Debati, Ramiz Alia i tha Micotaqis: Vratë 30 mijë çamë dhe sot s’pranoni të rikthehen

638
Sigal

Rrëfim i Januz Januzajt në librin ‘Shqipëria ime’ (Unë dhe Ramiz Alia)

Në librin e tij ‘Shqipëria ime'(Unë dhe Ramiz Alia), Januz Januzaj sjellë dhe bisedën e gjatë të kalvarit e rreth 1 mln çamëve të shpërngulur nga tokat e tyre, ligjin e luftës nga fqinjët dhe debatin e Alisë me Micotaqisin…

J.Januzaj:-Është një gjë që edhe na prek si komb, është sjellja e Greqisë ndaj Shqipërisë dhe ata nuk e kanë hequr këtë gjendjen e luftës.

R. Alia:-Edhe sot ekziston.

J. Januzaj:-Gjendja e luftës me Greqinë dhe gjenocidi ndaj shqiptarëve atje, jeta e Çamërisë. Monarkofashistët grekë dhe krimet e tyre. Problemi çam nuk është i kohës antike, është para 60 vjetësh, ka ende njerëz të gjallë.

R. Alia: -Ashtu është, dhe shiko, gjithmonë kur predominon në politikën e tyre aleanca greko-serbe kundër shqiptarëve, gjithmonë është e pranishme.

J.Januzaj:- Jo që është e pranishme, por është edhe arrogante.

R. Alia:-Po, por ka edhe një anë tjetër, tash ne flasim në mesin tonë, janë 800 mijë në mos 1 milion shqiptarë që kanë shkuar në Greqi si emigrantë, të cilët janë të punësuar atje, të cilët punojnë në dobi të Greqisë, pra, të merremi vesh, është e interesuar Greqia për ta… I mbajnë familjet e tyre. Po them kështu, në mesin tonë: nga njëra anë kemi një politikë agresive, të poshtër antishqiptare, komplet, të qarqeve zyrtare greke, me firmë e me vulë, ndërsa, nga ana tjetër, kemi një trajtim shumë luajal, shumë korrekt të 1 milion shqiptarëve, të cilët jetojnë, shkojnë e vijnë në Shqipëri, pavarësisht se edhe ai trajtimi i tyre është zemërgjerë, po them kështu, por nga ana politike bëje hesap si e ke emrin ti, Januz, jo ti e ke Jani Janis. I ka bërë të gjithë me emra grekë, gjë që nuk ndodh askund tjetër. Ja, ky është në Gjermani, por ka emrin e vet. Nuk i ka thënë njeri thuaj se je Frederik, Vilhelm a Hans. Kurse në Greqi po…

J.Januzaj:-Ajo pa dyshim, por po flas për politikën zyrtare.

R. Alia:- Politika zyrtare është kjo.

J.Januzaj:-Në librin e tij më 1976, Udhauzi i përshkruan çamët si “të ndëshkuar” nga Napoleon Zerva për bashkëpunimin, por nuk jep përshkrime të dhunës dhe të mizorive sistematike të milicisë së Zervës në Paramithi etj. Më 1943-1944, aty-këtu ndonjë përpjekje angleze për t’i ndalë krimet e luftës së Zervës… Çamët do të shndërroheshin, si të thuash, në Fantazmat e Makinës Histori, të padukshëm dhe të pagojë.

R. Alia:-Pasi e ke para vetes, vazhdoje atë që kam pasur me kryeministrin e Greqisë… Ramizi-Micotaqisit: “Ju vratë 30 mijë çamë! Po për kthimin e çamëve, ç’do të bëjmë?”, e ndërpreu gjithashtu me arrogancë Alia monologun e kryeministrit grek. Dhe vazhdoi: “Kemi 100 e ca kërkesa nga familjet çame që duan të kthehen në tokat e tyre, por atyre nuk u jepet vizë?”. Në këtë mënyrë të beftë hyri çështja çame në një takim të nivelit më të lartë shqiptaro-grek. Debati për të u kthye në një nga çështjet kryesore, dhe siç duket nga procesverbali, Alia duhet të ketë dalë fitues në atë debat. Në një çast të caktuar, Micotaqisi e humbi dhe pohoi se problemi i minoritarëve grekë është i ndryshëm nga ai i çamëve, pasi këta u larguan vetë nga Greqia, si bashkëpunëtorë të nazistëve. “E pastaj, – shtoi ai, – ata nuk ishin grekë, ishin të një kombësie tjetër”. Këtë çast e kapi si duhet Alia, i cili nga pozitat e një mbrojtësi të të drejtave të njeriut, ia kthen Micotaqisit:  “Kështu pra, ata që i përkasin një kombësie tjetër ju i përzënkeni!” Një tjetër rast kulmor i këtij takimi emblematik, është dhe ai që ndoqi pretendimin tjetër të Micotaqisit, atë të njohjes si greke të atyre fshatrave që, sipas tij, dëshironin të ishin të tilla, në hapjen e kishave e të shkollave greke. Alia iu përgjigj prerë edhe kësaj radhe, se çështja e kombësisë nuk është çështje e zgjedhjes personale, por çështje e historisë, gjuhës, kulturës: “Jo kushdo që i thotë vetes grek është në të vërtetë grek”. Pastaj, shtoi Alia: “Si mund të më flisni mua për një fshat që na kërkuaka të quhet grek, ju që, me një fjalë tuajën këtu, shuat 30 mijë njerëz duke i quajtur bashkëpunëtorë të gjermanëve, bashkë me pleq e fëmijë?”… Në atë bisedë, Alia i shtroi të dy problemet themelore të Çështjes Çame, që përfaqësonin edhe dy nivelet e zgjidhjes së saj: problemin e kthimit të pronave dhe atë të rikthimit të tyre në trojet e veta.

J.Januzaj:-Po de, kjo është politikë zyrtare këtu.

R. Alia:- E ligë fort, sepse është një politikë që i nënshtrohet tekave të politikës greke.

(Vijon në numrat e ardhshëm)