Anada Nikollari: “Jam totalisht kundër, që Modelet të vetëshkatërrohen për të ndjekur një pasion…”

1224
Sigal

INTERVISTA/ Flet modelja Anada Nikollari: “Rastësia solli suksesin”

Një modele që rastësia e bëri të famshme. Por bukuria për ‘të nuk është çdo gjë. Jetën ajo e ka lidhur me studimet dhe me aktivitete e ndryshme. I pëlqen të bisedojë për modën dhe modelet, pasi ajo është fusha e jetës, ku ka gjetur veten. Nuk është ende e dashuruar dhe mashkullin ideal ende nuk e ka ideuar në mendjen e saj.

 Si lindi suksesi juaj?

Dua ta lidh me konkursin në 2006-n pasi aty ishte rastësia që më dha mundësinë të punoj si modele dhe të jem e njohur edhe sot pas gati 7 vitesh, brenda dhe jashtë vendit. Atëherë gjithçka ka nisur krejt rastësisht, në shtator të 2006-s, kur unë konkurrova në Ford Supermodel of Albania (Bashkëpunim i Ford Models me fotografin e mirënjohur shqiptar Fadil Berisha), ku edhe u shpalla fituesja e këtij edicioni për atë vit. Ka qenë mjaft emocionuese pasi ishte gjëja e fundit që prisja, unë thjesht u nisa me idenë për të marrë pjesë e frymëzuar nga edicioni i një viti më parë, ishte thjesht dëshirë e imja e ardhur mjaft spontanisht dhe e mbështetur edhe nga familja (motra & mami, veçanërisht).

 Po n.q.s do flasim për sfilatën e parë?

 Sfilata e parë ishte konkursi që përmenda më lart. Mbaj mend që ka qenë një pasarelë e mirëfilltë me një gjatësi të konsiderueshme (në ambientet e Piramidës,Tiranë).Organizim mjaft i madh për kohën dhe i veçantë, gjithashtu. Edhe pse kishim javë që trajnoheshim ajo natë ka qenë mjaft emocionuese dhe nuk do e harroj kurrë. Rrahje të shumta të zemrës dhe pak dridhje këmbësh, por gjithçka shkoi mjaft mirë (më mirë seç e prisja (qesh) asgjë nga këto emocione të miat nuk është dalluar në skenë atë natë. Pas mbarimit të sfilatës kam qenë pak e hutuar pasi nuk munda ta besoj atë që sapo më kishte ndodhur

 Në sa sfilita keni marrë pjesë?

Kjo është një pyetje që nuk mund t’iu jap një numër të caktuar pasi nuk mundem dot t’i numëroj. Prej 2007-s e deri në momentet që flasim kam qenë prezente pothuajse në çdo aktivitet të rëndësishëm që është zhvilluar në Tiranë, por edhe në qytete të tjera (p.sh.javët e modës shqiptare ndër vite, kam punuar me të gjithë stilistët e mirënjohur që kemi në Shqipëri, Geraldina Sposa,Tirana Art Days 2012 etj.).Kam pasur fatin të punoj si modele edhe jashtë vendit si p.sh në Kosovë, në New York (Përfaqësimi i Shqipërisë në Ford Supermodel of the World ‘07), Pekin 2011(E para shqiptare pjesëmarrëse në China Fashion Week ‘11-‘12)

 Gjithmonë arti ka momente të vështira. Personalisht ju keni pasur një rast të tillë?

 Nuk më kujtohet ndonjë rast specifik, mund të jem ndjerë keq pasi është një pasion i imi që unë jap më të mirën nga vetja. Mund të ketë qenë ndonjë rast mjaft i rrallë, ku aktiviteti nuk ka pasur “seriozitetin” dhe pritshmëritë e duhura.

 A ka treg pune për modelet, Shqipëria?

Besoj se Shqipëria është në një pikë, ku zhvillimi është i dukshëm. Kemi mjaft revista në treg që janë shtuar me kalimin e viteve, ku mund të shohim editoriale me modelet tona, ndoshta më të mira edhe se ato që shohim në revistat e huaja. Nuk mund të them që jemi në nivelin e agjencive të mirëfillta të modës botërore, por situata duket mjaft optimiste. Pasi vajzat sot në krahasim me periudhën, kur unë e nisa kanë më tepër mundësi për t’u afirmuar dhe për të qenë të suksesshme në këtë fushë.

  Cilat janë modelet që ju keni për zemër?

Supermodelja me origjinë shqiptare Emina Cunmulaj (kam pasur edhe shansin ta takoj në NYC) mbetet e preferuara ime. Më pëlqejnë shumë edhe Victoria’s Secret Angels

 Të jesh modele je e privuar nga shumë gjëra për një trup perfekt?

 Është e vërtetë që në këtë profesion apo hobi duhet të tregosh kujdes me linjat e trupore pasi është trupi yt ai që shet në këtë rast. Por jam totalisht kundër, që një model/e të shkatërrojë veten për të ndjekur një pasion… Ka mjaft forma se si mund të kujdesesh, aktiviteti sportiv sistematik, ushqyerja në mënyrë të shëndetshme (pa hequr dorë nga ushqimi i parapëlqyer ëmbëlsirat p.sh, por kufizimi i tyre), mos abuzimi etj., etj.. Anoreksia është një kauzë tepër shqetësuese që prek kryesisht moshat e adoleshencës, që lidhen ngushtë me imazhet që shohin në ekran ose që i rrethojnë (në rastin e modeleve që janë pjesë e këtij biznesi).

  Mos vallë do të thotë që nuk mbani dietë?

Nuk dua t’iu gënjej unë nuk jam fare fanse e dietave, unë e ha ushqimin e rregullt po pa tejkaluar masën kuptohet, pi shumë ujë që është kryesori për lëkurën dhe organizmin. Padyshim që e shkel edhe unë me ushqimin (p.sh në festa të ndryshme, ose kur gatimet janë të parezistueshme ….) por e rikuperoj me ato që kam përmendur më lart

 Me moshën keni menduar të bëni operacion plastik?

Jam e kënaqur me trupin tim kështu siç më është dhuruar. Edhe i kam menduar operacionet plastike (nuk i paragjykoj ato femra që kanë ndërhyrje) por nuk besoj që do e kem ndonjëherë guximin të ndryshoj diçka tek vetja.

 Po plazh nudo keni menduar të bëni?

(Qesh) Interesante, por nuk më ka intriguar deri më sot.

 Po rrobat e banjës çfarë marke i preferoni?

Rrobat e banjës më e rëndësishmja është që t’i kem të rehatshme dhe të ndihem mirë, më pëlqejnë bikinit e ndara nga njëra-tjetra.

 Raporti juaj me duhanin dhe me pijet alkoolike?

Duhanin jo, kurse alkoolin kur frekuentoj ambientet e jetës së natës (long drinks ose coctailet më tepër).

 Jeni e dashuruar?

Nuk jam e dashuruar. Dashuria është një ndjenjë tepër e çmuar. Uroj që çdo njeri të ketë fatin që në jetë të arrijë të njoh shpirtin e tij binjak dhe të arrijë të kuptojë.

 Kjo do të thotë se nuk keni ideuar mashkullin që do keni në krah?

Nuk e kam një model fiks sesi duhet të jetë mashkulli im ideal. E rëndësishme është që të kuptohemi, të duhemi dhe ta vlerësojmë njëri-tjetrin.

 Çfarë pëlqen më shumë tek një mashkull?

Mendoj se një mashkull inteligjent do të bënte për vete çdo femër. Pamja e jashtme ka rëndësinë e saj, është impakti i parë që ne marrim kur takojmë një person, por nuk është ajo çdo gjë.

 Ky profesion është i përjetshëm, apo lidhet vetëm me moshën e rinisë?

Ky profesion dihet që e ka një kufi moshe pasi gjithmonë agjencitë janë në kërkim të fytyrave të reja dhe brezat po ndryshojnë me ritme të shpejta. Ka dhe supermodele të njohura botërore që i kanë rezistuar kohës pavarësisht këtij “kufiri moshor” .