Albert Janku/ “Penetrimi i Shpirtrave”

756
Po ndiqja këto ditë në televizion shfaqjen “Penetrimi i Shpirtrave”dhe vërtet pata një natë të bukur, ku impresioni që mora më detyroi, që për gjithë natën ta transformoj atë në disa rreshta. Kur në një shfaqje baleti rroket të trajtohet tema e dashurisë kuptohet që përshtatja e saj me specifikën e kësaj gjinie është e gjetur, por kur krijuesi i një shfaqjeje baleti rroket të zbulojë në thellësi filozofinë e një vargu poetik apo të një teme që përfshihet në një libër të tërë poetik, ai duket që lundron dhe rrëshqet sikur të jetë në të tijën lëndinë të gjerë, në botën e shpirtit të tij, në një rrafshinë të gjerë të gjelbër që thyhet shpesh nga bregore, kodra, male të lartë me rrëpira herë të frikshme e herë të kollajta për të zbritur përsëri në rrafshin e gjelbër. E kundërta me njerëzit e tjerë, kur siguria e të ndjerit pronar, i partnerit ose partneres bëhet shkak ndonjëherë për të kaluar me pa të drejtë në cakun e botës së tjetrit, por gjithsesi ka raste kur koha nuk vonon dhe i kujton cilitdo ndërgjegjen e vrarë të vuajtjes së mëkatit ndoshta dhe pa u ndëshkuar. Gjithë këtë pronë dhe botë shpirtërore e përjetojnë njerëzit kudo ku jetohet, dikush e ka më të pasur e dikush e ka më të varfër, por gjithsesi ata e ruajnë, e kyçin nuk e tregojnë dhe herë herë ia fshehin edhe vetes mëkatin e jo më të tjerëve. 
Sajesa më e madhe
Kjo është sajesa më e madhe te njeriu, për të justifikuar dyzimin dhe qëndrimin kur mediton dhe rreket të mos e shfaqë dhe tregojë mjedisit ku jeton. Ndaj krijuesit te ne akoma nuk kanë guxuar ta prekin këtë temë, nuk e kanë trajtuar në thellësi. Edhe kur ka ndodhur që e kanë paraqitur në skenë në episode të shkurtra në një vepër me tematikë tjetër, më së shumti i kanë dhënë vëmendje dhe thellësi anës së jashtme, efektit sensual të seksit për seks, tregojnë reaksionin fizik të saj, shpesh mënyrën agresive dhe ndonjëherë të kundërtën ekstreme, romantiken ideale. Rrallë dhe për mos thënë asnjëherë nuk është vënë re në skenat tona të jetë trajtuar kjo temë, kjo ndjesi e madhe kur njeriu në të vërtet është fare i lirë dhe çlirohet për të treguar kënaqësinë e një natyre hyjnore. Kur ai përjeton thellë efektin e madh çlirues të energjive pozitive që shpërndan ky akt sublim, akt, i cili zgjaton vazhdimësinë e jetës njerëzore që në fund të fundit është pasoja tërësore e këtij çasti më të lumtur, çast që përjetohet që përjetohet nga një kryendjesi e pangjashme dhe e pakapshme, por që është e vetmja e vërtetë që vjen nga dashuria e vërtetë. Kur bota zjenë me konflikte të zgjatura e kur te ne thellohet kundërshtia për të gjetur rrugën më të mirë që të zvogëlohen hallet e mëdha të vendit, koreografi Arian Sukniqi impresionohet nga vargjet e shumta të një libri të Rita Petros. Ai hesht, mpaket, pasi lexon poezitë e këtij botimi dhe fillon të ecë për të gjetur dritën, yllin ndjellës punon dhe bie në shtrat me personazhet e vargjeve poetike, të cilat bëhen më rrëfyese që provokojnë si papritur imazhe porsi dashuria që troket, kur ti nuk e prêt. Ai mundohet të gjejë më të bukurën më thelbësoren dhe gjen përçuesin e vërtetë të brendisë së vargjeve. Ai bindet që njeriu i beson vetes, kur nuk ka njeri pranë, por dëshmon të jetë më i plotësuar dhe pozitiv kur është vetë i dytë kur përjeton dashurinë, kur përjeton marrëdhënien më të bukur më fisniken, çastin riprodhues, përtëritjen, efektin më inkandeshent të kontaktit fizik, lakuriqësinë e të vërtetës së fshehur. Nuk i mjaftojnë lëvizjet, hapat e kërcimit, plastika e figurave të shumta dhe thërret fjalën, vargun poetik kaq origjinal dhe depërtues gjer në inde të poeteshës Rita Petro dhe skenarin e Genc Ymerit për të ngritur në këmbë një shfaqje të veçantë në llojin e saj. I ndihmuar nga kompozitori Qafoku, kuron muzikën plot emocion dhe drithërues, gjen hijen dhe dritën, por gjithmonë të parën bashkon balerinët me aktorët e dramës në një miksim të domosdoshëm për të mbërthyer publikun, këtë komponent dëshmitar dhe vlerësues të pazëvendësueshëm në një shfaqje artistike. Emocionet e mara që përcjellin vargjet poetike dalëngadalë ia zënë vendin lëvizjet, hapat, gjymtyrët e edukuar të artistëve të baletit, teksti i vargjeve si një gjini që depërton shpejt te spektatori që duket sikur të jetë në këtë rast partner i tij ose e kundërta partnerja e sajë, ato harmonizohen pa humbur origjinalitetin e tyre dhe kryejnë së bashku elementët e specifikes mbas celebrimit mahnitës me muzikën. Lëvizja e hapja e këngës është shkrirë me vargun poetik, ato i bashkon muzika si një sinfoni qiellore që të çon pothuajse në infinit. 
Himn magjik
Ky himn magjik që përhapet dhe ngacmon shikuesin në sallë është kompozuar dhe mbjellë në një moment vërtet krijues dhe intuitave, kur balerinë dhe aktorë të talentuar si Altin Koruti, Isida Mollaymeri, Aretina Noti, Olta Gixhari, Laura Nezha, Adelina Lami, Kristi Dalipi, Amelina Demaj dhe Florian Kokona e vaditën me ndjenja të fuqishme, kur e rrethuan Arianin e ndoqën atë në atë që kishte menduar të bënte dhe kjo bashkësi artistësh të vërtetë në kushte shumë të vështira nuk e gjymtoi të bukurën , e ushqeu atë me vlerat e tyre pandroje se do të shqetësojnë apo mahnitin shikuesin, ato bënë atë që ndjenë pasi u bindën që pra dhe në mes vargjeve buron jeta e vërtetë ekzensenciale si energji ndonjëherë e pakapshme por e përjetuar në çdo kohë nga ata dhe të tjerët. Ariani në këtë shfaqje është zhytur thellë pasi është menduar gjatë të gjejë stilin dhe mjetet shprehëse koreografike duke parakaluar me respekt gjithë epokat e historisë së zhvillimit të baletit me qëllim ndoshta që përjetimi i tematikës së zgjedhur dhe ideja e saj nuk janë të paditura dhe fare të reja. Ajo vërtet ka qenë tabu për shumë kohë që nuk mund të prekej dhe të thuhej e vërteta e saj deri vonë në botë e jo më tek ne. Ai i heq maskën të gjithë atyre që sajuan këtë tabu dhe si nikoqir i kujdesshëm futet të gjejë gjuhën e tij duke notuar, selektuar në grumbullin e formave të përdorura më parë, me qëllim për të gjetur dhe arritur me të një origjinalitet autorësie që ai ka pashfatur edhe më parë në shfaqjet e tija. Lëvizjet flasin, ato shprehin me konvencione të gjetura me shumë shije dhe të bukura estetikisht dhe teknikisht, të cilat për çdo moment rrjedhin dhe krijohen të frymëzuara nga idetë që ai mori nga vargjet e librit me qëllimin e mirë dhe estetik për ta përkthyer në koreografi, por duke i transformuar në imazhe të ardhura specifikisht nga intuita dhe mendimi koreografik i kulturuar, karakteristikë e veçantë e tij. Aftësitë e balerinëve e frymëzuan atë të thellohet në gjetje individuale që dallojnë në një skenë tek tjetra, skena gjatë shfaqjes; Isida, Aretina, Adela, Koruti, Zela dhe Kristi janë dhe vijojnë të jenë besimtarë të pakushtuar ndaj baletit. Altin Koruti është një ndër prekës dhe vallëzuar me teknika superiore në lëvizje dhe emocione. Eksperienca e tij dallohet edhe në një hapje të krahut apo rrotullime në tokë dhe në ajër në tërë performancën e tij bie në sy ndjenja dhe arsyetimi i asaj që bën e mbështetur në fuqi shpërthyese dhe emocionale. Është hera e parë që vjen në Tiranë, Aretina Noti, shqiptare nga bregdeti ynë e lindur në Greqi. Ajo kërcen po aq bukur dhe mire sa flet edhe shqipen e mësuar në shtëpi nga prindërit e saj. E brishtë e edukuar shumë mirë me disiplinën e baletit. Nga brendësia e saj duket se marrin jetë lëvizjet, harmonia, ndjesia e thellë e asaj që bën këtë herë duket në kërkimin e saj malli për origjinën e vendin që kur e preku para pak kohësh për herë të parë iu duk vendi më i bukur në botë. Në baletet e krijuara nga Arian Sukniqi gjithmonë ka pasur vend për Isida Mollaymerin. 
Eksperienca
Eksperienca e tyre në trupën e Teatrit të Operës dhe Baletit është siguri për koreografët, të arrijnë atë që dëshirojnë dhe mendojnë për fragmentet apo personazhet që kanë ata në mendje të ndërtojnë me këta artistë. Pjesëmarrja e tyre në këtë shfaqje ishte mjaft e gjetur, ato interpretuan me mjeshtëri dhe emocion tekstin e disa copave ose njësive që përbëjnë këtë shfaqje. Mjeshtëria dhe cilësia në ekzekutim lehtësoi interpretimin e ngrohtë dhe me kulturë profesionale të këtij dueti kaq të pëlqyer nga publiku. Surprizë në këtë shfaqje ishte kërcimi i Olta Gixharit. Nga aktorja e mirënjohur u ndje përgjegjësia e lartë artistike e një artisteje me sharmë të veçantë që provojë të thotë me potencë interpretative dhe në mënyrë të shkëlqyer të flasë në gjuhën e kërcimit të kësaj gjinie që i shkon për shtat shumë. U ndje gjatë shfaqjes gjer në mesin e saj, që publiku u shtang disi , harroi të duartrokiste apo kishte droje ndaj reagonte në heshtje që shprehte vetëm respekt për atë që po ndiqte. U desh një shkëndijë që erdhi nga mesi i sallës, një rrahje e vetmuar duarsh që të shpërthenin duartrokitjet, të cilat nuk reshtën gjer në fund të shfaqjes ashtu, siç pritej tashmë nga një publik i çliruar nga ngërçi i fillimit kur artistët ekspozonin lëvizjet kaq impresioniste pa kompleksin që shkaktonte dikur censura në art. Artin e bëjnë dhe e krijojnë njerëzit e talentuar, por talenti nuk do të mjaftonte në qoftë se ai krijues nuk guxon të trokasë në tema kaq delikate që nuk janë prekur thellë deri në embrionin e saj. “Normat morale” të respektuara si kanune të pashkruara që impononin të mos silleshin në publik tema të tilla ka ndikuar në një farë ndrydhjeje të mendjes dhe iniciativa të krijuesve për mos t’u afruar te caku i këtij morali shoqëror që e përjashtonte privatësinë e njeriut në komunitet dhe në skenë që respektohej në heshtje nga njerëzit. Arian Sukniqi kaloi mbi veten e tij dhe ndjen se çlirimi nga rrethi hermetik, me demek e këtij morali të lartë e bëra ato dhe ata që e ndoqën me veprën e realizuar të vlerësojnë më shumë dhe të duan më shumë partneren/partnerin të kuptojnë më mirë gjithësinë e kësaj bote, bukurinë e saj që e ndjejmë edhe më pare, por që e mbyllnin me çelësin e ndrojës që zbeh paksa ndjenjat e vërtetat ndaj njëri-tjetrit dhe atij vetë. Sukniqi me plastikën e guximshme luan me dritë hije, bie në sy plastika trupore, ansamblet mbresëlënëse porsi afresket e rilindjes italiane, dhjetëra për mos thënë qindra grupe skulpturale, poza dhe figura të pafundme që na kujtojnë karavaxhion, të cilat gjallërojnë kërcimin dhe koreografinë e baletit nëpërmjet një lajtmotivi, i cili lidh të gjithë episodet që fitojnë dinamik dhe janë në evolim kur ky lajtmotiv pasurohet nga derivate që nuk trazojnë dhe dëmtojnë bulzën kryesore të mjetit shprehës, gjuhës së kërcimit të zgjedhur nga ai për ndërtimin e shfaqjes. Celebrimi i kërcimit me fjalën poetike dhe muzikën është realizuar me shumë logjik dhe art. Aktorët flasin dhe lëvizin në skenë, shprehin ide emocione, ndihmojnë në transmetimin e mesazheve dhe nuk janë çiban apo mballoma të veçuara, ato janë pjesë e konturit dhe lëvizin e zhvendosen në kënde ose vijë të drejtë dhe në grupime të vogla sipas momentit muzikor, ndërtohen nga emocionet e magjikes dhe në harmoni dhe unitet stilistik që ruhet gjer në fund të saj. Ndërhyrja e një zonje(Olta Gixhari) pas shpatullave të spektatorit dhe teksti i shkurtër poetik që del nga goja e saj, që pason me pauzat mjaft domethënëse në mes fjalive shkakton një gjendje të re në atmosferën e krijuar gjer në atë kohë. Efekti është shumë i madh dhe i menjëhershëm tek publiku sidomos tek ajo pjesë e tij që dyshon dhe është i mpakur disi për ato që po shikon në skenë. Olta shtron pyetjen dhe kërkon të dijë se ç’bëhet këtu në këtë mjedis dhe prêt reagimin ndërsa të gjithë heshtin. Në të njëjtën kohë ajo pa kuptuar bëhet pjesë e mjedisit skenik, duke e kuptuar më mirë se kush është dhe çfarë ndjen. Ajo njeh mirë botën dhe dëshirën e saj, lë shumë për të thënë dhe shpërthen si vullkan, i cili hesht prej kohësh në tangon drithëruese që pason, duke vallëzuar dhe interpretuar me shumë ndjenjë dhe mjeshtri nga ajo vetë dhe tre kavalierët që lartësojnë virtytet e saja të fshehura. Ajo nuk hiqet, ajo nuk gënjen veten dhe të tjerët se cila është, ajo është vetvetja, fëmija që jeton mes të tjerëve, që ecën dhe vozit me makinë për çdo ditë në qytet në mes të njerëzve që ndoshta nuk kanë guximin e saj të shprehen se, cilët janë. E gjithë kjo që ndodh në skenë nuk do të tingëllonte në tonalitete që kishte menduar dhe krijuar koreografi dhe regjisori Arian Sukniqi nëse nuk do të ndriçohej me dritën e një artisti, komponenti tjetër në shfaqje, që për pak orë krijoi një mjedis dritë-hije dhe tonalitete mbresëlënëse që herë herë i jepte pamje magjike skenës dhe mbushte me energji shpirtin e artistëve për t’u shprehur sa më mirë. Në kushte jo të favorshme, për të shfaqur një shfaqje, që në pjesën më të madhe të saj është koreografike, drejtuesit e Teatrit Kombëtar lanë brenda mundësive që lejon kalendari vjetor i shfaqjeve, mundësinë për të mos i munguar publikut një vepër si kjo, origjinale krejtësisht, e krijuar nga autorë shqiptar dhe të huazuar, që në respekt të autorëve që morën pjesë me shumë dëshirë për t’i dhënë jetë një vepre, që shpreh vetë jetën të zhveshur nga paragjykimet dhe pse jo edhe nga hipokrizia. 
Sigal