Dinos Kubatis: “Jam i dashuruar me Shqipërinë”

525
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, regjisori grek, Dinos Kubatis: “Arti nuk njeh kufij mes popujve”

Dinos Kubatis, figura poliedrike e artit grek. Regjisor, aktor, gazetar e poet, këto ditë ndodhet në qytetin e Sarandës. Ai prej vitesh drejton si president klubin “Kafeneja e ideve”, ku mes shumë medaljeve ndaj personaliteteve ndërkombëtare që shkëlqejnë në fushat e zhvillimit të shoqërisë si shkencor edhe artistik, jepet medalja e artë “Aleksandri i Madh” me të cilën janë nderuar edhe personalitete të Shqipërisë. Zhvilluam me z.Kubatis një bisedë mes lidhjeve shpirtërore, të transmetuara mes krijimtarisë dhe folklorit të dy popujve dhe roli i politikës midis popujve. Z.Kubatis sjell vlerësimet e tij për Shqipërinë, shqiptarët, artin e sajë dhe nuk mungon të jap edhe ndjesitë e tij se është i dashuruar me Shqipërinë. Mendimet e këtij personaliteti të lart grek të artit dhe letrave greke, po i sjellim në faqet e gazetës për lexuesin tonë.

-Z.Kubatis, përshëndetje nga “Telegraf”! Në këtë bisedë, pikë së pari duam të dimë, sipas jush, se kush janë të përbashkëtat e artit, poezisë, folklorit, midis popullit grek dhe atij shqiptar, duke qenë si dy popuj fqinj, kanë dhënë e kanë marrë nga vlerat e tyre dhe shumë elementë nga ky alternim janë kthyer tanimë si vlera identike të secilit popull me përbashkësinë në elemente. Cilat janë?

Së pari falënderoj gazetën tuaj, pasi ka shkruar edhe për mua disa herë dhe hera e fundit qe për “Netët korçare”, ku unë isha i ftuar. Para së gjithash dua të them se Shqipëria, veçanërisht Shqipëria e jugut, është zgjatim i territorit grek, por edhe territori grek është gjithashtu zgjatim i Shqipërisë së jugut. Ekzistojnë shumë karakteristika të përbashkëta midis dy popujve si e njëjta traditë, të njëjtat doke, të njëjtat zakone. Pra ne si popuj jemi të njëjtë, ndaj kemi edhe cilësi të përbashkëta dhe ndjekim të njëjtën rrugë të përbashkët. Përveç poezisë popullore që, siç e dimë, përngjet në tërë vendet e Ballkanit dhe aq më shumë midis grekëve dhe shqiptarëve edhe ndjenjat janë gjithashtu të njëjta dhe si rrjedhojë edhe shprehja e tyre është e njëjtë, identike.

-Z.Kubatis edhe një pyetje sqaruese për lexuesin shqiptar, ju jeni president i “Kafeneja e ideve”, çfarë është ky organizëm?

Po! “Kafeneja e ideve” është një organizëm ndërkombëtar që aktivizon shumë aktivitete ndërkombëtare, midis së cilave edhe Medalja e Artë e “Aleksandërit të Madh”, e cila u jepet njerëzve që dallohen për kontribute në shoqëri, në shkencë, në sport, në art. Nga e gjithë bota vijnë propozime në këtë organizëm dhe ne verifikojmë vërtetësinë e këtyre propozimeve. Në Shqipëri ekzistojnë shumë njerëz me merita dhe me intelekt. Pra, pasi bëhen propozimet, bëhet verifikimi dhe pastaj japim medaljet. Urojmë që Shqipëria në të ardhmen të prijë në këto vlera dhe ne të kemi kënaqësinë që të japim këto medalje tek shqiptarët që e meritojnë.

-Meqenëse jemi tek kriteret e shpërndarjes së medaljeve, ju keni vlerësuar me medaljen e “Aleksandërit të Madh” dy personalitete të Sarandës, aktorin Anastas Nika dhe Kryebashkiakun Stefan Çipa. Pra një respekt disi i veçantë për Sarandën, si e konsideroni këtë qytet?

Medaljen “Aleksandri i madh” që kemi dhënë tek Anastas Nika, i cili për ne, siç konstatuam, është vërtet një artist i madh dhe përtej pyetjes, se për kontribute i kemi dhënë edhe kryetarit Stefan Çipa këtë medalje, nuk ka ndonjë lidhje me dashurinë që kam për Shën Sarandën. Njerëzit që marrin këtë medalje, e marrin se e meritojnë, përtej ndjeshmërisë sime për qytetin. E kam njohur Sarandën, që prej vitit 1996, kur kam filluar të vij shumë herë këtu dhe më pëlqen natyra, më pëlqejnë njerëzit dhe do të doja (uroja) edhe të jetoja në këtë qytet.

-Si poet, ju i keni kushtuar edhe një poemë të gjatë Shqipërisë. Diçka rreth sajë?

Kur erdha për herë të parë në Shqipëri, njoha shumë gjëra. Erdha i panjohur me Shqipërinë. Po shumë njerëz, që i zura miq, më njohën nga afër me Shqipërinë dhe nga kjo njohje kuptova se sa ngjamë të dy popujt. Më bëri përshtypje përpjekja, më bëri përshtypja kultura që ekziston në Shqipëri. Me gjithë mend dashurova Shqipërinë dhe ato që ndjeva në vizitën e parë, janë ato që ndjej edhe sot dhe do t’i ndjej përgjithmonë. Ndjehem si një fëmijë i Shqipërisë. Faleminderit për të gjitha!

-Çfarë mendoni ju, se duhet të rregullojë politika dhe politikanët në marrëdhëniet midis dy vendeve, që ato të jenë si marrëdhëniet kulturore dhe shpirtërore, pasi ato nuk njohin kufij?

Unë besoj se politika nuk luan asnjë rol dhe asnjë vendim në ndjenjat e njerëzve, në miqësitë midis tyre, dashurisë dhe lidhjen e tyre. Siç e dimë të gjithë, politika ka disa qëllime, të cilat vet njerëzit duhet t’i evoluojnë dhe miqësohen me popujt dhe kjo sidomos me popujt që i kemi pranë, që kanë të njëjtën ndjeshmëri, të njëjtën kulturë, të njëjtën traditë si midis Shqipërisë dhe Greqisë. Faleminderit!

-Faleminderit edhe juve z.Kubatis!

Përshtypjet

Kur erdha për herë të parë në Shqipëri, njoha shumë gjëra. Erdha i panjohur me Shqipërinë. Po shumë njerëz, që i zura miq, më njohën nga afër me Shqipërinë dhe nga kjo njohje kuptova se sa ngjamë të dy popujt. Më bëri përshtypje përpjekja, më bëri përshtypje kultura që ekziston në Shqipëri

Të përbashkëtat

Ekzistojnë shumë karakteristika të përbashkëta midis dy popujve si e njëjta traditë, të njëjtat doke, të njëjtat zakone. Pra ne si popuj jemi të njëjtë, ndaj kemi edhe cilësi të përbashkëta dhe ndjekim të njëjtën rrugë të përbashkët