Albert Z. ZHOLI/ Shtëpia e Diktatorit Hoxha dhe Mauzoleumi i Leninit

656
Sigal

Pardje, pas shumë vitesh, prita në Rinas një mikun tim, grek me profesion arkeolog. Një mik, që kisha vite që s’e kisha takuar. Takimi i parë ishte në vitin 1994 në zyrën e mikut të përbashkët, arvanitasit të madh, rilindësit të kohëve moderne, Aristidh Kola. Miku grek, vinte për një vizitë pune rastësisht në Tiranë. Ishte një pritje si mes miqsh, që takohen pas shumë vjetësh. Pas përqafimeve, bisedave të natyrshme, pyetje- përgjigjeve, e pyeta se çfarë donte të vizitonte në Tiranë. Dhe ai m’u përgjigj pa u menduar fare. Shtëpinë e ish- diktatorit Enver Hoxha, Piramidën muze të ish -diktatorit dhe Pallatin e ish- Mbretit Zog. U habita nga kërkesat e tij. Kjo për shumë arsye: pasi në Tiranë, sipas meje, kishte shumë objekte të tjera më të bukura, të cilat mund t’i vizitonte. Por shijet e njerëzve janë të ndryshme, po ashtu dhe kërkesat. Patjetër,- i thashë, do mundohem t’ju shërbej sadopak. Duke biseduar nisemi për te ish- Blloku, pikërisht në shtëpinë, ku kishte banuar për mëse 45 vjet ish- diktatori Hoxha. U afruam tek kangjellat dhe unë mundohesha t’i shpjegoja nga larg sa dija për rreth kësaj shtëpie-vilë. Por ai tundte kokën në mënyrë të pakënaqur. Mos u kurse për lekët,- më tha. Dua ta vizitoj nga brenda këtë shtëpi. Dua të shikoj dhomën, bibliotekën, librin “Dy popuj miq”, ku flinte, dhomën e ngrënies, banjat, luksin…. U meka. Shtanga! S’dija çfarë t’i thoshja. Ai më kishte ngulur sytë fort dhe po më kundronte në mënyrë të habitshme. S’po e kapte hallin tim, pasi goja m’u tha nga pështyma. I thashë se nuk mund ta vizitonte. Kjo shtëpi, tashmë, nuk është muze, por shtëpi pritje qeveritare. U habit! S’po më jepte arsye të zhbiroja habinë e tij. S’ka mundësi,- tha. Kjo shtëpi duhej kthyer në muze. Me këtë shtëpi, ju duhet të thithni qindra mijëra vizitorë në botë. Të gjithë duan të dinë se si kanë jetuar diktatorët në atë sistem. Pak kujt ju besohet ai regjim dhe duan ta prekin, ta kapin, ta studiojnë, ta shkelin. Dhe kjo bëhet vetëm nëpërmjet objekteve, ku ata kanë jetuar, punuar, apo me sendet, me të cilat kanë qenë pjesë e jetës së tyre. Kështu funksionon në çdo vend të botës. Unë s’e kam jetuar komunizmin, as erën s’dua t’ja njoh. Pra s’ka të bëjë fare me ndonjë preferencë, as nostalgji përderisa nuk e kam jetuar. Amerikanët, kur të vijnë këtu, as e çojnë në mend të shikojnë gradaçiela, pasi janë velur me to. Ndërsa kur e çova te Piramida, ish- muzeu i diktatorit… Ai nuk u besonte syve. Shtangu! U befasua. Një objekt shkatërrues në zemër të kryeqytetit. Gërmadhë. Dukej si një shtëpi e djegur në fund të Luftës së Dytë Botërore. Kjo nuk ndodh as në vendin më të varfërt të Afrikës,- më tha, -Pastaj heshti. Heshti! Më shikonte në sy dhe nuk fliste. Pas disa minutash heshtje, duke më futur krahun më thotë nën zë: Ju nuk e mendoni se çfarë keni humbur. Objekte të tilla kanë jo vetëm vlera historike që ndërgjegjësojnë kombet të mos gabojnë, por dhe vlera turistike. Me këto objekte të tilla Tirana do të mbahej në këmbë nga turistët,- më thotë. Më fliste me çiltërsi. Kjo nuk është nostalgji! A e dini sa janë të ardhurat e Bashkisë së Moskës nga Mauzoleumi i Leninit?! Pyesni dhe më thoni. Bileta kushton 15 euro dhe aty gjen gjithmonë njerëz në radhë pa fund. Pse është keq amerikani të shikojë gradaçiela apo ndërtesa moderne?! Kjo deklaratë e tij më kujtoi një bisedë me një kameraman të RTSH-së, i cili para disa vitesh kishte vizituar Mauzoleumin Lenin në Moskë së bashku me mjekun Flamur Topi, drejtuesin e emisionit shëndetësor në TVSH. Kameramani më thotë se, Flamur Topi u fut tre herë në Mauzoleumi, duke harxhuar 45 euro vetëm për të shuar kureshtjen se si mbahej në gjendje normale të padekompozuar, trupi i Leninit i balsamosur. Aty radhët ishin të pafundme,- më tha. Biseda solli bisedën dhe unë nuk mund ta çoja, tashmë, as në ish -Pallatin Mbretëror, e cila është kthyer thjesht në një shtëpi, ku banon Presidenti i Shqipërisë, në një ambient prej mijëra metër katrorë, kur ai ambient do të ishte objekti muzeal më i dëshiruar nga turistët. Për të mos e lodhur deri lart u mundova t’i shpjegoja realitetin për ish -Pallatin Mbretëror. Mund të themi se Pallati Mbretëror, Ish-Pallati i Brigadave është një nga ndërtesat më specifike në Tiranë, me arkitekturë krejt të veçantë, me ambiente nga më befasueset, nga më piktoresket, në një vend karakteristik, ku çdo turist me axhendë të përcaktuar jo vetëm do të mund të vizitonte diçka ndryshe, por edhe do të pushonte duke pirë një kafe në ambientet gjelbëruese të atij objekti. Pra, resurset turistike të Tiranës janë të pafundme, specifike, të veçanta, tepër sinjifikative, por ne ato nuk po i vëmë në shfrytëzim, nuk po i bëjmë funksionale, nuk po i bëjmë transparente për kohën, nuk po i vëmë në shërbim të buxhetit, të popullit, të turizmit, por të individëve të veshur me pushtet. Gjithë ajo hapësirë e ish- Pallatit Mbretëror shijohet dhe mbahet e konservuar për familjen me katër persona të Presidentit, duke mos u shfrytëzuar aspak, në vend që të bëhej një objekt turistik i rëndësisë të veçantë. Ndërsa, kur u ndal përpara hotel “Dajtit”, miku im grek, s’po u besonte syve. Diku kam lexuar se ky hotel ishte mrekullia e Tiranës për mëse 40 vjet. Si ka mundësi që është katandisur kështu?! Më erdhi rëndë t’i thoja se ky ish- hotel ka përbrenda aq ngjarje sa dhe vetë shteti i sotëm do të tronditej pa diskutuar për ish -regjimin komunist. Në mbi 90 dosierë që kam botuar në gazetën “Telegraf”, me ish- sigurimsa, me ish -oficerë, me ish -Sekretarë të Parë, me ish- shkrimtarë, me ish- gazetarë, me ish -inxhinierë, me ish -diplomatë, me ish- kamerierë, me ish -berberë, me ish pastrues, hotel “Dajti” sot do të ishte në qendër të vëmendjes të çdo pushteti postkomunist. Po sot çfarë është ky hotel dikur aq luksoz që ka përbrenda pjesën më të rëndësishme të historisë shqiptare?! Çfarë humbjesh do të kishte shteti shqiptar n.q.s objektet, ku ka jetuar ish -diktatori do t’i kthente në objekte muzeale? Pse “Dajti” ka 10 vjet i lënë si një shkretëtirë në mes të Tiranës, kur historitë dhe bëmat e tij janë të pafundme? Kujt i intereson kjo? N.q.s do ishte restauruar, sa fitime do të kishte sjellë hotel “Dajti” i famshëm?!….