Angjelina Xhara: “Të flasësh për “Vatrën” me një film është shumë pak”

574
Sigal

INTERVISTA/ Flet skenaristja Angjelina Xhara: Vatranët sakrifikuan pasurinë për atdheun

Një film i bukur, interesant, mbushur me ngjarje. S’ka si të ndodhë ndryshe kur bëhet fjalë për “Vatrën” e famshme të shqiptarëve të Amerikës, të cilët e tretën pasurinë për atdhenë. Një film që të mban tension nga fillimi në fund pasi të tilla kanë qenë ngjarjet dhe puna e “Vatrës” në momentet më deçizive kur luhej me fatet e atdheut.

-Si ju lindi ideja për filmin “Vatra e shqiptarëve të Amerikës”?

Ideja e këtij filmi ka qenë që në kohët e monizmit. Gjatë asaj periudhe unë kam shkuar në Korçë dhe kam bërë takime me të gjithë të moshuarit në lidhje me Federatën Vatra dhe posaçërisht me pjesëtarë të Bandës Vatra. Gjyshin tim e kisha anëtar të bandës Vatra (me vegla frymore) dhe kjo temë e madhe ishte brenda meje që në kujtimet e fëmijërisë. Unë në atë kohë nuk arrita ta bëja këtë film sepse pjesa më e madhe e instrumentistëve të Bandës së Vatrës dolën me biografi të keqe. Kjo sot s’mund të besohet. Me ardhjen e demokracisë m’u dha një rast ideal. Rastësisht  pa u marrë vesh u ndodha përpara hotel “Dajtit” për të takuar Antonio Athanasin. Për këtë më kishe folur gjyshi dhe mamaja që e kishte takuar më përpara dhe dëshira ime ishte ta takoja për të më mbështetur për filmin e Bandës së Vatrës. Por nuk u realizua sërishmi. Unë kisha gjyshin me këtë bandë ndërsa Ilia Terpini, regjisori i filmit, kishte babain dhe kjo ishte një koincidencë. Ne jemi krijues të vjetër të Kinostudios. Me Ilian kam bashkëpunuar në filmat dokumentarë më ka mbështetur dhe e kam mbështetur. Ky bashkëpunim që u lidh tek “Dajti” nuk u realizua sepse nuk gjetëm mbështetje financiare. Duhet të vinte ky çast i 100- vjetorit të Pavarësisë që ne të bënim të mundur realizimin e filmit për Federatën Vatra.

-Ku i mbështete studimet e tua?

Unë brenda vetes time kërkime të veçanta i kushtova viteve 1930. Për këto u mbështeta në shfletimet në Arkivin e Shtetit dhe në Bibliotekën Kombëtare, pasi idetë në kokë siç thashë i kishe qysh në monizëm. Për më tej u thellova akoma më shumë tek gazeta “Dielli”, e cila është një dhuratë e çmueshme e të gjithë brezave për brezat e ardhshëm. Ajo gazetë ka xhevahire të paimagjinueshme. Pra, Bibliotekë Kombëtare, Arkivi i Shtetit dhe gazeta “Dielli” ishin tre shtyllat mbështetëse për skenarin tim. Kam shfletuar shumë nga librat e Nolit që i janë dhuruar Bibliotekës Kombëtare, Bibliotekës së Universitetit të Tiranës dhe Bibliotekës e Harvardit. Është një mrekulli të shikosh gazetën “Dielli” të të gjitha kohërave, ku kanë shkruar personalitete nga më të ndryshmet, të cilët kanë folur me një pasion patriotik. Unë shkruajta skenarin për filmin e Vatrës dhe Ilia është regjisori. Më mbështeti shumë dhe ishte një bashkëpunim i vazhdueshëm dhe në Amerikë ku si operator ishte djali i tij Zhani Terpini. Një djalë i talentuar, i cili kërkonte gjërat e veçanta dhe me një nuhatje të re.

-Kryesisht, ku shkuat në Amerikë?

Shkuam tek ishulli Elis, atje ishin një komunitet nga trashëgimtarët e emigrantëve të parë, ku Zhani gjeti gjëra krejt të veçanta siç ishin opingat e një fëmije, dhe një pasaportë e një plake që kishte shkuar për herë të parë në Amerikë. Ne kemi pasur një bashkëpunim të mirë të tre si grup, dhe sollëm këtë film kaq të rëndësishëm për historinë shqiptare.

-Cila ishte pika më e vështirë në realizmin e këtij filmi?

Pika më e vështirë ishte për të zgjedhur materialin e duhur për ta vënë në film. Materiali dokumentar për këtë temë është një material i vështirë dhe shumë i veçantë dhe pak mistik, pra duhet ta japi zoti se çfarë duhet të fillosh për këtë temë madhore. Një film dokumentar është 45 minuta dhe të thuash një histori të madhe shekullore siç është Vatra duhet shumë më tepër minutazh filmi. Pra kjo ishte pika më e vështirë që të zgjidhje gjërat më pikante nga ai material i madh, të selektoje, të përfitoje, të rendisje. Këtu kishe të bëje me figura madhore si: Fan Noli dhe Faik Konica e të tjerë që për vetëm për ata si figura historike duhet të bësh një film me vete, kaq dokumente ka. Bëhet fjalë për vatranët, që kur lexon për ta ndjen një emocion të madh dhe të përgjithshëm pasi ishin patriotë që luftuan me mish dhe me shpirt, që luftuan për moscopëtimin e trojeve shqiptare. Nuk do të ishte kjo Shqipëri e sotmja pa këtë luftë gjigande të patriotëve të mençur të penës dhe të pushkës. Kanë qenë vite të vështira dhe Federata Vatra u krijua para shpalljes së Pavarësisë. Kjo Federatë u krijua kur po shihej se Perandoria Osmane po merrte tatëpjetën dhe po formoheshin shumë shtete të reja. Ishin kohë vendimtare për Shqipërinë. Ajo o bëhej atë kohë o zhbëhej njëherë e përgjithmonë. Gjesti patriotik, fisnik, burrëror i Ismail Qemalit u mbështet nga gjesti i bukur i patriotëve, të cilët  krijuan Federatën Vatra më 28 prill 1912 me përpjekje të jashtëzakonshme me një gjendje patriotike dhe emocionale. Për ndjenjën e bashkimit kishin folur shumë Noli dhe Konica. Tek “Dielli” ishin botuar shumë artikuj të bukur. Për bashkimin e shoqatave shqiptarëve në një Federatë siç u bë me Vatrën. Shoqatat patriotike u mblodhën. Në Amerikë ishin krijuar shoqata patriotike në qytete të ndryshme nga emigrantët shqiptarë. Bashkimi i madh u realizua në Boston të udhëhequr nga Faik Konica dhe Fan Noli me një harmoni të çuditshme dhe pse me kontradikta të mëdha. Ata e bënë real krijimin e një federate të madhe shqiptare me emrin simbolik “Vatra” në Boston, e cila ishte një ditë historike e madhe. Kjo datë ishte  28 prill 1912.

-Në sa shtete realizuat filmime në Amerikë?

Filmimet kryesore janë në Boston, se atje ishte arkiva e Fan Nolit dhe biblioteka dhe  kisha e Shëngjergjit. Bashkimi i madh u bë pikërisht në Kishën e Shëngjergjit. Më tej xhirime realizuam në Nju Jork ku është Selia e organizatës sot e Federatës Vatra. Njëkohësisht bëmë xhirime edhe në shtëpitë e shqiptarëve të hershëm që u hapën për të folur për këtë temë të madhe si në Lin, Boston, Filadelfia, Bruklin.

-Kush  ka qenë mbështetësi juaj në Amerikë në të gjithë këtë lëvizje?

Mbështetësi kryesor ka qenë Federata Vatra, drejtuesit e federatës Vatra me kryetarin e  saj të mrekullueshëm z. Gjon Bucaj që na dha një mbështetje kryesore në realizimin  e kësaj iniciative tonën. Ishte primare mbështetja e patriotëve të vjetër, por edhe atyre të rinj sidomos familja e poetes Ilirjana Sulkuqi dhe familja e vajzës së saj. Atje gjetëm komoditet aq ditë sa ndenjëm në Amerikë. Mbështetje ishte edhe takimi me veteranët dhe me studiuesit, me njerëzit që do të na jepnin  materialin bazë kryesor. Bashkëpunim patëm edhe me drejtorin e gazetës “Dielli”, Dalip Greca që ishte një figurë interesante dhe moderne që kishte në memorien, qenien e tij gjithë këtë histori të madhe dhe të gjithë ata artikuj mua më dukej se ai i dinte përmendësh. U bë një botim special i të gjithë atyre materialeve të para që i  përkiste Federatës Vatra në fillimet e veta. Pra, ishte 100- vjetori i themelimit të Federatës Vatra të Amerikës që na çoi dhe në zbulime të reja. Janë të shumta takimet dhe intervistat. Neve kemi bërë intervista të gjata, por në film janë transmetuar më shkurt, shumë shkurt, dhe pse ishin shumë të rëndësishme. Ne kemi marrë mendimet më esenciale.

-Po në Shqipëri ku keni filmuar?

Në Shqipëri kemi filmuar tek Biblioteka Kombëtare, kemi filmuar tek Arkivi i shtetit, tek Arkivi i filmit. Vitet e arta të Vatrës janë vitet 1912-1920. Vatra vazhdoi më aktivitete me karakter kombëtar dhe më pas, por jo me këtë intensitet të madh si në fillimet e saj. Përpjekjet e Vatrës sot, janë për të ruajtur gjuhën shqipe dhe për të mbajtur gjallë këtë patriotizëm tek shqiptarët në Amerikë, që sot janë brezi i tretë apo i katërt. Ne jemi krenarë që e kemi këtë Federatë Vatra që e mban gjuhën shqipe gjallë, gjuhën e bukur të rilindësve tanë si: Noli, Konica dhe vëllezërit Frashëri. Në këtë film ne kemi  treguar se u kemi shumë  borxhe atyre patriotëve të mëdhenj.

-Cili është mesazhi i kësaj vepre?

Mesazhi i kësaj vepre është një mesazh, ku  secili nga ne duhet ta dijë më shumë Shqipërinë, duhet të japë më shumë për Shqipërinë, duhet të sakrifikojë më shumë për të dhe ta dojë më shumë atë. Ashtu siç e tha edhe zonja e madhe Klinton kur erdhi këtu në Shqipëri. Edhe patriotët e mëdhenj që pasqyrohen në këtë film e donin shumë Shqipërinë. Ne duhet ta duam sikur edhe pak Shqipërinë. Secili nga ne aq sa ka mundësi duhet të japi për këtë Shqipëri sepse kanë qenë ata presidentët e mëdhenj amerikanë që e kanë dashur atdheun e tyre që e kanë çuar atë Amerikë atje  ku është sot.

Është e çuditshme, por do të them një moment që tha Kristaq Jorgji, ai kishte kujtime brilante dhe dokumente brilante për ardhjen e patriotëve më 1920. Ai na tregon një fotografi. Në Foto ishin katër veta. Këta shitën shtëpinë e tyre që kishin në Amerikë për të blerë një biletë për t’u kthyer në Shqipëri për të marrë pjesë në Luftën e Vlorës. Kjo gjë nuk bëhet sot tha Kristaqi. Gjëra të tilla duhet të bëhen edhe në Shqipëri. Njeriu duhet të mendojë ndryshe në sensin pozitiv për Shqipërinë. Këtë Shqipëri e mbështeti edhe presidenti i madh amerikan Uillson. Ai e mbështeti me një ide gjeniale. Deklarata e tij se, ‘kombet e vegjël duhet të kenë vetëvendosje’ mbetet aktuale dhe sot. Duhet të mbështeten kombet e vegjël ka theksuar ai. Ishin dy presidentët e mëdhenj në Amerikë në atë kohë Ruzvelti  dhe Uillson që mbështetën popujt e vegjël. Uillson e mbështetin Fan Nolin dhe në një bisedë intime  i tha se, unë do të kem vetëm një votë në Versajë dhe atë votë do ta jap për Shqipërinë. Ne me këtë film kemi realizuar një borxh të vogël si kineastë për këtë Federatë të madhe patriotike që quhet “Vatra”. I kemi borxh të gjithë atyre që kanë marrë pjesë në këtë Federatë të madhe dhe nuk mund të tregohet kontributi i tyre me një film të vogël. Unë e nisa këtë film për të treguar për gjyshin tim si pjesëtar i bandës së Vatrës dhe në film nuk kam thënë as gjysmë fjalie për të. Sepse nuk kishte vend se kishim edhe shumë ngjarje të tjera të mëdha që kishin bërë vatranët e mençur, të ditur, që luftuan aq shumë për komb dhe atdhe. Patriotët e mëdhenj kontribuuan që kjo federatë të vazhdojë për një shekull.