AKU jep 750 milionë lekë për riparimin e zyrave, 2 vite më parë harxhoi 1 miliardë lekë

93
Përparim HALILI
“Gropa e zezë” e tenderëve abuzivë, gëlltiti miliarda lekë nga fondet publike. Përsëriten për shkaqe me… “erë” korrupsioni
Tenderët publik, që kanë si financim fondet e Buxhetit të Shtetit janë tjetërsuar në një “moçal” korrupsioni të dukshëm, të organizuar në grup prej drejtuesve dhe nëpunësve të shtetit, të cilët sajojnë tenderë me objekt gjoja investimet publike, por që i përdorin për përfitime, nëpërmjet ryshfetit me subjektet private që ata përzgjedhin për t’i shpallur si ‘fitues” të tenderëve. Ka tenderë për shërbime e blerje produktesh për spitale, konvikte, çerdhe e kopshte fëmijësh, që anulohen për shkak se drejtuesit shtetërorë, ose nuk kanë arritur të nxjerrin fitues klientët e paracaktuar sipas pazareve, ose nuk kanë marrë paraprakisht përqindjen e paracaktuar prej firmave private dhe, për të justifikuar anulimet e tenderëve, nxjerrin shkaqe që bien erë abuzim, ku më të shumtët e shkaqeve janë këto: “Kemi bërë gabim llogaritjet e fondit limit” apo “firmat kishin mangësi në dokumentacion”! Ka shumë raste që këto shkaqe anulimi të paraqitura nga drejtuesit e institucioneve, janë sajime! Por ka edhe një fakt tjetër: Përmbajtja e shumë tenderëve që sajohen, shpallen e zhvillohen kanë objekte investimesh e shërbimesh publike, që jo vetëm bien ndesh hapur me ligjet, vendimet e udhëzimet shtetërore, por edhe orientohen për investime e shërbime të ripërsëritura, që janë kryer 1, 2 e 3 herë brenda 1 e 3 vitesh. Sot po sjellim disa raste tenderësh të tillë…

AKU, tender 750 milionë lekë për riparimin e zyrave që janë rindërtuar 2 vite më parë me 1 miliardë lekë

– Pasi nuk gjetën dot klientin e paracaktuar, shefat e AKU-së anulojnë tenderin, mbasi sipas tyre kanë ngatërruar fondin limit 
NJOFTIMI i AKU: Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton sipas proces-verbalit të mbajtur sot më datë 09. 05. 2017, për procedurën e hapur të tenderit me objekt “Rikonstruksion i godinës së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit” konstatuam se pas njoftimit të kontratës në sistem, vlera e fondit limit (për shkak se fondi limit është me presje dhjetore) nuk është pasqyruar i tillë në sistem duke dhënë një fond më të lartë se ai i përcaktuar nga eksperti. Njësia e Hartimit të Dokumenteve anulon procedurën e prokurimit me objekt Rikonstruksion i godinës së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, me fond limit me vlerë 63 335 079 lekë pa TVSH .
Mat/Drejtoria spitalore anulon tenderin, mbasi një nga firmat nuk kishte çuar dosjen se ishte në Festën e Pashkëve 
Autoriteti kontraktor Drejtoria e Shërbimit Spitalorë Mat njofton se Mbështetur ne ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, V.K.M nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të Prokurimit Publik anulon procedurën e prokurimit me objekt “Shërbime të pastrimit dhe gjelbërimit të Spitalit Mat”. Lloji i procedurës se prokurimit: Kërkesë për propozim (prokurim me mjete elektronike). Fondi limit: 1178750 (një milion e njëqind e shtatëdhjetë e tetë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë) lekë pa tvsh. Arsyeja e anulimit: Data e hapjes së ofertave ka qenë ditë pushimi “Festa e Pashkëve” si dhe me Ankesën Nr. 43 datë 27.04.2017 të Shoqërisë IRIDIANI sh.p.k, i cili ka pretenduar se nuk ka mundur të sjellë mostrat…
Tre skandale tenderësh nga Ndërmarrja e Çerdheve, Korçë
Shtohet fondi limit në ushqime, mbasi ai që mbante lapsin… ka bërë lapsus në llogaritje 
Për arsye se nga ana jonë është bërë një lapsus në “formularët e njoftimit të fituesve” ku nga pakujdesia në vlera e fondit limit të secilit lot është shënuar vlera e ofertuar nga operatori në Buletinin me nr.18 date 8 maj 2017 ne procedurën e prokurimit “Tender i hapur” me objekt “Blerje mallra ushqimore” i ndarë sipas loteve korrigjohet gabimi si më poshtë: 

1. Loti 1 mallra ushqimore “Bukë”— fondi limit 1.247.763 lekë (e gabuar), korrigjohet në 1.249.411 lekë (vlera e saktë) 
2. Loti 2 mallra ushqimore “Mish, sallam, mish pulë” — fondi limit 2.662.770 lekë (e gabuar), korrigjohet në 2.666.325 leke (vlera e saktë) 
3. Loti 3 mallra ushqimore “Djathë, gjalpë” — fondi limit 2.082.600 lekë (e gabuar), korrigjohet në 2.082.914 lekë (vlera e saktë) 
4. Loti 4 mallra ushqimore “Vezë” — fondi limit 665.595,8 lekë (e gabuar), korrigjohet në; 666.662 lekë (vlera e saktë) 
5. Loti 5 mallra ushqimore “Qumësht, kos” — fondi limit 1.660.560 lekë (e gabuar), korrigjohet në 1.666.650 lekë (vlera e saktë) 
6. Loti 6 mallra ushqimore “Fruta perime” — fondi limit 1.663.600 lekë (e gabuar), korrigjohet në 1.665.930 lekë (vlera e saktë)
Anulohet tenderi, duhen shtuar edhe 300 mijë lekë në fondin limit
Për arsye se nga ana jonë është bere nje lapsus nëmomentin e përllogaritjes së vlerës totale të kontratës në fazën e parë të shpalljes së tenderit ne Buletinin me nr.15 datë 18 prill 2017 në procedurën e prokurimit “Kërkesë për propozim”me objekt “Blerje Materiale pastrimi dhe dezinfektimi” ju lutemi teë korrigjohet gabimi si më poshtë: Vlera totale përfundimtare e kontratës ishte 1.632.560 lekë (e gabuar), por korrigjohet si me oshte: Vlera totale përfundimtare e kontratës është: 1.959.072 lekë (vlera e saktë)
Tenderi për shkollën e komunitetit rom është me fond të ulët, bëri lapsus eksperti
Për arsye se nga ana jonë është bërë një lapsus ne momentin e përllogaritjes së vlerës totale të kontratës në fazën e parë të shpalljes së tenderit në Buletinin me nr.18 datë 8 maj 2017 në procedurën e prokurimit “Kërkesë për propozim”me objekt “Kuotë ushqimore për shkollën Naim Frashëri” ju lutemi të korrigjohet gabimi si më poshtë: Vlera totale përfundimtare e kontratës: ishte 2.604.000 lekë (e gabuar), korrigjohet si më poshtë; Vlera totale përfundimtare e kontratës është 2.170.000 lekë (vlera e saktë)