Binjakëzim mes Muzeut Historik Kombëtar dhe Muzeut Shtetëror të Kosovës

599
Sigal

Marrëveshja u nënshkrua nga titullarët e dy institucioneve, z.Melsi Labi dhe z.Arsim Mehmeti

Muzeu Historik Kombëtar dhe Muzeu Shtetëror i Kosovës nënshkruan, dje, marrëveshjen e bashkëpunim-binjakëzimit mes tyre. Ky ishte një akt që erdhi natyrshëm duke u nisur nga historia dhe trashëgimia e përbashkët kulturore që, lidh popullin shqiptar në Shqipëri dhe Kosovë. Marrëveshja u nënshkrua nga titullarët e dy institucioneve, z.Melsi Labi dhe z.Arsim Mehmeti, ku të pranishëm ishin edhe nëndrejtori i Muzeut Historik Kombëtar z.Dorian Koçi dhe specialisti Sadik Krasniqi i Muzeut Shtetëror të Kosovës.

Gjatë fjalës së tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar z.Labi u shpreh se, krijimi i marrëdhënieve sa më të ngushta me Muzeun Shtetëror të Kosovës është një kënaqësi e pafundme dhe përbën një hap të rëndësishëm për zbatimin e projekteve të përbashkëta kulturore dhe historike. “Më anë të kësaj marrëveshjeje synojmë të bashkëpunojmë në fushën e Trashëgimisë Kulturore, Muzeologjisë, publikimeve, ekspozitave dhe shkëmbimit të përvojave të ekspeditave të përbashkëta në etnokulturë, histori, arkeologji e art”, u shpreh z. Labi. Ndërsa shprehu falënderimet e tij të përzemërta për këtë akt-marrëveshje drejtori i Muzeut Shtetëror të Kosovës, z. Arsim Mehmeti, theksoi se: “Sot, është një nga ditët më të veçanta për ne, pasi po ecim drejt rrugës që të parët na lanë amanet. Duke respektuar dy qeveritë, të Shqipërisë dhe Kosovës, ne po ndërmarrim këtë hap, pra firmosim këtë marrëveshje, sepse kemi një kulturë që i takon një kombi dhe kemi shumë gjëra që na bashkojnë. Për ne është kënaqësi dhe privilegj që ky bashkëpunim të eci përpara për t’i treguar botës se, ne i takojmë një Kombi të qytetëruar dhe të lashtë”. Në vijim të nënshkrimit të marrëveshjes përfaqësuesit e Muzeut Shtetëror të Kosovës vizituan pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar.
Në bazë të këtij binjakëzimi Muzeu Historik Kombëtar dhe Muzeu Shtetëror i Kosovës do të realizojnë projekte të përbashkëta për ngjarje, data e personalitete të historisë e kulturës kombëtare.