Bujar me emër, bujar me zemër

692
Sigal

Nga RAMAZAN ÇEKA

Gjatë Muajit të Madhnueshëm të Ramazanit “Mjeshtri i madh” Bujar Qamili shtroi një iftar për njerëzit në nevojë të qytetit të Shkodrës dhe këtë radhë të ftuarit e tij ishin disa agjërues të qytetit të Shkodrës.
Janë dhjetë vite pa ndërprerje që këngëtari i famshëm Bujar Qamili shtron iftar në Muajin e Madhnueshëm të Ramazanit, duke e kthyer në traditë të përvitshme. Prezent në këtë iftar përveç përfaqësusëve të Myftynisë së Shkodrës ishin të pranishëm edhe nga shoqëria civile, si dhe nga komunitetet e tjera fetare.
Muaji i Ramazanit është edhe një mundësi më tepër që i shërben frymës së bashkëpunimit dhe tubimeve në sofrat e iftarit ku këmbehen mendime dhe ide të dobishme në shërbim të harmonisë dhe edukimit shpirtëror.
Në fjalën e tij të mikpritjes Bujar Qamili theksoi se besimtarët janë të ftuar të jetojnë jeten tek besimi për t’i dhënë kuptim të sotmes dhe të ardhmes, ndërsa uroi për gjithë muslimanët agjërim të lehtë, duke falenderuar pasqyrimin që media i bën këtij muaji të rëndësishëm.


Përfaqësuesi i Myftynisë së Shkodrës z.Arben Halluni falenderoi Bujar Qamilin për shtrimin e iftarit, duke shprehur kënaqësinë e tij që mori pjesë në këtë sofër iftari, duke thënë se Bujari tregon respektin dhe nderimin që ka ndaj agjëruesëve, besimtarëve dhe shtresave në nevojë, duke iu qëndruar afër besimtarëve muslimanë.
Me këtë rast në emër të Myftynisë së Shkodrës ai shprehu falenderimin dhe mirënjohjen për z.Bujar Qamili, për bujarinë e tij dhe kontributet e çmueshme që jep herë pas here gjatë muajit të begatë të Ramazanit, duke i uruar shëndet, mirësi dhe suksese në misionin e tij artistik.
Këngëtari virtuoz Bujar Qamili, një zë brilant që me koncertet e tij në mbarë botën, nga dasmet në ambintet familjare e deri tek festat tradicionale e fetare, dha një tjetër mrekulli shqiptare që na e mbush shpirtin sa herë e dëgjojmë.
Bujari me modestinë e tij në mbyllje të kësaj darke ceremoniale u shpreh se kënaqësia më e madhe ishte jo detyrimi i tij shpirtëror, por respekti i pjesëmarrësve që pranuan ftesën e tij dhe se kjo bamirësi do të jetë e përvitëshme.
Bujar Qamili është i vetmi artist në Shkodër që organizon çdo vit veprimtari bamirësie me rastin e Muajit të Madhnueshëm të Ramazanit.
Nuk mungonte në këtë iftar edhe Kryetarja e Bashkisë Shkodër znj. Voltana Ademi, e cila në fjalen e saj theksoi se besimi në Zotin dhe dashuria për njëri-tjetrin, spikasin edhe më shumë në ditë të tilla. Ajo tha se kam kënaqësinë që sonte jam në iftarin e këngëtarit të mirënjohur, këtij artisti me zemër të madhe që shtron këtë sofër me rastin e Muajit të Madhërueshëm të Ramazanit.
Me këtë rast në emër të Bashkisë Shkodër dua t’ju falenderoj dhe t’ju uroj mirënjohje dhe suksese, mirësi dhe shëndet në jetën tuaj artistike dhe jo vetëm, por të gjithë ata njerëz të nderuar e të respektuar, të cilët agjëruan gjatë gjithë muajit të Ramazanit dhe iu bashkuan mesazhit të Zotit, duke respektuar një nga shtyllat e Islamit. Zoti iua shpërbleftë me të mira atyre dhe familjeve të tyre.
Është bujaria e Allahut që ka hapur rrugët e mirësisë dhe të shpërbleimit. E tillë është nxitja për bamirësi dhe vendosja e shpërblimeve të mëdha për këtë vepër.