Çlirim Hoxha/ Kultura e një populli nis nga ruajtja dhe trashëgimi i vlerave të folkut

531
Sigal

Vallja e gjyshërve oshtiu për tre net me radhë në skenën gjigante të Aulona Internacional Folk Festival në Sheshin “Pavarësia”, në qendër të Skelës së parë në Europë, në Vlorën e bekuar të historisë dhe kulturës shqiptare. Tani festivali ka ulur siparin e tij të edicionit të 6-të nën një atmosferë inkandeshente, mrekullisht magjike. Vlora u gjallërua si asnjëherë më parë pas heqjes së “kapotës” të dimrit dhe çeli sezonin turistik veror mes një ceremonie zyrtare. Aktivitetet e programuara nga Bashkia e Vlorës ishin të sinkronizuara bukur përmes thirrjes së qytetarëve që t’i bashkoheshin atyre dhe ashtu ndodhi, ku kulmi arriti me organizimin e 6-të radhazi të një festivali ndërkombëtar folku, kthyer tashmë në traditë. Dihet se në muajin Maj çelin me shumicë lulet, madje Maji mbahet si muaji i trëndafilave, por në Vlorë, në rrugët dhe sheshet e saj kishte më shumë ngjyra se lulet natyrale dhe këto ngjyra vinin nga Ilirida e lashtë e Europës plakë. Kostumet e vjetra të popujve, kostumet e gjyshërve u derdhën në rrugët dhe sheshet e Vlorës me gjithë madhështinë e tyre, me gjithë fantazinë e njerëzve që i kishin veshur këto kostume. Popujt nuk duan ndarje racash dhe fesh, nuk duan prapaskena politike në dëm të njeri-tjetrit. Popujt duan paqe, harmoni, gëzim, hare, popujt duan këngë e valle se kjo është jeta dhe përfaqësuesit e këtyre popujve nga Ballkani dhe Europa, u derdhën në Vlorën e Pavarësisë dhe Flamurit me eposin e gjyshërve dhe kërcyen vallet e këngët e tyre. “Kërceni vallet e gjyshërve”, ligjëronte poeti ynë i madh Dritëro Agolli në përshëndetjen drejtuar festivalistëve si President Nderi i Aulona Folk Festival. Sa shumë njerëz kishin ardhur në të tria netët për të ndjekur Aulona Folk Festivalin, si asnjëherë më parë. Një vend i përzgjedhur për ngritjen e skenës, pedonalja e përuruar në prag të 100- vjetorit të Pavarësisë. Një vend ideal në praninë legjendare të themeluesit të shtetit modern shqiptar Ismail Qemal Vlorës, i cili që nga piedestale thërriste: “Kërceni bijtë e mijë, e ardhmja e kombeve ju përket juve”! Por kush e organizoi gjithë këtë dasmë të flakëruar? Kush ishte shpirti inspirues i gjithçkaje që lëvrinte mbi tabanin e skenës dhe në mbarë rrugët dhe sheshet e Vlorës? Ai thinjoshi, gjyshi i Dariusit që nuk fjeti gjumë rehat, por që nuk i zinin këmbët dhe ai që lëvizte në çdo cep e në çdo  çështje që kishte të bënte me Aulona Folkun e edicionit të 6-të të Festivalit, ai që ka krijuar një traditë, ai që kërkon ndihmë për Vlorën, për Folkun e popujve, ai që Vlorës i ka dhënë pasaportën ndërkombëtare të flokut, babai i Aulona Internacional Folk Festival, Sejmen Gjokoli. Në natën e tretë të festivalin Sejmeni ishte i ngjirur dhe i lodhur, por i lumtur dhe krenar sepse i’ a kishte dalë mbanë. Ja kishte dal të organizonte edicionin e 6-të të Aulona Internacional Folk Festival, megjithëse nuk e kishin ndihmuar financiarisht ata që e kanë për detyrë të mbështesin aktivitetet ndërkombëtare të kulturës, siç është Ministria e Kulturës. Ja kishte dalë pasi festivalin e prezantoi e mirënjohura e skenave dhe ekraneve shqiptare, bukuroshja e përjetshme Silvana Braçe. Ja kishte dalë pasi grupit fitues ja dorëzoi kupën, kryetari i Komunës së Klinës në Kosovë, zoti Bashota. Pasi i bëri mijëra  qytetarë vlonjatë të kërcenin me entuziazëm së bashku me festivalistët gjatë tri netëve përpara burrit të kombit tonë Ismail Qemal Vlorës. U falënderua publikisht përmes prezantueses Silvana Braçe, televizioni serioz “Apollon” i Fierit, i cili e transmetoi për tri net me radhë Aulona Folkun nga sheshi “Pavarësia” në Vlorë. U falënderua Gazeta e Madhe “Telegraf”, që hapi faqet e saj për Aulona Folk Festivalin e Vlorës, duke informuar shqiptarët për çka po ndodhte në Vlorë. U falënderuan ata që sponsorizuan dhe mbështetën këtë eveniment ndërkombëtar folku të popujve. Në një prononcim mediatik drejtuesi i grupit “Cita di Palagianello” të Tarantos (Itali), fitues të Aulona Folk Festival, zotit Vittorio Coriglione, i cili e kishte për herë të dytë që vinte në Vlorë, tha: “Vlora më mrekullon pasi është vërtetë e mahnitshme dhe shumë e dashur dhe njëkohësisht e kripur nga deti. Duke e lidhur këtë në raport me festivalin, them me bindje se do të kthehem sa herë të jem në skenë, pasi e dua skenën dhe e ndjek atë kudo, aq më tepër në vende si Vlora ku ka diell, det dhe vajza të bukura”. Ndërsa Presidenti i Ansamblit “Bizovac” të Bizovac Kroaci Specko Vukovic, e renditi “Aulona Folk…” mes festivaleve më të mirë në shkallë ndërkombëtare, që zhvillohen sot në botë. Ai vlerësoi lartë organizatorët, të cilët, sipas tij, janë drejtues të denjë, ç’ ka krijojnë edhe një premisë premtuese për vet qytetin. Vlerësimi nga pjesëmarrësit në Aulona Folk Festival ishte i jashtëzakonshëm për organizatorët, për qytetin e Vlorës si një parajsë mbi tokë, e cila pret turistët në këtë sezon që sapo u çel. Vlora të ofron çdo gjë që quhet mrekulli dhe që është bërë për njerëzit. Vlora e historisë dhe e kulturës është thelb i Shqipërisë që rrezaton dhe magjeps vizitorët, të cilët nuk e kanë të vështirë të bien në dashuri me të. Festivalistët u larguan të martën nga Vlora, duke marrë me vete mbresa të pashlyera dhe premtimin se do të kthehen përsëri në këtë qytet, pasi këtu kanë lenë një pjesë të zemrës së tyre. U ndodhëm pranë autobusit të ansamblit “Uchetilite” të Sofies Bullgari, vajzat dhe djemtë e këtij ansambli po këndonin një këngë të vjetër për qytetin e Varnës, siç morëm vesh, por ata tani po ja kushtonin Vlorës. “Adio Vlora, qytet i bukur je ti. Adio Vlora, do kthehemi përsëri!”.