Dritëro Agolli: Ka disa fshatra në Devoll që bëjnë shaka me vetveten

593
Sigal

Unë nuk vij drejt nga librat, por vij nga kultura e
fshatarësisë, vij nga mjeshtrat e mëdhenj të lërimit të tokës

Fjala e shkrimtarit Dritëro Agolli me
rastin e marrjes së titullit “Doctor Honiris Causa”


 

Unë falënderoj Universitetin
e Korçës “Fan S.Noli” që më dha këtë titull të nderuar. Falënderoj zv.
ministren e Arsimit dhe të Shkencës, znj. Nora Malaj, me të cilët unë njihem
prej kohësh, sepse vendi ynë nuk është aq i madh dhe shqiptarët mund të njihen
me emër gati të gjithë, jo vetëm aq, po gjithandej shqiptarët janë kushërinj,
kushërinj të parë, të dytë, të tretë, të katërt. Nuk gjen ndonjë shqiptar që të
shkojë në ndonjë qytet dhe të mos ketë kushërinj, qoftë në Veri, qoftë në Jug.
Unë jam nga kjo anë, edhe ndofta këtu kam më shumë kushërinj se në ndonjë qytet
tjetër, por gruaja ime është nga Shkodra, edhe atje kam kushërinj, por edhe të
tjerë deri në Tropojë, e  ku s’kam, po edhe në Gjirokastër që kam
studiuar, jo studiuar, po mësuar në shkollën e mesme; po në Bilisht që kam bërë
shkollën unike, që quhej atëherë, se në atë kohë ishte shkolla fillore
5-vjeçare dhe pastaj unikja, unikja ishte gjysmëgjimnaz dhe meqë kishte pak
kuadro arsimorë, prej unikes një pjesë e madhe e atyre kolegëve të mi shkuan
mësues, pastaj e vazhduan me korrespondencë arsimimin e tyre. Po në këto
raste kur njeriu merr një titull vihet në mendime, thotë: A jam i zoti ta mbaj
një titull të tillë apo nuk jam, se mos turpërohem. Po unë jam tashti 80 vjet
dhe nuk kam kohë të turpërohem. Vetëm kam kohë të shkoj në një botë tjetër, të
kthehem në një materie tjetër, se unë jam ateist, si pjesa më e madhe apo si të
gjithë ju që merreni me shkencë dhe letërsi dhe vetëm mund të kthehem në një
qenie tjetër, në një krimb apo pas krimbit pastaj bëhem flutur, se kalojnë ato
larvat në flutur dhe jam i gëzuar nga kjo anë që nuk mbetem krimb, po bëhem një
flutur е fluturoj, krahët s’e di si mund t’i kem të  kaltër apo të bardhë,
por kështu është materia, asgjë nuk humb, vetëm transformohet. Më duket se
Lavuazieri, shkencëtar i madh  francez e ka thënë këtë, nëse nuk i
ngatërroj, sepse në këtë moshën time njerëzit bëhen edhe matufë, i ngatërrojnë,
jo vetëm emrat e shkrimtarëve, por ndonjëherë harrojnë edhe emrin e tyre, por
gjer tashti nuk më ka ndodhur ky fenomen, vetëm fjalët më ngadalësohen dhe
njëherë, madje, m’u ngadalësuan fare. Se piva dy kokrra, ishin të çuditshme ato
kokrra, ilaçe për t’u qetësuar, por mesa duket ai mjeku m’i dha për të fjetur
dhe duke folur në një intervistë që u dha, unë s’e dëgjova, sepse më vinte turp
ta dëgjoja, por një fjalë e thosha pas një minute ndofta. Kështu që njeriu kur
vete 80 vjet vetëm kështu mund t’i ndodhë përpara këtyre fakteve, mund të
ndodhë që edhe gënjehemi ndonjëherë shpejt, megjithëse unë rrjedh nga
fshatarësia dhe fshatarët janë tepër të zgjuar, nuk gënjehen aq kollaj dhe janë
edhe produkt i kulturës së fshatarësisë. Unë nuk vij drejt nga librat, por
vij nga kultura e fshatarësisë, vij nga mjeshtrit e mëdhenj të lërimit të
tokës, por vij edhe nga mjeshtrit e tjerë të këngës popullore të popullit, bile
kur flas këtu para jush, ndonjëherë më vete mendja t’ia them një njëherë një
kënge devolliçe, por duhet të ketë ndonjëri që të ma mbajë. Po këtu e kam
fjalën që kurrë studentët të  mos bëhen mendjemëdhenj, por ta duan vendin
e tyre, në fillim të dinë nga kanë ardhur, nga ç’krahinë e nga ç’fshat, t’i
duan më përpara ato dhe, pastaj bashkohen të gjitha këto dashuri në një dashuri
të vetme, me dashurinë për Shqipërinë që, ma merr mendja, do ecë përpara dhe do
bëhet një nga vendet më të preferuara dhe për të tjerë vende, sepse është
pothuaj e virgjër. E virgjër unë nuk e them në atë kuptim që të vijë dikush nga
jashtë dhe të nga zhvirgjërojë, por të na ndihmojë e jo të na bëjë gjëra të
pabëra. Pra, unë i dua me gjithë shpirt të gjithë qytetet dhe vendet e
Shqipërisë, por veçanërisht e dua Korçën, Bilishtin, po edhe Kolonjën se jam
nip nga Kolonja. E kam thënë dhe herë tjetër këtë, po njëri m’u zëmërua, unë
thashë që si devolli unë nuk jam aq i mençur, thashë se nënën e kam nga
Kolonja, që kolonjarët janë shumë të zgjuar dhe babanë nga Devolli, se
devollinjtë hiqen si budallenj, po në fakt nuk janë të tillë, se njerëzit që
punojnë kurrë nuk mund të jenë budallenj. Po unë e shkela aty, se këtë ia
thashë një mikut tim që edhe ai, po kështu të atin e kish nga Hoçishti edhe të
ëmën nga Kolonja, nga Luarasi. Edhe i thashë, se ne të dy, në bazë të fizikës e
të matematikës jemi te zeroja, se plus- minus bëjnë zero, se njëri i mençëm,
tjetri jo i mençëm, po këtë e thashë me shaka. Nuk ka vend më punëtor sesa
Korça, Devolli etj., po veçanërisht Devolli dhe, nëse do të bëhej një monument,
e kam thënë edhe herë tjetër, për lavdinë e punës, duhej të bëhej me figurën e
një devolliu, një monument i madh. Po janë të mençëm ata që bëjnë shaka me
vetveten. Ka disa fshatra në Devoll që bëjnë shaka me vetveten, si Babani dhe
shumë të tjerë, domethënë në Shqipëri ka më shumë që i nxjerrin vetë, nuk ua
nxjerrin të tjerëve, vetë i nxjerr vetvetes, kështu atëherë një më i mençur, si
Nastradini, ia nxirrte vetvetes ose të tjerë që janë të njohur në historinë e
letërsisë. Ja edhe unë po nga ky vend që nxjerrin anekdota jam, bile dhe
këto pak fjalë që thashë i bëra përshesh, sepse njëherë u futa këtej, njëherë
dola andej, po tashti jemi mësuar me shumë fjalime, se kemi gjithnjë zgjedhje,
po dëgjojmë parlamentin, po dëgjojmë, gjithë këto diskutime të gjata  që
sikur na i kanë pakësuar fjalët edhe neve. Flasim kështu kur marrim ndonjë
rrobë të tillë të nderuar dhe, edhe njëherë unë do t’u falënderoja të gjithëve
që më thirrët,  më dhatë këtë titull dhe do ta mbaj me nder, sepse, siç
thashë në fillim, nuk kam kohë të turpërohem, po ta kisha marrë në moshën
40-vjeçare më mirë që s’e mora, se disa herë jam turpëruar, kurse tani
s’turpërohem dot.