Anila Kalleshi vlerësohet me çmimin “ The Name in Scienes”

713
Anila Kalleshi, ky emër i njohur i dietologjisë shqiptare u vlerësua me një tjetër trofe. Në 4 korrik 2017 kësaj here në Hotel Schweizerhof në Lucernë të Zvicrës u zhvillua ceremonia madhështore e çmimeve “Socrates” ku Anila u vlerësua në këtë garë të bukur mes njerëzve që i kanë shpallur luftë mbipeshës me çmimin “The Name in Scienes”. Anila Kalleshi, e cila prej 20 vitesh sfidon e vetme dhe mjaft e sigurt këtë dukuri në vendin tonë, me sy të përlotur dhe triumfatore ndihet e vlerësuar nga Elita Botërore. Në një rrëfim për Gazetën “Telegraf”, gruaja që lufton me të ‘keqen’ në emër të së bukurës, tregon gjithçka për rrugëtimin e saj, për startin e së bukurës në konceptet e saj, kush ishin frymëzuesit e deri tek çmimet e panumërta, trofetë e të cilëve mezi i zë një raft i madh në zyrën e saj në qendrën ku edhe formësoi betejën e saj të veçantë. Anila Kalleshi, prej kohësh është kthyer në mendim dhe shpresë për qindra persona që nuk mund t`i bëjnë dot ballë ushqimit dhe pse jo edhe mekanizmit të shëndoshjes. Gruaja, që me dieotologjinë, duket se ka lidhur gjithçka të jetës së saj, tregon në këtë rrëfim çfarë ndodh në përballjen e saj me një person që lufton të dobësohet, ndërkohë që tashmë, veç faktit se Anila është njeriu më i suksesshëm në këtë fushë, ajo ka arritur të nxjerrë edhe 7 libra, përmbajtja e të cilave është në shërbim të njerëzve që nuk i kanë mundësitë të mbërrijnë në qendrën e saj dhe së shpejti pret të nxjerrë librin e saj të 8-të “ Dieta në shtazani”, Anila në sipërmarrjen e saj duket se ia ka arritur të jetë edhe krenare, ndërsa shikon gra dhe vajza teksa marrin trajtën e shumëdëshiruar brenda pak ditësh, ndërsa ajo nga zyra e saj komandon çdo detaj që lidhet me ecurinë e një personi që ka vendosur t`i besojë këshillës së saj për të marrë pamjen e duhur. Komiteti i Nominimeve “Socrates” në bashkëpunim me EBA Europe Bussiness Assembly me qendër në Oxford organizon një ceremoni të përvitshme të anëtarëve Elitarë të fushës të mjekësisë të të gjithë botës, lidhur me kontributin dhe shërbimet korrekte që i ofrohen njerëzimit. Pikërisht për këtë meritë është e nominuar edhe dietologia jonë. Për Anilën ky ështe një vlerësim mjaft i madh që i bëhet punës së saj të palodhur gjatë këtyre 20 viteve. Ndihem mjaft mirë dhe natyrisht jam e motivuar për të çuar më lart punën time në luftën kundër obezitetit dhe mbipeshës”. Kjo trofe vjen pas një mori çmimesh dhe vlerësimesh ndërkombëtare që bëhen për Anilën, që vendosi të ndiqte rrugën e veçantë dhe të bukur të dietologjisë, si diçka që ende nuk ishte hasur në vendin tonë. Tashmë, Anila Kalleshi, padyshim që betejën e saj e ka me perfekten, pasi ajo qëndron si një orakull për të gjithë ato persona që nuk munden dot vetë të sfidojnë kilogramët e tepërt. Dietologia shqiptare tashmë është e njohur në të gjithë botën, kjo pasi ajo prej vitesh është anëtare ‘Elitë’ dhe për pasojë ajo është pjesëmarrëse në të gjitha aktivitetet ndërkombëtare që zhvillohen në këtë kuadër. Në rrëfimin e saj, Anila Kalleshi, tregon për herë të parë se cilët janë rivalët e saj më të fortë ndërkombëtarë ndërkohë që hedh dritë edhe mbi mekanizmin se si shkohet deri te nominimi për çmimet. “Fillimisht plotësohet një formular që ka mbi 280 pyetje. Ajo çfarë e bën më të detajuar këtë pyetësor janë: kualifikimet e mia, skedat me të dhënat teknike të aparaturave që unë përdor me certifikimet përkatëse, dëshmi të klientëve me video dhe foto, paraqitjet e mia në publik, seminaret, kongreset dhe konferencat e ndryshme,botimet, publikimet brenda dhe jashtë vendit, daljet televizive, vlerësimet brenda vendit si edhe ato ne arenën ndërkombëtare”. Ndërsa në lidhje me rivalët e saj në garën e dietologjisë, Anila Kalleshi tregon se Rusia sjell vazhdimisht pretendentë të fortë, ndërkohë që po kaq të fortë sipas saj vijnë edhe nga vendet aziatike, Kore dhe Japoni. Ndërsa pas tyre, Anila përmend edhe kolegët e saj nga Franca, Gjermania dhe Kanadaja, ndërkohë që kur mendon se mes tyre dhe e vlerësuar me dhjetëra çmime gjendet edhe një shqiptare që për 20 vite ka ngjitur majat më të larta të dietologjisë krah vendeve më të zhvilluara në botë dhe vendeve me traditë në këtë fushë, të bën të ndjehesh mirë edhe si shqiptarë… ‘Ndihem e pa rivalizuar. Ndërsa në arenën ndërkombëtare Anila tregon vendet nga i vijnë rivalët e saj, ajo në vendin tonë e shikon vetëm si të pakonkurrueshme, ndërsa saktëson se gjithçka që ajo ka arritur, kanë ardhur falë punës dhe përkushtimit të saj:”Rival?! Nëse ju quani rival dikë që sapo ka vendosur të hapë një biznes pa pasur asnjë nga të dhënat që përmenda më lart, do të thoja që personalisht ndihem e pa rivalizuar. Në jetë kam zgjedhur të jem vetvetja dhe kopje e askujt. Dëshira, përkushtimi,pasioni, egoja dhe vullneti për të përballuar çdo sfidë, më kanë bërë të jem veçse vetvetja. Në jetë nuk kam preferuar të vjedh e as të tjetërsohem si dikush, por preferova që hap pas hapi të formatohesha në Anilën me shumë vlera profesionalisht dhe nga ana njerëzore. Në jetë mund të jesh kushdo, unë kam zgjedhur të jem vetvetja, Suksesi është vërtet i rëndësishëm për dikë që ka investuar shumë për ta patur. Por kurrsesi nuk është çelësi i lumturisë. Puna është shumë e rëndësishme për mua, por jashtë saj unë kam gjëra edhe më të rëndësishme se ajo. Nga ana tjetër, duhet të pranoj se suksesi në punë për mua ka ndikuar pozitivisht në të qenit e lumtur në jetë. Duke qenë e suksesshme, unë ndihem e dobishme për komunitetin dhe njerëzit, e kjo bën që unë të toleroj problemet e vogla që mund të lindin në jetë. Një femër është e suksesshme, kur e gjithë jeta e saj është e suksesshme. Me këtë dua të them, që të ketë arritur gjithçka në punë, në jetë dhe në të gjitha drejtimet e tjera që formojnë lumturinë e një njeriu. Pra, për mua, imagjinata e një Anile të suksesshme ka qenë gjithnjë kjo që jam sot: Të jem e aftë të punoj, të drejtoj aktivitetin tim me përkushtim, të kem një familje të përsosur ,të jem e arsimuar dhe e kulturuar. Në çastin që kam arritur këto pikësynime të imagjinatës sime, jam ndjerë e suksesshme dhe e lumtur. Në profesionin tim nuk është e thjeshtë të jesh e suksesshme. Puna ime është e ndërthurur me një marrëdhënie të dyfishtë dhe reciproke me klientin. Profesioni im do një përkushtim të vazhdueshëm. Të jesh në kontakte të vazhdueshme me të rejat e fundit të shkencës, të studiosh shumë, të punosh shume nga ana menaxheriale, pasi të krijosh një biznes në Shqipëri nuk është e lehtë, dhe këtë biznes mos ta ndjesh si biznes, por ta kthesh në art e pasion është akoma dhe më e vështirë. Unë me punën time kam arritur të jem pjesë përbërëse e transformimeve të mrekullueshme të njerëzve që vuanin nga obeziteti, nga forma trupore jo të mira, dhe kjo më ka ndihmuar ta dashuroj këtë profesion: Aty ku ka vullnet, pasion, dashuri – suksesi është 100% i sigurt..” Anila Kalleshi tregon se si arriti të zbulonte tek vetja shumë herët idenë për të bukurën, kjo falë edhe disa favorizimesh që i kanë ardhur pa asnjë lloj kursimi që në moshë të hershme. Në këtë rrëfim ajo hedh dritë mbi familjen e saj, si starti i saj drejt së bukurës por edhe në gjithçka që e bëri atë të jetë sot njeriu-dietë për të gjithë të tunduarit e ushqimit në vend. “Karriera ime në këtë fushë ka filluar rastësisht edhe pse profesioni që unë tashmë kam zgjedhur ka qenë një pasion i hershëm i imi. Fillimisht kam studiuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, dega Financë. Me dëshirën që të realizoja ëndrrën që kisha patur gjatë gjithë rinisë time, vendosa të ndiqja studimet për fizioterapi në ‘Visa Medicinska’, universitet në Beograd më pas me 2 mastera të përfunduar në Londër në “Diet and Nutrition” dhe “Weight Loss Management” në Amerikë, master në “Nutrizione Clinica” ne Universitetin Unicusano në Romë, si dhe kam ndjekur herë pas herë specializime në Associazione Medicina Estetica Tor Vergata në Romë. Të kesh një profesion që lidhet me bukurinë fizike; ky ishte një pasion shumë i hershëm. Tashmë kam 20 vite që ushtroj profesionin tim dhe ndihem e privilegjuar që kam ditur të zgjedh vërtet atë profesion që e dua dhe që di ta bëj shumë mirë…” Në jetën dhe karrierën e saj një vlerësim shumë të madh i jep dy dashurive të saj të vetme bashkëshortit të saj Anestit, i cili e ka përkrahur dhe vazhdon ta përkrahë në çdo iniciativë të saj si dhe Frankli djali i saj i vetëm që është qershia mbi tortë e kësaj dashurie shumë të madhe. Jam mrekullisht e lumturuar që Zoti na ka dhuruar një fëmijë aq të mbarë, të dashur e të zgjuar që di të dhurojë vetëm dashuri edhe në rastet kur jeta kërkon të të hedhë në ndonjë qorrsokak.. Pa ata të dy jeta ime nuk do të ishte kjo që është. Me bashkëshortin kam 20 vite (një jetë e tërë ) dhe çdo ditë me të është një ditë akoma më e bukur se dita paraardhëse. Dhe këtyre dy dashurive i shtoj dhe mirësinë, dashurinë dhe ndihmesën pafund që më japin në çdo moment të jetës time dhe prindërit she mi të mrekullueshëm Farukut e Liljanës që ua kam borxh gjithë jetën për atë ndihmë të pafundme që më kanë dhënë mua dhe tim biri.
Përgatiti: Esmeralda pirra
Sigal