTËTARI I SHKOLLËS SË BASHKUAR

Skuadra e Shkollës së Bashkuara të Oficerëve “Enver Hoxha” ka marrë pjesë në katër kampionate: 1952, 1953, 1954 dhe 1955, si dhe ka qenë gjysmëfinaliste e Kupës së Shqipërisë, në vitin 1952 dhe 1954. Në kampionatin e fundit ku mori pjesë, pra atë të vitit 1955, zuri vendin e 8-të në një edicion me 16 skuadra. Në atë sezon bënin pjesë edhe Dinamo e Shkodrës, Dinamo e Durrësit, Kombinati Tekstileve “Stalin”, Spartaku i Tiranës, ekipe këto që tani nuk ekzistojnë më.

 DINAMO E DURRËSIT

Ka qenë një ide e çmendur e udhëheqjes politike, sigurisht për t’i bërë qejfin aleatit sovjetik, që në kampionatin e vitit 1953, pesë nga dhjetë ekipet quheshin Puna: Puna e Durrësit, Puna e Tiranës, Puna e Durrësit, Puna e Vlorës dhe Puna e Shkodrës. Si të mos mjaftonte një Dinamo në Tiranë, u themelua edhe një Dinamo në Durrës, por që pati vetëm tri kampionate jetë në Kategorinë e Parë (tani Kategoria Superiore), pikërisht në sezonin 1953, 1954 dhe 1955 (60 ndeshje në total, 18 prej tyre fitore).

 SPARTAKU I TIRANËS

Ne tani jemi mësuar me emrat e Tiranës, Partizanit, Dinamos, apo Kamzës dhe Olimpikut (ekip i Kategorisë së Dytë), por në kryeqytet ka qenë edhe Spartaku i Tiranës, ky i fundit ka marrë pjesë në tre kampionate: 1954, 1955 dhe 1957, dhe nuk është dukur më në skenën futbollistike të kryeqytetit – i shtypur nga tri të mëdhatë – por ne në arenën kombëtare, në ndonjë kategori inferiore. Në kampionatin e vitit 1955, qyteti i Tiranës paraqitej me gjashtë ekipe: Dinamo, Partizani, Puna (Tirana), Kombinati Stalin, Spartaku dhe Luftëtari i Shkollës së Bashkuar. Me emrin “Spartak” ka luajtur edhe Pogradeci dhe ka pasur një Spartak edhe në Shkodër (ka marrë pjesë në dy sezone: 1

 DINAMO E SHKODRËS

Si klub u themelua në vitin 1952, por vetëm një sezon luajti në Kategorinë e Parë, pikërisht atë të vitit 1955, dhe që çuditërisht u rendit më mirë se Puna apo Vllaznia. Dinamo e Shkodrës u rendit në vendin e 4-të (33 pikë në 30 ndeshje), ndërsa Vllaznia, në të pestin (32 pikë në 30 ndeshje). Më pas, ajo nuk figuron më në historinë e futbollit shqiptar.

 DINAMO E VLORËS

Përveç Flamurtarit të Vlorës – apo dikur edhe me emrin Jeronim De Rada, Ismail Qemali dhe Puna, – qyteti i Vlorës ka pasur edhe një ekipi me emrin Dinamo, që ishte në modë në vitet 1950. Dinamo e Vlorës ka marrë pjesë vetëm një sezon në Kategorinë Superiore, në vitin 1952, ku doli nënkampione e grupit C, ndërsa në raundin final, ajo zuri vendin e fundit.

 YLLI I SHKODRËS – Skuadra ishte e përbërë nga ushtarakë dhe ishe krijuar në mesin  e viteve 1940. Mori pjesë vetëm në një kampionat, në atë të vitit 1945, në grupin A (Vllaznia merrte pjesë në grupin B). Në atë kampionat, Ylli i Shkodrës zuri vendin e dytë pas Tiranës. Më pas u shkri si ekip.

 TEKSTILISTI “STALIN”

Skuadra e Kombinatit të Veshjeve “Stalin” u themelua në vitin 1967, në vitin 1968 doli kampione e Katgorisë së Parë, dhe në sezonin 1969-1970 mori pjesë për herë të parë dhe të fundit në Kategorinë Superiore. Zuri vendin e 13-të (14 pikë) në një kampionat me 14 skuadra, duke lënë pas Naftëtarin e Kuçovës.

 SELENICA E VLORËS

Ndoshta tani mund të duket e pabesueshme, pasi ekipi nuk ekziston më, por në sezonin 1991-1992, Selenica e Vlorës luante në Kategorinë Superiore, përkrah emra të tillë si Tirana, Partizani, Dinamo, Vllaznia, apo dhe Flamurtarit të Vlorës. Selenica u prezantua në atë kampionat me emrin “21 shkurti”. Selenica zuri vendin e parafundit nga 16 skuadra, duke grumbulluar 27 pikë, dhe  duke lënë pas Skënderbeun e Korçës (17 pikë).

 SHKËNDIJA E TIRANËS

Shkëndija e Tiranës, apo më mirë e Institutit të Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”, ka qenë një nga ekipet më simpatike që kanë marrë pjesë në Kategorinë Superiore, madje ka qenë e pranishme në 10 sezone: i pari, në sezonin 1971-1972, dhe, i fundit në 1985-1986. Me këtë formacion kanë luajtur disa nga emrat më të mëdhenj të futbollit shqiptar. Renditjen më të mirë e ka pasur në sezonin 1973-1974, vendi i gjashtë. Tani nuk ekziston më. Ekipet e saj përfaqësohen në nivelet e kampionateve të moshave.

 Emrat e çuditshëm të skuadrave

  Gjatë viteve të periudhës së komunizmit, për shkak edhe të aleancave politike dhe strategjike të shtetit shqiptar, ekipet dhe klubet i ndërruan shpesh emrat, aq sa tani, futbolldashësit e sotëm nuk mund t’i dinë apo i kujtojnë shumë zbehtë. Shumë skuadra kanë marrë emrin nga ngjarje të caktuara politike të Partisë Komuniste Shqiptare, apo datat e çlirimit të qyteteve të tyre. Shumica e emërtimeve nuk ekzistojnë më, ndërkohe që kanë mbetur ende disa të tilla. Vetëm Partizani nuk e ka ndërruar emrin, pasi dhe “Dinamo” e ndërroi atë një vit, në “Olimpk”, pikërisht midis sezoneve 1995-1997

  Emrat politike

Shumë skuadra kanë marrë emrin nga ngjarje të caktuara politike të Partisë Komuniste Shqiptare, apo datat e çlirimit të qyteteve të tyre: “17 Nëntori” i Tiranës, “5 shtatori” i Çorovodës, “31 korriku” i Burrelit, “24 maji” i Përmetit, “21 shkurti” i Selenicës, “Labinoti” i Elbasanit, “8 Nëntori” i Shijakut, “10 korriku” i Gramshit, “22 tetori” i Poliçanit, “18 shkurti” i Bulqizës.

 Kopjim rus

Në emërtimin e disa ekipeve është ndjekur me modeli i skuadrave ruse, “Dinamo” e Tiranës,  “Traktori” i Lushnjës, “Lokomotiva’ e Durrësit, “Ylli i Kuq” i Pogradecit, “Industriali” i Laçit,  “Kombinati Stalin” i Kombinatit të Tekstileve “Stalin”, “Minatori” i Tepelenës, “Punëtori” i Patosit, “Vullneti” Rrogozhinë, që sot nuk ekzistojnë më si emërtime të tilla, apo dhe “Turbina” Cërrik, “Përparimi” i Kukësit.

 Male dhe lumenj

“Tomori’ i Beratit, “Melesini” i Leskovikut, “Korabi” i Peshkopisë”, “Trebeshina” e Këlcyrës, “Sopoti” i Librazhdit, “Veleçiku” i Koplikut, “Dajti” i Kamzës, janë vendosur duke iu referuar maleve të qyteteve, të cilat u përkasin skuadrat. Por, ka dhe të tillë, si “Vetëtima” e Himarës. Nuk mungojnë lumenjtë dhe fushat: “Shkumbini” i Peqinit, “Erzeni” i Shijakut, “Devolli” i Bilishtit, “Bistrica” e Delvinës, “Valbona” e Bajram Currit, “Domosdova” e Përrenjasit.

 Heronj dhe antikitet

Edhe emrat e skuadrave me konotacion patriotik, apo që i referohen heronjve tanë nuk mungojnë te ekipet tona: “Besa” e Kavajës, “Luftëtari” i Gjirokastrës, “Flamurtari” i Vlorës, “Ismail Qemali” i Vlorës, “Skënderbeu” i Korçës, “Partizani” i Tiranës, “Besëlidhja” e Lezhës, “Liria” e Korçës, “Ylli’ i Shkodrës.  Edhe toponimet e qyteteve antike nuk mungojnë: “Apolonia” e Fierit, “Butrinti” i Sarandës, “Bylisi” i Ballshit, por ka dhe “Dragoi” i Pogradecit.

  Dikur në Superligë, sot në të Dytën

 Janë paraqitur me dinjitet në Kategorinë Superiore, pavarësisht rënies së tyre të pashmangshme, kanë zhvilluar kampionate shumë të mira në Kategorinë e Parë, por tani gjenden në të Dytën, ku dhe atje nuk shkëlqejnë.

 ALBPETROLI

Patosarakët janë në Kategoritë e Dytë. Numëron shtatë pjesëmarrje në Superligë, si dhe një në Kupën e Kupave (1993-1994).

 EGNATIA

Egantia është prej disa sezonesh pjesë e Kategorisë së Dytë, por në sezonin 2004-2005 ajo ka qenë pjesë Kategorisë Superiore.

 ERZENI

Erzeni apo dikur “8 Nëntori” ka marrë pjesë gjashtë kampionate, i i fundit, në 2002-2003. Sot, ndodhet në të Dytën.

 GRAMOZI

Gramozi i Ersekës ka marrë pjesë për herë të parë dhe të vetme në Kategorinë Superiore në sezonin 2009-2010. Sot, në të Dytën.

 BURRELI

“31 Korriku” i dikurshëm, sot Burreli, ka marrë pjesë në katër kampionate të Kategorisë Superiore. Sot, në Kategorinë e Parë.

 PËRMETI

E themeluar në vitin 1923 me emrin “Leka i Madh” dhe më pas “24 Maji” ka marrë pjesë vetëm në sezonin 1981-1982.

 SOPOTI

Sopoti i Librazhdit, apo dikur Puna apo dhe “Albania Tabak”  ka marrë pjesë pesë herë në Kategorinë Superiore. Sot, në të Dytën.