Edhe shumë vite jetë për Shoqatën “Polifonia”!

237

Polifonia është një nga këto burime të pashtershme force dhe energjie për të kapërcyer çdo sfidë



Prof. Dr. Edlira HAXHIYMERI-YZEIRAJ

Të gjithë ne jemi përballur me vështirësi e sfida në jetë. Shumë nga ne edhe të rënda. Por shqiptarët janë kanë dalë. Janë ringritur. Kjo edhe sepse brenda nesh kanë vluar vlera dhe virtyte të rralla që na kanë ushqyer forcë e qëndrueshmëri. Unë besoj se polifonia është një nga këto burime të pashtershme force dhe energjie për të kapërcyer çdo sfidë.  Unë vij nga një zonë tjetër prej asaj ku këndohet polifonia. Rrënjët e të parëve të mi më çojnë atje ku këndohet me lahutë e çifteli. Të parët e mi i kënduan fushës së Korabit, atje ku binin trimat për të mbrojtur trojet shqiptare, por edhe ku lindnin trima dhe trimëresha plot për t’i dalë zot vatanit. Unë jam rritur duke kënduar këngën e bareshës që i lutej deles rude t’i sillte në jetë një qengj të butë (Ti moj delja, delja rude, as ma sjell një qengj të butë), dhe këngën e djalit që i drejtohej vajzës me fjalët “oj zoge jelek me vija, a po m’i bon çorapet e mia”.  Prindërit, por në mënyrë të veçantë gjyshërit përcollën tek unë ndjenjën e krenarisë për atë çfarë jemi dhe përfaqësojmë. Fati e solli që jeta ime të lidhej me atë të dikujt që vinte nga zona e Mallakastrës, atje ku këndohej një nga variantet e polifonisë. Për mua, mbi 3 dekada bashkëjetesë me mallakastriotët kanë qenë një shkollë e pasur jete. Mes atyre ku gëzimi, dasma, sebepi nuk fillon dhe nuk ka kuptim pa një këngë polifonike, jeta ime është më e pasur, më e bukur por edhe më e kuptimtë. Unë iu jam mirënjohës të gjithë mallakastriotëve për atë çfarë më kanë dhënë në këto vite. Ndihem shumë më e kompletuar dhe më e pasur! Shqipëria jonë është e bukur, është e veçantë, është frymëzuese, është e pasur sepse ka dy pjesë që përbëjnë zemrën e saj. Shqipëria nuk do të ishte kjo e jona, pa të dy pjesët e saj. Është një moment për të thënë se ne duhet të bëjmë çdo sakrificë për ta ruajtur këtë pasuri, që pasardhësit tanë, fëmijët por edhe fëmijët e fëmijëve tanë të rriten e të frymëzohen prej tyre. Ndaj edhe njëherë dua të shpreh gjithë mirënjohjen time për këdo që në forma dhe mënyra të ndryshme kontribuon për ta ruajtur, mbrojtur dhe zhvilluar këtë pasuri pa çmim të kulturës sonë! Këtu një meritë ka dhe Presidenti i Shoqatës z. Yzeir Llanaj Edhe shumë vite jetë për Shoqatën “Polifonia”!