Dhionis Nika, Shqiptari që admironte sistemin ekonomik Bullgar

888
Ishin ditët e fundit të dhjetorit 2015 dhe pikërisht data 20, kur miq, shokë, kolegë, ish-nxënës dhe bashkënxënës u mblodhën në lokalin më luksoz të qytetit të Sarandës, “Santa-Kuaranta”, aty ku pamja sodiste të jep panoramën e plotë të bukurisë së këtij qyteti me gjirin e kaltër të ujërave të Jonit përkëdhelur nga rezet diellore të mëngjesit, pikërisht aty, të gjithë jemi mbledhur për të festuar vlerësimin e gazetarit të këtij qyteti, Thoma Nika, si publicisti më i mirë i vitit 2015. 40 vite në shërbim të gazetarisë shqiptare, 40 vite suksese, përballje, sfida, ecje… Në këto momente emocionuese për kolegun tonë të vlerësuar me objektivitet, biseda jonë shkon edhe “pas kuintave”, ato të pathënat në ilustrimin biografik profesional të Thomait: fillesat e hapjes së themeleve të profesionit të tij. Dhe biseda, përveç mirënjohjes dhe dashurisë së pakufishme për nënën, ashtu siç di t’i përcjellë ç’do njeri, por në veçanti një gazetar profesionist deri në përlotje, Thomai ndalet dhe sjell kujtimet për babanë e tij, Dhionis Nika. Habitemi tek dëgjojmë atë përshkrim të biografisë së të atit, paanësi e pasentimente dhe mendja na shkon, se si shumë personazhe të jetës së këtij qyteti, në vite, kohë e sisteme të ndryshme, janë lënë në harresë, pavarësisht se mbi supe mbajnë histori, punë për rindërtimin dhe industrializimin e vendit të pasluftës së dytë botërore të rrënuar e të shkatërruar, por edhe në kulm të fukarallëkut ekonomik. E një nga këta pionierë të drejtuesve me arsimin përkatës në Sarandë, qe edhe Dhionis Nika, nga Senica e Rrëzomës e përmendur për “Besën e Senicës”, fshat që ka pasur intelektualët më të shumtë e nga të gjitha fushat në zonën e rrëzomës. 

Le të mundohemi të sjellim disa detaje biografike të Dhionis Nikës, për të plotësuar disi atë boshllëk memorialistik të qytetit tonë, ashtu siç kemi bërë herë pas here në faqet e gazetës “TELEGRAF” edhe për personalitete të tjera të Sarandës dhe rajonit jugor, me besim se japim një kontribut në zgjimin e vlerave të qytetit, personazheve, personaliteteve dhe ngjarjeve. Dhionis Nikën, vitet e para të çlirimit dhe pikërisht vitet pas dalldisë ekonomike që shkaktoi prishja e marrëdhënieve ekonomiko-politike me jugosllavët, e gjeti në postin e drejtorit të bashkimit të kooperativave të konsumit (tregtisë) në Delvinë që mbulonte rajonin Sarandë-Delvinë. Vështirësitë ekonomike të vendit dhe mungesa e institucioneve arsimore për të përgatitur specialistë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe jetës së vendit e detyruan shtetin shqiptar të asaj kohe të dërgonte studentë në vendet e kampit socialist dhe demokracive popullore të lindjes. Ky fat i ra edhe Dhionis Nikës, duke shkuar si student në Bullgarinë e Gjergj Dimitrovit në vitet 1956-1958. Qenia e tij, si student i vlerësuar për arritje mësimore zë vend edhe në një antologji “Bullgaria dhe studentët shqiptarë”, ku përfshihen rreth 400 studentë shqiptarë në harkun kohor, fundi i viteve ‘40 dhe fundi i vitit 1960. Ky është një botim i përgatitur nga “Miqtë e Bullgarisë”, ish-studentë dhe i sponsorizuar nga ambasada Bullgare në Shqipëri dhe pajisur me parathënien e ambasadorit bullgar, Teodor Roussinof. Gjatë këtyre viteve të sipërpërmendura mbaruan studime si për nivelin e mesëm, ashtu edhe atë të lartë, por temperaturat e luhatjeve politike krijonin problemet e tyre tek studentët tanë. Kështu Dhionis Nika, mori valixhen e drurit dhe ndonëse i martuar e me fëmijë, u nis për studime në fushën e teknologjisë në qytetin Plaidiv, ku dhe u specializua për specialist (teknolog) bulmeti. Pas mbarimit të studimeve, nisur nga rezultatet në mësime, emërohet mësues në shkollën tregtare të Vlorës. 

Por nevojat ekonomike për shtimin e prodhimit dhe rritjen e cilësisë së tij, për furnizimin e popullatës edhe në prag të bllokadës ruse, do ta detyronin shtetin ta emëronin drejtor të N.I.Q. (ndërmarrja e industrisë së qumështit) ku punoi vite të tëra, deri sa vitet e fundit në dalje të pensionit i bëri në detyrën e shefit të prodhimit në N. P. N. (masonët, si u thonë sot) ndërmarrje nga më të dëgjuarat edhe për prodhim sixhadesh e qilimash për eksport. Në kujtimet që ka lënë pas, gjithmonë në ambiente familjare dhe tepër të ngushta për arsye të kohës, Dhionisi tregonte se pritja që u bënë bullgarët studentëve dhe nxënësve shqiptarë që emociononte, entuziaste dhe tepër miqësore. Dhionis Nika, do të vlerësonte gjithmonë kushtet e mjediseve arsimore, aq sa përherë përmendte, se megjithëse shkollë me drejtim të specializuar e profesional, i kushtonin rëndësi të madhe dhe kërkesë të patolerueshme lëndës së vizatimit teknik dhe tregonte se ishte vlerësuar në këtë lëndë me vizatim në tredimensionale të një kallëpi djathi. (kjo vlente me sa dukej edhe për përgatitjen e reklamës së etiketimit të tregut të mallrave). Dhionisi e vlerësonte gjithmonë dhe në çdo moment mikpritjen bullgare ndaj shqiptarëve dhe admironte sistemin ekonomik të tyre, ku megjithëse ishte vend i kampit socialist, spikaste konkurrenca drejt tregut privat me atë shtetëror si dhe lejonte edhe në fshat e qytet pronën private, duke e quajtur këtë konkurrencë si zhvillim ekonomik qoftë në fuqizim të shtetit, qoftë të privatit duke i dhënë social-demokracisë premisa implementimi (por fatkeqësisht Bullgaria nuk do të mundte ta realizonte këtë ëndërr dimitroviane, pasi u zbatua në Jugosllavinë e Titos-Shën. Im-A.M). Thomai tregon… dhe pikërisht ky tregim u bë shtysë edhe për këtë shkrim të domosdoshëm. për një nga figurat e personaliteteve të Sarandës, se sa përgjegjësi ka prindi për mirërritjen, miredukimin dhe mirarsimimin e fëmijës. Hesht për një çast Thomai dhe e kuptojmë në këtë përzierje emocionesh. 

Dhe ja nis: Mbaj mend se kur vinte me pushime, si fëmijë me mall të përvëluar, por edhe me sy tek duart e babait, ai gjithmonë sillte dhurata me simbole bullgare, ku spikaste tradicionalja dhe simbolet kombëtare e shtetërore të Bullgarisë. Mbaj mend njëherë që solli një çentro të qëndisur bukur, pothuaj njësoj si ato që bënin nënat tona apo vajzat për pajë e i vendosnin në tavolinë pritjeje e nëpër dritare, apo edhe në krevate si mbulesa. Kjo çentro ishte e bukur, këtë e kuptova nga shkëlqimi i syve të nënës, shenjë që ishte kënaqur nga dhurata. Çentroja kishte të qëndisur me grep në mes të sajë simbolin e shtetit bullgar. Ishte fringo e re dhe mesa kujtoj, babai tha se është 70-vjetori i shpalljes së pavarësisë së shtetit bullgar dhe prodhimet artistike, suvenire të ambalazhuara, çfarëdo qofshin u vihet simboli i shtetit, ishte viti 1958. Por mbaj mend, vijon Thomai, se i kushtonte rëndësi edukimit tonë dhe arsimimit dhe megjithëse larg, porosiste mamanë për kujdes. Edhe dhuratat që dërgonte këtij qëllimi i shërbenin dhe jo dukjeve e kapardisjeve tona që të braktisnim mësimet. Njëherë më dërgoi një dërrasë të zezë, të vogël që të mësoja në shtëpi, pa harruar edhe shkumësat dhe një palë çizme të kuqe, që më shumë shkonin për terren fshati. Dhuratat më të shumta i dërgonte me motive tradicionale të Bullgarisë, duke përsëritur se popujt duhet të jenë respektivë me njëri-tjetrin dhe janë të tillë. Asnjëherë nuk ndërroi mendimin, se prona private, duhet në konkurrencë me atë shtetërore se sjell zhvillim. 

Babai, Dhionis Nika, – na thotë Thomai, – e quante fat, jo vetëm studimin në Bullgari, por edhe faktin që pati në krah një nga njerëzit e tij të gjakut, Jorgo Nika, i cili specializohej për përpunimin e duhanit, madje më pas njohuritë e tij e bënë kryeinxhinier të fabrikës së duhan-cigareve “Telat Noga” në Durrës. Prania e tij ja bënte më të lehtë jetesën dhe studimet, edhe për faktin se qe i martuar babai dhe me fëmijë dhe emocionet e malli ndikonin. Dhe shoqërinë, pavarësisht lidhjeve të gjakut, nuk e harruan kurrë. Jorgo vinte gjithmonë tek neve me gjithë gruan, Ana, bullgare. Ajo nuk ngopej së shijuari byreqet e nënës dhe lavdërimet për duart e sajë se i kujtonin nënën e saj. Qe shqiptarizuar Ana. Dhe Dhionis Nika, pavarësisht pozitës së lartë shtetërore dhe shoqërore, nuk kërkoi kurrë privilegje, madje deri edhe tek më e thjeshta që të tjerët i zgjidhnin me një telefonatë në komitet të partisë: banesa. Shumë vite jetoi bashkarish me një familje tjetër, megjithëse familje e madhe. Kishin nga një dhomë dhe kuzhina në mes, aty ku flinte gjyshja tek gjysma e pjesës së saj. Nuk kërkoi privilegje dhe kështu jetoi vite me radhë, deri në vitin 1973, vit kur edhe familja e Dhionis Nikës, u pajis me një banesë modeste, po të paktën e kishte vetëm. Kjo është jeta e një njeriu të thjeshtë, që dha shumë e nuk kërkoi asgjë, Dhionis Nika! Shumë brenga dhe kujtime i mori me vete ditën e lamtumirës, nga kjo botë me mesazhin, se koha duhet të shkruhet, ka aq shumë vlera sa kur të kujtohemi do jetë vonë, ashtu siç edhe ka vonesa, por pa rikthim.
Agron Mema
Sigal