Anna Hotaj: Më pëlqen të pi kafe si ju shqiptarët!

756
Më pëlqen të pi kafe si ju shqiptarët. “Është bukur të pimë kafe në shoqëri, të bisedojmë, të shkëmbejmë mendime dhe të tymosim“. Kështu është shprehur prof. Cottier, një nga personalitetet botërore të anatomisë patologjike, shkencëtar dhe autor i shumë teksteve, gjatë një bashkëbisedimi në Siena me një personalitet të shquar shqiptar në Siena prof. Lutfi Alia. Çdo kush që viziton vendin tonë është e pamundur mos t´i bie në sy, përpos vlerave të shumta kulturore dhe gjallëria e rrugëve të qytetit gjatë ditës, por edhe gjatë natës, ku në sipërfaqet e kufizuara të saj ndodhen të përqendruara një numër i pafund kafenesh, restaurantesh, klubesh etj… Nga shumë të huaj që kam biseduar kjo dukuri i duket mjaft pozitive, pasi ndryshe nga jeta pasive dhe e lodhshme që bëjnë në vendin e tyre, këtu kanë mundësi të socializohen, të argëtohen dhe të heqin mendjen nga streset e jetës së përditshme. Por nga ana tjetër habiten se si në një vend me standarde te ulëta jetese në krahasim me vendet e tjera perëndimore, njerëzit kanë luksin të shpenzojnë kaq shumë në këtë aktivitet jo eficent. Ndryshe nga disa vende perëndimore, në Shqipëri njerëzit nuk janë ndërgjegjësuar akoma më rëndësinë e kohës duke e shpërdoruar atë „pa hesap“. Disa sociologë, të cilët duke studiuar shoqërinë kapitaliste kanë nxjerrë sloganin, “koha kushton“. Por ndoshta në një vend në tranzicion, ku jo domosdoshmërisht të pasurit para lidhet me punën, ky slogan nuk ka aq shumë efekt. 
Kufizimi
Kështu për shembull në Itali ose Gjermani koha që shpenzojnë në kafene është mjaft e kufizuar, ku disa emigrantë shprehen që më shumë e pinë kafenë në dukë shkuar në punë apo në shkollë dhe shume rrallë kanë mundësinë për konsum të rehatshëm të saj. Arsyet pse shqiptarët mund të shpenzojnë orë të tëra nëpër kafene janë sa objektive aq edhe subjektive. 
Kafenetë si trashëgimi kulturore
Kafenetë janë trashëgimi kulturore, që vjen si pasojë e pushtimit 500-vjeçar nga Perandoria Osmane. Kafja e parë në Stamboll u hap në vitin 1475, ndërsa në Europë në 1645 si rezultat i marrëdhënieve të Perandorisë Osmane me Venedikun, në Angli, Oksford 1650. Amerika e ka pasur kafenenë e parë në Boston në vitin 1676, ndërsa në Shqipëri kafeneja e parë u hap në Shkodër …. Në fillimet e saj si pasojë e mbizotërimit të shoqërisë patriarkale, eksluzivitetin e frekuentimit të kafenesë tek ne e kishin vetëm meshkujt, edhe në ditët e sotme fryma e modernizmit po hyn me vonesë dhe me ritme të ngadalta. 
Kafenetë akoma sot frekuentohen kryesisht nga burrat. 
Gratë të izoluara në ekonominë shtëpiake, aktivitetin e kafenesë e kryenin në shtëpi duke bërë vizita tek njëra- tjetra. Karakteristikat tona kulturore si njerëz të dashur, mikpritës dhe social të dhënë pas fjalëve kryesisht pas thashethemeve dhe gjithashtu klima mesdhetare e ngrohtë e ka favorizuar shtrirjen e këtij aktiviteti në masë në ditët e sotme. Por fatkeqësisht vihet re një degradim problematik i këtij fenomeni. Kafenetë frekuentohen nga çdo lloj kategorie shoqërore duke u bërë një lloj rituali pa të cilët shqiptarët nuk jetojnë dot. Para çdo aktiviteti madje dhe pasi njerëzit frekuentojnë kafenetë, duket sikur koha për këta njerëz ecën me ritmin që ato e caktojnë vetë. Kafeneja është bërë një ambient social mjaft i rëndësishëm për shoqërinë tonë, madje duke bërë që lloji i kafeneve që ti frekuenton dhe performancën që ti shpalos gjatë atij aktiviteti shpalos dhe vlerat e tua. Madje dhe ambienti kryesor ku shqiptarët kërkojnë çiftëzimin janë kafenetë, njësoj si kameleoni që ndryshon ngjyrën kur i vjen koha të kërkojë partner dhe shqiptarët përmirësojnë paraqitjen e jashtme kur frekuentojnë këto vende. Kafeneja është një sebep, ku njerëzit mblidhen mes miqsh ose zgjidhin gjithë problemet e jetës së përditshme. 

Ana më problematike tek të rinjtë
Ana më problematike e lidhjes sentimentale të shqiptarëve me kafenetë janë frekuentimi i tyre i shpeshtë nga të rinjtë. Të rinjtë braktisin orët e mësimit për t´ju drejtuar kafeneve, duke rrezikuar perspektivat e tyre për të ardhmen aq të kufizuara për ta në shoqërinë tonë. Siç shprehet dhe Faik Konica: “Kaq lehtë ëndrrat e kafeneve bëhen punë?“ Këto të rinj jo vetëm që kufizojnë të ardhmen e tyre duke parazituar në kafene, por dhe ekspozohen ndaj veseve negative si rritje probabiliteti për t´u varur ndaj duhanit, alkoolit dhe drogave të ndryshme. Kjo zgjedhje e të rinjve për të frekuentuar me orë të tejzgjatura kafenetë janë sa individuale aq dhe të detyruara si pasojë e mundësive të pakta që ofron mjedisi për aktivitete të tjera. Si pasojë është detyrë e studiuesve social për të bërë studime, për të nxjerrë konkluzione si p.sh.: Pse njerëzit priren të investojnë në hapjen e kafeneve dhe si mund të veprohet që të kufizohet shumimi i këtij aktiviteti? Cilat grup mosha dhe kush kategori frekuenton më shumë kafenetë? Sa kohë në javë shpenzojnë të rinjtë nëpër kafene? 

Roli i medias
Roli i medias është gjithashtu i rëndësishëm për sensibilizimin e të rinjve për dëmin që i shkaktojnë vetes, qëndrimet e zgjatura nëpër kafene dhe promovimin e aktiviteteve te tjera që e kufizojnë aktivitet si p.sh. është venë re rritja e frekuentimit të palestrave nga të rinjtë. Autoritetet e caktuara kanë një rol qendror për përmirësimin dhe cilësinë e jetës së të rinjve duke investuar në vende pune për këta të rinj, zëvendësimin e kafeneve me parqe publike apo fusha sporti. Rol qendror kanë dhe prindërit në drejtimin e fëmijëve të tyre në aktivitetet e duhura, ku ato shpalosin talentin. Ky lloj fenomeni është tepër i ndërlikuar dhe i lidhur me variabla të tjera problematike të vendit tonë. Të gjendur në kushte studimore të kufizuara ndihmesa e profesionistëve është tepër e vështirë. 
Sigal